Koncert qeveritar në ditën e pensioneve të munguara - Nga Genc Mlloja

Bukur fort gjëmoi të martën më 6 shtator afër mesnatës, nga fishekzjarret festive pas koncertit të radhës marramendës qeveritar, Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, vendit më të varfër në Europë.
Ndërkohë, afër mesditës, pra para drekës së asaj dite, me mijëra pensionistë në Tiranë u larguan me duar bosh, të përzënë nga zyrat e shtetit, sepse arkat ishin pa asnjë kacidhe për t’u dhënë lëmoshën mujore. E kjo ndodhte pas tre ditë bllokim të çdo veprimi financiar për shkak pushimesh dhe 3, 4, 5 dhe 6 shtatori 2022, ishin ditët kur shteti u privoi edhe atë burim minimal jetik, mesatarisht 20.000 lekë në muaj, pjesës më të madhe të pensionistëve në Tiranë.
Askush nuk e di sa u ka kushtuar taksapagueseve tiranas e marta e 6 shtatorit koncertor, se milionat kanë kaluar nëpër llogaritë e “ustallarëve” të ushtruar në këtë zanat mafioz fitimprurës, por zor se ajo shumicë pensionistësh e familjet e tyre që po presin 7 shtatorin për të zëne radhën sërish tek kasat e shtetit, t’i jenë gëzuar fasadës së një vendi në mizerje. E aq mizerje është, saqë edhe një pjestar autoritar i këtij pushteti nuk duroi më 6 shtator, duke iu “lutur” në Kuvend ministres që ka qesen e parave, të zbulonte paketën anti-krizë, se është e paimagjinueshme, sipas tij, se si mbijetonte një çift pensionistësh, të cilët sëbashku marrin 22.000 lekë në këtë kohë krize.
©Genc Mlloja