Vende & Zakone

Qendra Botërore e Amerikanologjisë në Tiranë

Pas një përzgjedhjeje rigoroze me aplikim, së shpejti në Tiranë do krijohet një institut i ri kërkimor dhe studimor, me financime nga shumë burime me prejardhje nga qendrat më të fuqishme vendimmarrëse të planetit. Instituti do të quhet Qendra Botërore e Amerikanologjisë. Shqipëria u përzgjodh si vendi me përqindje më të lartë amerikanologësh për frymë popullsie dhe aleati më besnik i të gjitha kohërave i kombit amerikan.

Deri tani janë paraqitur dy kandidatura për postin e drejtorit: avokati me reputacion të pakontestueshëm dhe rekordmen i humbjes së gjyqeve Spartak Ngjelson dhe nje ish-deputet i afirmuar si ekspert i teorive konspirative. I pakonfirmuar ende është lajmi nëse për këtë post do të konkurojë apo jo edhe Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, i cili është në pritje të rezultatit të 25 Prillit për të vendosur ç'do bëjë me karrierën e tij. Godina ku mund të vendoset Qendra Botërore e Amerikanologjisë përflitet që do të jetë ose Piramida ose Vila 31 në Bllok.

Nga projektet e para që do financohen janë studimet "Origjina shqiptare e disa presidentëve të SHBA", "Manuali i veprimit dhe sjelljes së ambasadorit të SHBA sipas eksperiencës shqiptare", "Paralele dhe kundërshti mes marrëdhënieve amerikano-ruso-kineze dhe atyre shqiptaro-ruso-kineze nën optikën e Rendit të Ri Botëror", "Ku ngjasojnë Barack Obama me Erion Veliajn dhe ku ndryshojnë George Soros, Bill Gates dhe Samir Mane", "Larry King dhe Blendi Fevziu, një jetë kushtuar ekranit" si dhe "SHBA dhe Turqia, Shqipëria në mes". Do ketë gjithashtu programe Master Shkencor në Amerikanologji dhe PhD në Amerikanologji.

Qendra Botërore e Amerikanologjisë gjithashtu do ndajë çdo vit çmimin "Amerikanologu i vitit", një herë në dhjetë vjet "Amerikanologu i Dekadës" dhe një herë në njëqind vjet "Amerikanologu i Shekullit".

©Flasshqip.ca