Aktualitet

A po dekriminalizohet duhanpirja në hapësirat publike në Kosovë? - Nga Fazli Mazreku

Fazli Mazreku, London-Ontario

Të gjithë jemi dëshmitarë se ekziston një ligj në Kosovë, që rregullon dhe e ndalon pirjen e duhanit në hapësirat e mbyllura dhe të hapura publike dhe për shkeljen e dispozitave të këtij ligji janë paraparë sanksione. Megjithatë, nëse të rastis të frekuentosh kafe, restaurante, sallone dasmash, madje edhe disa institucione publike, vëren se duhani pihet pa asnjë pengesë, sikur të mos ishte rregulluar fare me ligj, si çështje shumë e rëndësishme për shëndetin publik.

Nëse ligji është në fuqi dhe ka inspektorë komunalë dhe inspektorë të ministrive respektive që janë të ngarkuar për zbatimin e ligjshmërisë dhe duhanpirësit nuk ndalohen se piri duhan, nuk ndëshkohen, madje as pronarët e lokaleve, atëherë shtrohet pyetja:

Cili është interesi i institucioneve publike që të mbyllin syte para një fenomeni që është i ndaluar me ligj?                                                                         

Faji nuk është jetim në këtë rast, sepse heshtja e institucioneve, që me vetëdije nuk kërkojnë zbatimin e ligjit, është dëshmia më e mirë se shteti ligjor nuk funksionon e as nuk vepron. Moszbatimi i ligjshmërisë nga institucionet përgjegjëse është barrierë dhe pengesë e rrugëtimit të Kosovës drejt integrimeve europiane dhe për këtë përgjegjësia bie mbi institucionet kombëtare të vendit.

Kur institucionet publike nuk reagojnë ndaj autorëve të kundërvajtjeve apo veprave penale, atëherë kjo do të thotë se, autoritetet publike nuk e konsiderojnë më si vepër ilegale apo vepër penale një çështje që me ligj është e ndëshkueshme. Ky është proces i dekriminalizimit të veprimeve të sanksionuara me ligj. Kjo zakonisht ndodh kur krijohen rrethana të reja që një veprim i ndëshkueshëm në të ardhmen të mos jetë vepër penale.

Në provincën e Ontarios (Kanada), para se të legalizohej përdorimi i marihuanës, policia nuk i ndiqte përdoruesit e vegjël të përdorimit të marihuanes, sepse kishte marrë sinjale nga qeveria për legalizim të përdorimit të saj në një të ardhme të afërt.

Gjendja ekzistuese me heshtje totale ndaj pirjes së duhanit në hapësirat publike a po tingëllon si paraproces i dekriminalizimit të duhanpirjes në hapësirat publike?

Nuk besoj se dikush do guxojë ta bëjë, kur mendoj se në krejt botën masat kundër pirjes së duhanit po ashpërsohen.

Heshtja e shtetit në zbatimin e ligjit është vetvrasje me dashje e vetë shtetit.

©Fazli Mazreku