Aktualitet

BDI, përgjegjëse për mosintegrimin e Maqedonisë së Veriut në BE - Nga Xhevdet Nasufi

Ishte surprizë pozitive kur pas luftës së 2001, partia e Ali Ahmetit u emërtua si Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), atribut ky integrues. Ndoshta ishte edhe iluzion shqiptar, ashtu sikur nuk duhej të ishte, se mu kjo parti politike shqiptare me kohëzgjatje me të gjatë në qeverisje se gjithë të tjerat, sot është edhe dhimbja dhe zhgënjimi i madh për shqiptarët.

Maqedonia e Veriut me dekada po refuzohet dhe pengohet në proçesin e integrimit, por ky i fundit ka një efekt negativ të veçantë në dy rrafshe për shqiptarët.

Së pari, Shqipëria është dëmi kolateral i pashpjegueshëm për arsyet dhe pretekstin. Së dyti, edhe pse në këtë holokaust politiko-diplomatik për të cilin fajtori kryesor është Tirana dhe Shkupi shqiptar, qeverisja aktuale në Tiranë në veçanti, me sytë në ballë e mëndjen në kokë, në vënd se të bëhet pikëtakim bashkimi, hidhet në arenë si toreador dhe lufton për Maqedoninë e Veriut, ama qartësisht kundër vetvetes dhe unitetit shqiptar. Rama ose lufton nëpërmjet retorikës që të tejkalojë vetveten, përsëri para Europës që në fund zgjodhi qeshjen si reagim, ose ka pretendimin megaloman si objektiv, apo edhe të krijojë alibinë për refuzimin e hapjes së konferencës së parë integruese.

BDI si simbolikë integruese, që nga themelimi përdori integrimin si propagandë zgjedhore. Kjo edhe tani e njëzetvjet po e mban ate në pushtet. Pra, alibia e politikës për “veshin e shurdhët” të Bashkimit Europian ndaj Maqedonisë dhe Shqipërisë është thjesht imagjinate që as në udhëkryq s’i orienton të humburit.

Zhvillimet flasin, BDI ka marë dikasteret parësore në qeverisje për proçesin e integrimit të Maqedonisë Veriore.  Mu ky fakt e bën edhe më përgjegjëse këtë parti politike. Së pari, para shqiptarëve dhe shtetit; Së dyti edhe para Shqipërisë, të cilën Maqedonia e ka ngjitur si rimorkio pas vehtes.

Greqia dhe Bullgaria gjithmonë apostrofohen si arsye për vonesat integruese të Maqedonisë së Veriut. Në sensin më të mirë dhe më të natyrshëm, këtij fakti historik resurset politike shqiptare i përgjigjen me emocionin politik të maqedonasve. Kjo edhe sfidon, por edhe e mistifikon historinë dhe e konfronton me të sotmen. Kjo mosnjohje dhe ky mosanalizim bashkë me mungesen e ideve dhe kreativitetit për globalizim racional, përfshi këtu edhe qëllimshëm nga vetë maqedonasit, më së shumti i godit shqiptarët, për faktin se viset shqiptare, sidomos në Maqedoni ngadalë po boshatisen, po ngelin vetëm bëdëistët si makineri zgjedhore.

Pasiguria dhe pasojat e mosintegrimit për gjithë këto njëzetvjet më shumë se të tjerëve i atribohen BDI. Ky  proçes i  stërzgjatur (vëndet ish-socialiste me lehtësi e arriten integrimin e plotë në BE) i ka goditur shqiptarët edhe në dy rafshe sensitive: Pothuajse entuziazmi shqiptar për integrim sot ka degraduar në apati për shkak të politikës  së BDI, tani në fund kulmoi me projektin pansllavist “Ballkani i Hapur” në njërën anë, dhe  copëzimi i skajshëm i Marëveshjes së Ohrit si kontratë  historike mes shqiptarëve dhe maqedonasve që të disfunksionojë  ekuilibri binacional i shtetit, në anën tjetër.

Dhe në fund, nuk duhet harruar e vërteta e këndshme historike për marëdhëniet shqiptaro-bullgare. Prandaj, çdo avokati shqiptare kundër Bullgarisë për interes të të tjerëve, siç po bën Rama dhe disa shqiptarë të tjerë, është absurd i madh   në qartësine e marëdhënieve shqiptaro-bullgare.

©Xhevdet Nasufi