Ngjarja e Himarës dhe argatët e pushtetit që vrasin fjalën e lirë - Nga Arben Braçe
Tmerr po aq i madh sa ai i vrasësit të vogëlushes në plazhin e Potamit në Himarë, është tmerri i gazetarëve të partive, të cilët nuk ndalen përballë çdo krimi makabër dhe pikërisht në ditën e llahtarit për familjen e Avdia, gjejnë kurajën civile të bëjnë politikë të pështirë kriminale proparti, proqeveri për të lëpirë një kockë dhe për të bërë jetë mjerani, pa asnjë lloj morali, në një shoqëri që ka vrarë në rrënjë moralin njerëzor.
Fjalën e kam për shkrimin e gazetarit Dritan Hila në Gazetën “Drita”, në të cilin konsideron si torollakë dhe të çmëndur, gjithë të revoltuarit e vrasjes së vogëlushes shqiptare, duke i quajtur turma të gjithë ata që kërkojnë gjetjen e përgjegjësisë deri në krye të shtetit.
Kam bindjen që sikur t’i kishte ndodhur në familjen e tij do të kërkonte rrafshimin dhe bërjen hi të gjithë strukturave të shtetit dhe përndjekjen e të fajshmëve deri në brez të shtatë, por gjithsesi ky është një opinion personal dhe për dreq kjo lloj demokracie banale që kemi krijuar nga shteti eksperimental nga vijmë prodhon qënie të tilla, që gjejnë kurajën dhe gjejnë edhe mbështetje në makabritetet që nxjerrin nga goja.
Sikur skafi me turbina avioni të kishte ardhur nga ndonjë galaktikë tjetër, padyshim që edhe unë mund të ndaja të njëjtin mendim, por kur në drejtim të skafit është ish-Shefi i Policisë së Himarës, deri dje në detyrë, Shefi i Policimit në Komunitet të Elbasanit, kjo do të thotë që kemi të bëjmë me një përgjegjësi të thellë, që duhet kërkuar deri në majën e piramidës shtetërore.
Funksionalisht polici Tase presupozohet që duhet të njihte ligjin mbi funksionimin dhe drejtimin e mjeteve të tilla lundruese më mirë se kushdo tjetër, dukeqënëse ka qënë në detyrë dhe funksion pikërisht në këtë vend. Por polici Tase nuk vjen në këtë detyrë me bekimin e Zotit. Ai është i propozuar dhe i emëruar nga një strukturë e lartë e posaçme e Policisë shtetërore, sipas Ligjit “Për Policinë e Shtetit”, e cila duhet të kontrollojë me kujdes kriteret e emërimit të tij.
Çfarë kuraje mund të ketë një përfaqësues shtypi, pra që pretendon të ketë pushtetin e ligjërimit, nëqoftëse gjatë inspektimit të dosjes së tij gjehen shkelje të rënda me dashje në kriteret e emërimit ose gjatë inspektimit të dosjes gjyqësore të Gjykatës Apelit Vlorë, që ka dhënë pafajsinë për trafik gjenden shkelje dhe provohet korrupsion? A nuk duhet të këtë shkarkime dhe procedime penale për të gjithë shkelësit e ligjit në këtë rast, qoftë edhe për përfaqësuesit politikë të Ministrisë së Brëndëshme? Në cilin shtet të botës dhe në cilën politikë botërore, përgjegjësia e ardhur nga një strukturë zinxhir mund të mbetet vetëm tek hallka e fundit e krimit, pra tek personi që kryen krimin!?
Padyshim që autori i shkrimit i di shumë mirë këto gjëra elementare në fushën e së Drejtës, por edhe të politikës, por tmerri dhe varfëria intelektuale qëndron tek paturpësia, mungesa e minimumit moral për të mbrojtur një padrejtësi kriminale, e cila nuk ështe hera e parë që ndodh dhe po përsëritet në forma edhe më kriminale çdo vit.
Çfarë do thotë autori i shkrimit i cili edhe detyrën partiake e bën në formën më të paturpshme banale, sikur nga të gjitha sa thashë më lart të provoheshin dhe të dilnin disa dhjetra fajtorë në majë të piramidës së policisë? Besoj se më pas do të ketë një përgjegjësi shumë të madhe, përpos asaj morale.
Cilido gazetar përfaqësues i pushtetit të ligjërimit duhet të ketë për detyrë mbrojtjen e së vërtetës. Kjo që unë po them duket si një slogan, aq shumë është deformuar shtypi në Shqipëri, sa pothuajse gazetarët e pavarur nuk ekzistojnë më. Ata janë kthyer në argatë të politikës dhe punojnë skllavërisht duke mbrojtur absurdin për t’u ushqyer dhe nuk lënë asnjë hapësirë për gazetarët e ndershëm dhe të talentuar. Për këtë kanë një investim goxha të madh nga televizionet private të cilët i investojnë nga mëngjesi në mesnatë për të vrarë fjalën e lirë.
Filozofia e Dostojevskit në romanin pasionant “Vëllezërit Karamazov” i përshtatet tërësisht rrugës ku ka hyrë shtypi ynë si një bashkëpunëtor i zellshëm në një politikë të gabuar. Romani është një dramë shpirtërore dhe betejë morale në lidhje me besimin, dyshimin dhe arsyen, një vepër që ka qenë e respektuar në të gjithë botën, nga intelektualë të ndryshëm si Sigmund Freud, Albert Einstein, Ludwig Wittgenstein, Martin Heidegger, Cormac McCarthy dhe Kurt Vonnegut dhe është cilësuar si një prej arritjeve të mëdha në letërsi.
Në romanin e tij, Dostojevski, duke dashur t’i referohet lirisë, në një pasazh të tij përmend se si… Krishti vjen pas 15 shekujsh, në një komunitet ku jetonte “Inkuizitori i madh”, i cili kishte ndërtuar një diktaturë shumë të egër. Inkuizitori i madh, ishte një burrë shumë i vjetër, në moshën 90-vjeçare, dhe gjëndur në mes të turmës vëren, që ishte vetë Krishti, ai që pretendonte të kishte sjellë lirinë. Me praninë e Inkuizitorit të madh, turma hapet dhe menjëherë ai urdhëron rojet, që Krishti të arrestohet. Mbasi Krishti arrestohet dhe futet në qeli, ndërmjet Inkuizitorit të madh dhe Krishtit lind një debat, në të cilin Inkuizitori i madh i thotë Krishtit se, lirinë që t’i mendon se i ke sjellë popullit, ata e morën dhe ma hodhën mua në këmbë dhe më thanë: “Na skllavëroni, por vetëm na ushqeni…”
Në këtë moçal do ta konsideroja që e kemi zhytur fjalën e lirë, shtypin e lirë, aq sa jemi gati të skllavërohemi dhe vetëm të ushqehemi…
©Arben Braçe












