Aktualitet

Propozohet krijimi i Sekretariatit për Diasporën në PD dhe përfshirje më e madhe e saj në vendim-marrje

Përfshirja e Diasporës në vendimmarrjen politike në Shqipëri, gjë që fillon me pjesëmarrjen në zgjedhje, ka qenë një temë e nxehtë dhe vazhdon të jetë e tillë. Ndyshe nga Kosova, megjithë premtimet, Shqipëria nuk ka arritur të realizojë deri më sot votimin elektronik ose me korrespondencë të qytetarëve të saj që jetojnë jashtë territorit të vendit. Sigurisht përgjegjësia totale në këtë drejtim bie mbi mazhorancën që pati 8 vjet kohë në dispozicion për të realizuar një premtim të sajin. Në zgjedhjet e fundit nëse kjo pjesëmarrje do ish realizuar, me siguri thuajse maksimale, rotacioni politik i shumëpritur do ishte kryer.

Rezultati që prodhuan zgjedhjet e vjedhura nga Mazhoranca Rama-Doshi e futi partinë kryesore të opozitës, Partinë Demokratike në proces rizgjedhjesh të të gjitha organeve më të larta, duke filluar nga kryetari i partisë e deri tek Këshilli Kombëtar. Një prej të sapozgjedhurve në këtë këshill, publicisti dhe gazetari Alban Daci, njëherazi dhe kryetar i njerës prej degëve të PD në diasporë, i ka dërguar dje një propozim drejtuesve më të lartë të PD, propozim i cili synon një përfshirje më të madhe të disporës në vendim-marrjen e forcës kryesore opozitare. Daci e ka publikuar propozimin e tij edhe në rrjetin social Facebook.

Propozim: Të krijohet Sekretariati për Diasporën si dhe të ketë përfaqësues nga Diaspora në Kryesi

Partia Demokratike, forca politike që bëri përmbysjen e madhe dhe që solli lirinë e shqiptarëve për të udhëtuar jashtë vendit dhe më vonë bëri edhe liberalizimin e vizave, mbetet forca politike që ka mbajtur gjithmonë një lidhje të veçantë me Diasporën. Prandaj, mendoj e propozoj që për t'i paraprirë votës së emigrantëve dhe si nevojë për përfshirjen e Diasporën në proceset e rëndësishme politike në vend, duhet të krijohet një sekretariat për Diasporën si dhe duhet të ketë një përfaqësues nga Diaspora, që jeton në Diasporë edhe në Kryesinë e PD.

Alban Daci, kryetar

Dega e PD - Liguria, Itali