Vende & Zakone

Zavalina pi - Nga Edison Ypi

Edison Ypi

Zavalina ndodhet në mes të kurrkundit. Zavalina është fshati më i bukur i botës. Në Zavalinë mund të shkosh nga Gjinari duke zbritur, ose nga Gramshi duke u ngjitur.

Duke zbritur a duke u ngjitur, çdo herë që arrin në Zavalinë, të gjithë janë duke pirë, të gjithë i gjen të dehur. Bujku dhe blegtori i Zavalinës pijnë sepse s'dinë nga t'ia mbajnë.

Me i shit produktet bujqësore blegtorale në Gjinar, për shkak të afërsisë me Elbasanin ku tregu është i madh, çmimi është i lartë, por halli rruga është e përpjetë.

Për me i shit ato produkte në Gramsh, rruga është e tatëpjetë, por halli se Gramshi është treg i vogël, dhe çmimi është i ulët.

Prerësi i pyllit pa leje ia ka fut me raki për të hequr frikën se një ditë do ta kapin duke bërë krim dhe do ta rrasin në burg.

Një të ri e ka hedhur në krahët e avujve të rakisë konstatimi cfilitës se në një vend kaq të bukur sa Zavalina mami dhe babi nuk e bënë bilbil gjyzar të këndonte duke fluturuar nëpër qiej, por njeri që duhet të punojë tokën dhe kullosë bagëtinë.

Një mesoburrë pi nga mahnitja që i shkakton një fakt historik. Procesi i islamizimit nisur me pushtimin turk, në Zavalinë ende nuk ka mbaruar. Prandaj gjysmën e banorëve të Zavalinës e quajnë "Mark", gjysmën tjetër "Hasan". Për këtë arsye, e gjithë Zavalina në kishë, e gjithë Zavalina në xhami, të gjithë Zavalinasit në pijetore.

Besimtari kristian rrëkëllen raki nga inati që xhamia i duket më e madhe se kisha. Muslimani nga zilia që kisha i duket më e bukur se xhamia.

Fanatikët politikë pijnë sepse gjatë fushatave elektorale asnjë parti nuk vjen ta asfaltojë rrugën.

Zavalinasit që ëndërrojnë të bëjnë biznes ia kanë rras me të pime në pritje derisa paret për të ngritur ferma dhe baxho të bien nga qielli ose t'i sjellë era nga Sulova.

Ka edhe zavalinas që pijnë nga keqardhja për luftrat në Lindjen e Mesme, dyndjet migratore nga vendet e varfëra drejt vendeve të pasura, terrorizmi që kërcënon qytetërimin.

Një numër edhe më të madh zavalinasish, në krahët e rakisë i ka hedhur meraku për Reformën në Drejtësi. Kujt do ia fusin hellin, cilit do ia rrjepin lëkurën, kujt do ia pjekin mishin në prush?

Askush nuk është esëll në Zavalinë. Në Zavalinë të gjithë janë të dehur. Në Zavalinë të gjithë pinë që të mos çmenden.

©Edison Ypi