Vende & Zakone

Leku - Nga Edison Ypi

Leku ishte një e keqe e madhe e trashëguar nga e kaluara kriminale antipopullore me të pasur dhe të varfër, shfrytëzim të njeriut nga njeriu.

Leku refuzohej, përbuzej, urrehej.

Leku ishte sëmundje ngjitëse të cilës i duhej qëndruar larg.

Thoshin: Lekun, këtë mënxyrë e kolerë tashpërtash të paevitueshme, do ta durojmë edhe pak sa të ndërtojmë plotësisht rendin komunist, shoqërinë pa lekë. Marksi e thotë qartë se më mirë pak lekë se shumë lekë, derisa një ditë kur komunizmin ta kemi ndërtuar dhe luftën e klasave ta kemi mbaruar, leku nuk do na duhet, të gjithë do jemi pa asnjë lek. Do ta flakim pra lekun po ashtu si për të garantuar parehatinë e bythës do flakim të gjitha shpikjet djallëzore të rehatisë mikroborgjeze, kolltuqet, karriket, stolat, shalën e biçikletës.

Sa më tepër punë për sa më pak lekë, kjo ishte motoja e jetës, për këtë hungëritej nëpër muhabete, uluritej nëpër mbledhje, duartrokitej nëpër kongrese.

Për tejkalimin e planit, shpikjet, racionalizimet, dhe për një mijë e një marrina të tjera, nuk jepeshin "stimuj materialë", pra "ndonjë lek", por vetëm "stimuj moralë", domethënë asnjë lek.

"Lekët e popullit", nuk ekzistonin. Ekzistonte vetëm "Leku i popullit", pra vetëm 1 lek.

"E bëri për 1 lek", "mbeti pa 1 lek në xhep", "i dhënë pas lekut", s'kishte asnjë slogan dhe asgjë tjetër të shqiptuar, shkruar, vizatuar, gdhendur, filmuar, madje as të pëshpëritur, që të bënte fjalë për më tepër se 1 lek. Gjithçka vërtitej rreth 1 leku. Që mund ta shumëzoje, pjestoje, mblidhje, zbritje, ta ngrije në katror ose në kub, mund ta rrihje, ta merrje me të mirë, ta përkëdhelje, ta puthje, ta mbyllje me kyç, ta lije të livadhiste, ta hidhje në rrugë ose ta flakje në erë. Por ishte e kotë. Se Leku 1 se 1 mbetej. Nuk shtohej as nuk pakësohej, nuk zvogëlohej as nuk zmadhohej. Sa i urryer nëpër mbledhje, komitete, plenume, kongrese, aq dhe i dashur në fshehtësi, Leku, nuk ndryshonte, nuk bëhej kurrë 2, mbetej gjithmonë 1.

Pa përcaktuar se kush është populli, kush duhet të kursejë, pse duhet të kursejë dhe çfarë mund të kursehej në shkretëtirën bosh rrethuar me tela me gjëmba, sloganet propagandistike që lidheshin me 1 lekun fillonin nga veta e parë urdhërore "ta kursejmë lekun e popullit", për të mbaruar në një pavetore enigmatike "të kursehet leku i popullit".

Leku bëhej i ndryshëm nga 1 vetëm në një rast. Jo duke u dyfishuar ose shumfishuar, por duke u zvogëluar, duke u përgjysmuar. Kjo ndodhte kur për ndonjërin që e pushkatonin, me tre fjalë të vetme të një dendësie marramendëse që ngërthenin njëkohësisht gjithë tmerret e kohës; krimin, fshehtësinë, frikën, fukarallëkun, urinë, deri dhe kalibrin e pushkës, pëshpëritej diçka që kapërxente çdo përfytyrim: "hëngri gjysmën e lekut".

Dukej sikur leku nuk ishte monedhe apo kartmonedhë, por një person tepër i rrezikshëm, një serial killer i cili ndiqej këmba këmbës. Jo për tu kapur dhe për t'i dhënë të hante gjysmën e lekut si thoshte sentenca kriminale, por për tu mbajtur nën kontroll që të vriste jo më tepër dhe as më pak se duhej.

Gjeje belanë nëse gjatë kontrollit të gjendeshin 1 lek më pak ose 1 lek më tepër. Në rastin e parë quhej mungesë, defiçit. Në të dytin, tepricë, sufiçit. Edhe me mungesën edhe me tepricën e lekut, haje gjymën e lekut.

Në qëndër të Tiranës dhe qyteteve të tjera ishte "Këndi i sendeve të gjetura". Një lloj stende e mbuluar me xham dhe e kyçur, që tregonte një listë sendesh të gjetura, madje edhe vetë sendet, të cilat humbësi mund të vinte t'i merrte në Polici. Brenda kësaj sajese propagandistike veç sendeve kishte dhe lekë. Fqinjëria send-lek brenda asaj stende nuk të linte të dyshoje se sendi ishte po aq lek sa edhe leku send, dhe si të tilla, leku për të blerë dhe sendi për tu përdorur, ishin të dy njësoj të urryer. Këndi i sendeve të gjetura nuk pati jetë të gjatë. Ndoshta sepse ku dhe kur askush s'kishte çfarë të humbte dhe rrjedhimisht askush s'kishte çfarë të gjente, e aq më pak ta dorëzonte, e gjitha rezultonte një gënjeshtër tepër e madhe.

Në kushtet e pamundësisë për të pasur lekun, po ashtu si kur nuk ke asgjë ke qef të ëndërrosh, jo rrallë flitej për vëllain e madh të lekut, superlekun, floririn.

Floriri u lypsej për të blerë në Perëndim, pranga, përgjuesa, mjete torture, armë të sofistikuara, ilaçe për vete.

Me Lindjen veprohej ndryshe. Me Lindjen as flori, as lek, këmbim në natyrë. Quhej "klering". Na mineral, mollë, fiq, dardha, nepmë kamiona, shina, shapka, biçikleta.

Çfarë nuk bënin për pak flori. Sipas thashethemeve që i përhapte sigurimi, nëntoka më e pasur e planetit, nëntoka shqiptare, kishte flori pa hesap. Në Rubik kontrollonin edhe grimcën e fundit të bakrit. Çërrava si Alaska. Nëpër rrjedha përrenjsh ngrinin impiante të shoshitjes së zhavorrit për të kapur grimcat e verdha.

Të mos kesh lekë dhe të kesh flori, kjo lloj përralle i bënte rreckamanët të fërgëllonin nga kënaqësia, të hidheshin përpjetë nga lumturia.

Floriri i thashethemeve të sigurimit ndodhej më së shumti në Mirditë i përzierë me mineralin e bakrit.

Pranë Mirditës në Milot bëhet kontrabandë floriri. Nga Konispoli në Vermosh vinin fukarenjtë që e hanin gënjeshtrën kush me një unazë të gjyshes e kush me një byzylyk të hallës për ta këmbyer për 1 lek në Milot. Në Milot i priste policia që ua merrte byzylykët e floririt e u hidhte byzylykët e hekurit, prangat, dhe i rraste në ndonjërin nga burgjet aty rrotull.

Dita e rrogës, ose si pëshpëritej me frikë "Dita e Shën Lekut", ishte ditë e një euforie fërgëlluese gjysëm të fshehur. Pasi merrnin rrogëzën, zhulsat u vërsuleshin "klubeve", ca barakave të qelbëta ku të merrej fryma.

Mungesa e lekut kishte nxjerrë nga përdorimi bartësin e tij, portofolin. Kartmonedhat e rreckosura dhe të fëlliqura mbaheshin shuk në xhep. Jo rrallë edhe në gojë.

Një e dy e "Lekun nuk e ha as qeni" dhe "Qen i lekut". Pra më i miri ishte qibari qeni që nuk hante as lekun. Pastaj vinte leku të cilin nuk e hante as qeni. Më i keqi i të këqinjve, më i poshtri i të poshtërve, më i ziu i të zinjve, ai aq i rrezikshmi sa duhej të hante gjysmën e lekut, qe ai, i vetmi krim i të cilit ishte se donte të punonte dhe sakrifikonte për të pasur ndonjë lek.