Aktualitet

Ҫamëria nuk duron lot - Nga Dritan Goxhaj

 Dritan Goxhaj

Sërish vjen stina 

T'rënët e t'gjallët bëhen tokë

Vesë as shi, s'duron lëndina

burrëria jo nuk duron lot

Duke dëgjuar këto vargje të kësaj kënge, më erdh ndërmend se vërtet sot, në datë 27 Qershor, në këtë stinë, si përvit, të rënët e të gjallët do të bëhen sërish tok, në varrezën e Kllogjerit, në Bashkinë Konispol.

Në këtë varrezë të ndërtuar nga bashkia Konispol, prehen 2900 shqiptarë të Ҫamërisë, të cilët janë dëshmi e spastrimit etnik dhe gjenocidit grek ndaj shqiptarëve. Ata që prehen aty, e që për çdo vit bëhen tok me të gjallët në pelegrinazhin e kësaj date, humbën jetën në vitet 1944-1945 nga etja, uria, sëmundjet e plagët, pas masakrave që Napoleon Zerva e qeveria greke kreu në krahinën shqiptare të Ҫamërisë.

Shqiptarët bëhen bashkë në këtë ditë, ca për të kujtuar familjarët e tyre, ca për shkak të gjakut të humbur, ca për shkak të atdheut të masakruar, e disa edhe për shkak të patriotizmit folklorik.

Dhe mbi këtë varrezë që bashkia e ka quajtuar “Trëndafilat e Ҫamërisë”, trendafila nuk ka fare, pasi ajo ka mbetur në mëshirë të fatit.

Bashkia që e ka ndërtuar nuk e mirëmban, por as shoqatat çame dhe as partia e tyre nuk është se tregojnë ndonjë kujdes për këtë varrezë, përveç organizimit të përvitshëm të një pelegrinazhi aty.

Dhe vërtet, ajo lëndinë nuk mban as vesë e as shi, pasi nuk ka asnjë fije bari, e mbi të ngrihet një xhami, e cila qëndron vetëm si karakatinë, pasi nuk ka as dyer e as dritare, sikur është bërë që shpirtrat e atyre shqiptarëve të Ҫamërisë të mund të hyjnë e dalin nga ajo xhami, nga të duan. Dhe kur e sheh ashtu të zhveshur nga çdo gjë, ajo i ngjan xhamisë së Margëlliçit në Ҫamëri. Edhe ajo e braktisur, pa dyer e dritare, e mbushur me ferra. Por atje nuk ka kush kujdeset për të, pasi ndodhet në tokë të pushtuar. Ndërsa te kjo në Kllogjer, edhe pse nuk ndodhet nën pushtim, mungojnë njerëzit edhe këtu.

Kjo varrezë e ndërtuar në vitin 2013, edhe pse i është bërë kërkesë zyrtare kryeministrit që të ushtrojë të drejtën që i jep ligji, e ta shpallë si Varrezë Monumentale, deri më sot, ai jo vetëm që nuk ka marrë mundimin që të kthejë një përgjigje për këtë kërkesë zyrtare, por ai si për karshillëk, vazhdon të shpallë Varreza Historike, varret e ca ushtarëve greke të rënë gjatë luftës Italo-Greke në Shqipëri.

Si për inat të Shqipërisë, Kalorësi i Kishës Greke Ed(vin) Rama, në vend që t’i japë këtë titull kësaj varreze, ai heq nga pasaportat të gjitha toponimet shqip të Ҫamërisë.

Në çdo datë 27 të kësaj stine, të rënët e kësaj varreze iu kujtojnë të gjallëve që i begenisin, se amaneti nuk duhet harruar. Iu kujtojnë të gjallëve se Ҫamëria është Shqipëri. Iu kujtojnë të gjallëve se Ҫamëria është amaneti i të masakruarve, amanet të cilin poeti Bedri Gjinaj në Qershor të 1945, e ka vargëzuar:

M’u shtershin sytë

Nëse pushoj

Lirinë tënde me ëndrrue

Mallkue qoftë gjaku im

Nëse më vrasin

Pa luftue!

Vargje këto, që çdo shqiptar i krahinës së Ҫamërisë duhet t’ia lëjë amanet fëmijës. Ashtu si thotë edhe vargu i këngës “Burrëria, jo nuk duron lot”, edhe këtu nuk pranohen vajtimet edhe pse mungojnë reagimet.

Ҫamëria, gjaku që nuk falet!

©Dritan Goxhaj