Ta shëtisim Shqipërinë - Nga Edison Ypi
Ta shëtisim Shqipërinë. Pa aspirina, paracetamola, antidepresiva, se me të tilla prishet magjia. Dhe pa shami lotësh. Ku laget syri dhe hallakatet mendja, lotët fshihen si ka thënë Murgu, me duar.
Do shihni kodra të bukura dhe fusha të mbjella rrethuar nga korije si bizhu të jeshilta me të ikë mendja.
Do kaloni mes malesh të egër që do j’u kallin frikën këndshëm.
Do bëni foto mbi liqere të kaltra ku në muzg pasqyrohet Hëna.
Do flisni me fshatarë që do na tregojnë halle me ndërlikime të pabesueshme por të vërteta.
Do kuvendoni me vejusha veshur me të zeza që do j’u tregojnë për burrat e vrarë për hiç gjë me një mijë mënyra.
Do futeni në Kisha të vjetra me mure me myshk, rrethuar me qipariza dhe vorreza ku natën vërtiten fantazma.
Do hyni nëpër shtëpira ku, të përkulura me tabaka në dorë, gotën me dhallë do t’ua sjellin katundarka belkëputura që nënqeshin si Monaliza.
Do kuvendoni me pleq me sy të thellë dhe rrudha, veshur me xhaketa dhe kapele të vjetra, që nuk duan të dinë sa është ora, dita, data, viti.
Duke ikur e duke fshirë lotët me duar, do bindeni se udhëtimi nëpër Shqipëri, s’ka asgjë nga ngrënia, pirja, ngopja, por vetëm dehja.
Në Veri do shihni shqiptarë të egër dhe të hapur që e kanë po aq të lehtë t’ju vrasin në çast, sa edhe t’ju bëjnë mik për kokë.
Në Jug do jenë më të butë por më të mbyllur. Por edhe ata, për të njëjtat arësye të thella, ja do t’ju bëjnë mik për kokë në çast, ja do t’ju vrasin në vend.
Do kaloni nëpër fshatra të internuarish ku ende ka të rreckosur të shpërfytyruar shpresë humbur, jetët e shkatërruara të të cilëve vazhdojnë të rrotullohen e rrotullohen pafund nëpër spiralet e ngatërruara të fatit të tyre të zi më çmendurisht se gjethet e vjeshtës kur i merr era.
Në një lokal që quhet “Bar Kafe Hardhija”, do hani kos që pritet me thikë.
Mbi derën e një dyqani katundi që shet kripë dhe shapka, do shihni një copë letër mbi të cilën është shkruar; “Ofrojmë matje tensioni”.
Në Myzeqe do takoni një blegtor që rrit buallica qumështin e të cilave e çon e shet çdo ditë me aeroplan në Londër.
Nga Belshi, përmes Dumresë së magjishme, gjatë një rruge që të shpie në Kuçovë, që ju nuk e dini fare se ajo rrugë ekziston, do pimë kafe me disa të cilët kohën kur kanë bërë ushtrinë e kurvit e mbajnë për periudhën më të ndritur të jetës.
Në një vend të hatashëm plot liqere dhe lëndina, një fytyrëvrerosur mbi një Benz të madh, me zë rënkimtar do ankohet se bën disa biznese agroblegtorale dhe e mbajnë për më të pasurin, por në fakt është më i varfëri, se u ka miliona borxh bankave.
Duke kaluar pranë qyteteve, do shkriheni tue u qesh kur në ekranet e celularëve do j’u çfaqen WIFI me emra si “TofikuNet”, “HajdariCom”, “MuhametiMobile”.
Gjatë kësaj shetitjeje ju nuk do më thoni mua ule zërin. Unë do bëj si di. Shqiptarët do ti mahnis duke u thirrur me sa kam në kokë sepse unë të bërtiturën e kam ngritur në Art.
Pas kësaj shetitje, si gjithmonë, ju do flisni unë do bëj sikur s’kuptoj, ju do mburreni unë do hesht. Veç një gjë harrojeni; që ju të gënjeni, unë t’ju besoj.












