Aktualitet

AMA injoron Unionin e Gazetarëve Shqiptarë

Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) Aleksandër Çipa tregon arsyet e braktisjes së takimit të organizuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) me drejtuesit e Komisionit Parlamentar Për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

“UGSH ishte njoftuar prej Autoritetit të Mediave Audiovizive për një takim me drejtues të organizatave të gazetarëve, drejtues të Komisionit Parlamentar për mediat si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve publike për të trajtuar çështjet shqetësuese që lidhen me informalitetin dhe problemet e marrëdhënieve të punës në media. 

Aleksandër Çipa-Kryetar i UGSH

Nga drejtuesit e Unionit ishte konfirmuar pjesëmarrja. Mirëpo, në axhendën e takimit të sotëm të organizuar prej AMA-s, ndërsa ishin renditur organizatat e vjetra dhe të reja, mungonte Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, organizata më e zëshme në komunitetin e gazetarëve profesionistë të vendit dhe më aktivja në mbrojtje dhe denoncim të situatës kritike në të cilën kalojnë sot gazetarët e vendit. Për këtë takim, zoti Çipa kishte përgatitur seriozisht një diskutim me sugjerime konkrete dhe kërkesa ligjore të argumentuara. Mirëpo, në këto kushte kur organizatorët e AMA nuk e konsiderojnë UGSH në agjendën zyrtare të takimit, shpërfillja e UGSH është e papranueshme-njofton zyra e shtypit e UGSH-së.

“Për këtë arsye po largohem. Me deklarimin e prerë se ne mendojmë se koha e konstatimeve ka kaluar. Raportime dhe denoncime kemi bërë e po bëjmë. Tani është koha e ndryshimit dhe shembjes së kësaj gjendjeje. Por në kushtet kur ju cënoni dhe shpërfillni aktorët më të rëndësishëm, kjo nuk vlen. Në kushtet kur ju keqpërdorni parimin e barazisë dhe abuzoni me meritën e përfaqësimit, unë po shkoj. Në emër të dinjitetit dhe detyrimit që kam për organizatën së cilës i përkas, po largohem. Diskutimin tim do ta publikoj pasi i besoj shprehjes “scripta manent”. Mirupafshim!”- përfundon deklarimi i kryetarit të UGSH-së, Aleksandër Çipa. 

 

Burimi: Zyra e shtypit UGSH