Aktualitet

Sulltani me Hamzallarët po përçajnë shqiptarët - Nga Prend Tanushi

Vizita e Erdoganit më 17 Janar 2022 ngjalli shumë reagime në shoqerinë shqiptare, për vetë faktin e datës simbolike në të cilën Sulltani kish vendosur të zhvillonte këtë vizitë dhe për të përuruar shtëpite e reja të ndërtuara me ndihmën e qeverisë turke.

Pyetja shtrohet: Zgjedhja e datës 17 Janar, dita e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar ishte një rastësi apo një kalkulim dashakeqës i Sulltanit dhe KryeHamzait shqipfolës, për të na shkelur atë pak dinjitet që na ka mbetur pa u shkelur si komb?

Nëse bëjmë një arsyetim tepër modest, mundësia që të jetë rastësi është me probabilitet shumë të ulët (0.27%), duke ditur faktin që viti ka 365 ditë.

Dyshimet vazhdojnë dhe shtohen kur kujtojmë se:

Pikërisht në 28 Nëntor 2021, Këshilli Bashkiak i Hamzallarëve të Kurbinit vendosi t’i jepte Erdoganit titullin ‘Qytetar nderi’. Në të njejtën ditë, në vitin 1443 u ngrit flamuri shqiptar i Skënderbeut në Krujë, pas çlirimit nga pushtuesit osmanë. I njejti flamur u ngrit pas gati 500 vjetësh në Vlorë nga Ismail Bej Vlora, përsëri në të njëjtën ditë, 28 Nëntor, zyrtarisht Dita e Pavarësisë. Dhe aq më tepër të gjitha këto ngjarje ndodhin në fushat e Kurbinit, ku Skënderbeu bëri betejat më të lavdishme kundër osmanllinjve.

Një datë tjetër kompromentuese është ajo e 2 Marsit 2021, kur u vendos nga Këshilli i Hamzallarëve të Qeverisë që në shkollat tona të futet gjuha turke, pikërisht pra në ditën që njihet si Dita e Beslidhjes së Lezhës.

Kujtoj dhe faktin që Erdogani para një takimi me ish-presidentin Nishani, urdhëroi heqjen e bustit të Skënderbeut nga ambientet e Presidencës, dhe nëse nuk hiqej, kërcënoi se do ta anullonte takimin.

Erdogani i telefonoi Berishës, kur ishte kryeminister dhe e urdhëroi që të votonte në OKB në favor të Palestinës, pra mos të votohej në përputhje me qëndrimin e amerikaneve në favor të Izraelit dhe Berisha, ‘anti-amerikani i sotem’, e mbajti krahun amerikan duke u ndarë përfundimisht me Sulltanin.

Me përjashtim të Presidencës, sot, asnjë intitucion shtetëror nuk e mban bustin e Skënderbeut.

Më 17 Janar vetëm presidenti Meta e vizitoi varrin e Skënderbeut në Lezhe, Berisha publikoi një status në Facebook, kurse Hamzallarët e oborrit të Sulltanit, Rama, Veliaj dhe Basha nuk e folën një fjalë.

Pra problemi nuk është mosmirnjohja e shqiptarëve për ndihmën që dha qeveria turke për ndërtimin e këtyre shtëpive, edhe pse Komuniteti Evropian ka akorduar mbi 1miliardë euro për dëmtimet e tërmetit, as mosvlerësimi për spitalin elektoral të Fierit, por trajtimi që na bën Sulltani, duke na konsideruar si Vilajet të tijin dhe jo si një shtet i pavarur.

Ne kemi firmosur aktin e miqësisë së përhershme me Turqinë në vitin 1923 dhe që nga ajo kohë kemi pasur marrëdhenie dhe raporte shumë miqësore me turqit, por që nga viti 2003, me ardhjen e Erdoganit në pushtet, ndjehet një frymë Neo-otomanizmi, pra Sulltani filloi rekrutimin e shqiptarëve otomanistë (hamzallarët) për të përbaltur figurën e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut.

Po të shikosh sot, ka shumë portale, analistë nëpër studio televizive, artikuj gazetash etj., që e trajtojnë Heroin tonë Kombëtar si ‘Mit’, pra që ose nuk ka ekzistuar kurrë, ose është hiperbolizuar si figurë, gjoja nga nevoja për të krijuar kombin shqiptar, kur po krijoheshin kombet në shekujt 18, 19 dhe 20. Ndërkohë, Skënderbeu është një figurë e dimensioneve evropiane, që për herë të parë arriti të bashkojë të gjithë shqiptarët (arbërit dhe epirotët), Gegë dhe Toskë, nën një flamur, flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenore që kemi edhe sot.

Vetëm arkivat e Venedikut kanë 22 regjistra me nga 700 faqe ku ka shënime për Skënderbeun, pa llogaritur pastaj arkivat e Napolit, Milanos, Vatikanit, Spanjës, Francës, Gjermanisë, Austrisë, e shumë të tjerë dokumente që e trajtojnë Skëndebeun si një ndër gjeneralët më të mëdhenj të historisë botërore.

Pra çdokush që sulmon, hedh baltë apo shtrembëron figurën e Skënderbeut, godet kombin shqiptar, flamurin, identitetin dhe sovranitetin tonë kombëtar.

©Prend Tanushi