Vende & Zakone

“Blloku” ose një guidë mendimi për lagjen më të famshme të Tiranës - Nga Kastriot Fetahu

Kastriot Fetahu - Chicago

Mbrëmjen e fundit në Tiranë, u ulëm për një birrë tek cepi në kryqëzimin e rrugëve "Sami Frashëri" me "Ismail Qemali", në lokalin që më parë quhej "Çadra".

-Këtë nuk do e gjesh dot, kudo që të shkosh-, më tha miku im.

Buzëqesha me idenë për të mos e diskutuar si çështje, duke folur për gjëra të tjera derisa u larguam nga lokali.

Në mëngjesin e udhëtimit për në USA, nuk ia ndava dot sytë “Bllokut”, derisa nuk munda ta shikoja më tej.

Rruga nga “Blloku” e deri në Rinas, ishte vetëm heshtje dhe mendime në "luftë", se kush do kishte rradhën të kalonte në mëndjen time....

“Blloku”, mendoja, lagja me stilin më të veçantë në botë.

“Blloku”, lagjia ku gjen, që nga pinjollë të ish-nomenklaturës së lartë të diktaturës e deri tek pinjollë të ish-ministrave të Mbretit Zog.

“Blloku”, atje ku jetojnë ministra e politikanë të demokracisë e deri tek njerëz të thjeshtë, që kanë shërbyer dikur për ministrat dhe krerët e lartë të diktaturës.

“Blloku”, ku gjen familje dinjitoze e deri tek ato që janë me urdhër mbrojtje nga gjykata.

“Blloku”, ku jeton Kadare, e deri tek femijët që ëndërojnë të bëhen shkrimtarë.

“Blloku”, ku gjen shkencëtarë dhe profesorë e deri tek studentë që shtyjnë provimet vit pas viti.

“Blloku” i shkollës "Edith Durham" dhe deri tek ato kurset e gjuhës së huaj, të cilat zhvillohen me shpresën për të mësuar, që të rinjtë të jenë gati për aventurën "emigrim".

“Blloku”, atje ku krahas biznesmenëve zengjinë të rinj shqiptarë ka dhe nga ata që shesin paketa e fara luledielli trotuareve të tij.

“Blloku”, ku jetojnë diplomatë vëndas dhe të huaj e deri tek shkrimtarë, artistë e bejtexhinj rrugësh.

“Blloku”, ku gjen bankierë e deri tek ushtarakë që jetojnë jo si ushtarakë!

“Blloku”, lagja ku gjen gjyqtarët e rëndësishëm e deri tek avokatët që shikojnë ëndrra magjistrature edhe pse me të keq e mbyllin muajin.

“Blloku”, ku muzika nuk mbaron e deri tek ëndrimtarët e gjumit normal.

“Blloku”, ku inxhinierët duken gjithmonë seriozë dhe ku seriozët nuk janë të gjithë inxhinierë.

“Blloku”, lagja ku gjen doktorë nga më të mirët e deri tek kasapë më të rëndësishëm nga doktorët.

“Blloku”, ku kalojnë më shumë të ashtuquajtur VIP-a shqiptarë në rrugët e tij, sesa njerëz të panjohur.

“Blloku”, ku dëgjon Bet'hovenin e deri tek tallavaja e Mandit të NISH-Tullës.

“Blloku”, aty ku gjen "gangsterë jaranë", që ëndërojnë goca të bukura e deri tek studente që shpresojnë për princin e tyre të kaltër.

“Blloku”, ku gjen vajzat më të mira të investuara në arsimim e siç botohet në media hera herës, mund të gjesh edhe femra eskorta të punësuara në biznese që ndodhen në “Bllok”, ose jo.

“Blloku”, atje ku kalojnë makinat e tipit të fundit e deri tek biçikleta personale me disqe të shtrembëruar.

“Blloku”, ku gjen shtëpi të rrënuara me çmim 1500 euro/m2 e deri tek ato luks, me çmim 4000 euro/m2.

“Blloku” i “Librit universitar” e deri tek bukinistë me "thesare", buzë trotuaresh.

“Blloku”, aty ku gjen butikë me mallra firmato e deri tek ato që kanë mallra me stema të tilla dhe çmime jo "firmato".

“Blloku”, ku gjen markete me prodhime bio e deri tek dyqane me prodhime "Made in Lushnja".

“Blloku”, ku ekziston bageti francez e deri tek ajo furra ku shkon pa pyetur se me çfarë mielli e bën bukën.

“Blloku”, atje ku gjen CONAD-in e deri tek ai “marketi” në cep të pallatit, ku shitësi rri tek dera në pritje.

“Blloku”, ku janë bankat kryesore të Tiranës e deri tek kompani fantazma që fantazojnë të bëhen banka.

“Blloku”, ku gjen "GRAND"-in e deri tek ajo qofteria ku hanë "të rënët e përhershëm, e të rënët ditorë nga vakti".

“Blloku”, lagja ku gjen "Berlinin” dhe “Erën" e deri tek trattoria me "elektoratin" e saj.

“Blloku”, ku është L.S.I. e deri ku gjen edhe pastarinë.

“Blloku”, aty ku kemi “Chocolatino”-n e deri tek birra me krikëll vendi, për ata që nuk "ngjiten dot më lart"!

“Blloku”, ku gjen minibashkinë e deri tek zyrat e B.E. dhe OJF që kryesojnë larminë e zyrave legale e jo legale atje.

“Blloku”, atje ku është "Quo Vadis" e deri ku gjen edhe "Muhamet Ali".

“Blloku”, ku gjen "shqiponjën" e deri tek blloku "salamandër e kameleon".

“Blloku”, lagja ku shpaloset krenaria e banorëve të saj e deri tek vizitorët që nuk harrojnë të pyesin për vilën nr. 31.

“Blloku”, aty ku të gjithë kalojmë dhe shumë prej nesh psherëtijnë për pamundësinë.

“Blloku”, lagja e cila kudo që ta kërkoj në botë, nuk mund ta gjej dot realisht, madje as edhe një "sozi fotokopje bardhezi" të asaj lagjeje.

“Blloku”, lagja më e urryer dhe më e dashur e Tiranës.

“Blloku”, "Manhattan" i Tiranës.

“Blloku”, ëndrra e shqiptarëve.

“Blloku”, zëmra e vëndit tim.

Sa shumë mall edhe për “Bllokun”!

Chicago, 22 Gusht 2020

©Kastriot Fetahu