Vende & Zakone

Lluci dhe llumi - Nga Bamir Bebeziqi

Llucin e njoh herët e besoj shumë durrsakë, bashkëmoshatarë të mi e kujtojnë. Më kujtohet kur mbushej pjesa e Brrylit para ish-Nish Kimikes me lluc, nga gërryerjet e basenit të Portit. Kujtoj nje tub të gjatë, që fillonte diku nga Kantieri e vazhdonte përgjatë rrugës para bankës. Vazhdonte edhe tek muri pas lulishtes së Vollgës e ne femijë hipnim sipër tubit, vraponim e nuk rrëzoheshim.

Më vonë, me lluc filluan të mbushnin bregdetin, për të zgjerur Kantierin tek Agipi, siç i thonim. Na pëlqente lluci e na pëlqente të shtriheshim në të, të zhyteshim në të e të bëheshim krejt në ngjyrë lluci. Ashtu siç ishim, i fusnim një të zhytur në det, në krahun tjetër të gurëve e lluci pastrohej e më pas fillonim përsëri ritualin.

Të zhyteshe në lluc ishte një nga kenaqësite e fëmijërise sonë e sot kur e kujtoj, më vjen për të qeshur. Atë lojën tonë natyrore, sot e kanë "vjedhur" edhe disa spektakle televizive, ku disa vajza të bukura e muskuloze, veshur me kostum banjo, bëjne mundje në një lloj arene mbushur me një si masë xhelatinoze dhe në fund të ndeshjes, vajzat nuk dallohen se çfarë janë, femra të gjalla, apo statuja.

Sot nuk ka më lluc, nuk ka më as femijë që luajnë në lluc, pasi fëmijët kanë shumë gjëra të tjera per t’u argëtuar, por ne sot kemi me shumicë llum. Llum që po mbush pak nga pak çdo hapësirë e po perpiqet të na marrë frymën.

Llumi nuk është si lluci. Llumi në përbërjen e tij i ka të gjitha. Ka edhe llucin, por ka edhe shumë gjëra të tjera, që secilit i shkon në mend e nuk dua të ndyj fjalorin tim. Llumin sot e gjen kudo, në rrugë, në plazh, në restorant, në avion, në stadium. E gjen edhe lart, shumë lart, tek njerëz që kanë fuqi të ndryshojnë edhe jetën tonë. Por, nëse llucin, ne fëmijët e kishim si argëtim në verë e gjenim mundësine per t’u pastruar, llumit është shumë e veshtirë t’i gjesh sapunin. Ai të ngjitet në trup e nuk të shqitet. Kësisoj, nuk të mbetet gjë tjetër, veçse t’i bësh vend në veten tënde e të jetosh bashkë me të.

Në shoqërinë kapitaliste ku jetojmë, janë gjithmonë dy palë, dy forca, dy trupa, dy ushtri, që luftojnë gjithmonë me njëra tjetrën e që janë... njëra që kërkon të marrë më shumë, duke të dhënë më pak, e tjetra që kërkon të bëjë më pak, e të marrë më shumë. Kjo është një luftë e ashtu siç e njoh unë historinë, ka për të vazhduar përjetë. Vetëm se shoqeria sotshme e ka gjetur zgjidhjen, që këto dy forca, apo dy pale, mos të përplasen ashpërsisht e të amortizojnë goditjet. Për këtë i ka kërkuar ndihmë atij që quhet llum, që zbut goditjet, por në krahun tjetër, për të keqen tonë, të infekton me mikrobet e tij, me sëmundjet e tij, me pisllëkun e tij.

Llumi njerëzor është i shumëllojshem. Ka llum me kollare e me kostum të shtrenjtë. Llum me emra të bukur; politikanë, gjykatës, prokurorë, ndërmjetës, apo ruajtës te rendit. Ka edhe llum pa kollare. Ata janë tipa me qafa të trasha, me kokën tulse. Ata gjithë kohën na paraqiten nëpër tavolina, ku hanë e pine e nuk kanë të ngopur, me zinxhirë të trashë floriri, me orë e celularë. Jashtë i presin disa vetura të shtrenjta. Tipa që në jetë nuk kanë bërë ndonjë punë të ndershme, por dinë vetëm si të trazojnë llumin, si të vozisin në të, si të flenë në të, si të dashurojnë në të, si të hanë në të e si të vdesin në të.

Llumi njerëzor, nuk pyet per gjini, mund të jetë qoftë mashkullor, qoftë femëror. Këta tipa “llumista” (po përdor një fjalë të re timen), i gjen nëpër botë, bile edhe në botën më demokratike, por janë me pakicë. Për fatin tonë të keq, në atdheun tonë janë bërë shumë dhe i dëgjojmë çdo ditë bëmat e tyre.

Kam një neveri natyrore për llumin, jo për llucin. Kam neveri për ata njerëz, sidomos ata të cilët janë me pushtet e kanë në dorë fate njerëzish, të cilët pozojnë me llumistë, ulen në tavolinë me llumistë, shkëmbejnë autografe e telefonata me llumistë, bëjnë shëtitje me skaf me llumistë, mbrojnë llumistë, apo argëtohen me llumistë.

Shoqëria shqiptare do të shpëtojë nga llumi vetëm kur të gjithë sëbashku të distancohemi prej tij, të mos pranojmë shoqërine e tij, të ndërpresim bashkëpunimin me të, pasi sëmundjet që ai mbart, janë vdekjeprurëse.

©Bamir Bebeziqi