Vende & Zakone

Vdekja e diktatorit - Nga Bamir Bebeziqi

Bamir Bebeziqi - Georgetown, Ontario

"Mëngjesin e 11 Prillit të vitit 1985, kur morëm vesh se “Dulla” vdiq, profesor Emili qëlloi të ishte në klasën time. Hyri për të dhënë leksion, dhe aty mori vesh ç’kishte ngjarë. Syve pyetës të tij iu përgjigj Armand Bebeziqi, i cili u çua nga bankat e fundit, ku rrinte bashkë me pesë djem të tjerë (mes të cilëve dhe unë), iu afrua profesorit me gojën tek veshi, dhe i pëshpëriti me një konfidencialitet, që në ato çaste ishte krejt e udhës të merrej për provokim: ka vdekur diktatori, sir. Profesori kafshoi instiktivisht buzën e poshtme. U gjet i papërgatitur për të dëgjuar një lajm të tillë. Doli jashtë, dhe u kthye pas pak me maskën e dhembjes në fytyrë. Nuk e fshihte se donte të na shihte me pamje të pikëlluar atje në bankat e fundit të klasës, teksa në bankat e para kishin plasur të qarat e disa vajzave. Kur një komunist i rëndësishëm i dërguar nga organizata-bazë e fakultetit hyri në klasë e zuri të na fliste me tone melodramatike mbi ngjarjen, profesor Emili bënte çmos të bëhej njësh me mjedisin e përzishëm. Ne të bankave të fundit e pikasnim këtë mundim të tijin, dhe na vinte për të qeshur. Ai hidhte sytë nga ne, tmerrohej nga pamja e shtendosur e portreteve tona, dhe me gjuhën e muskujve të fytyrës së vet përpiqej të na thoshte: “Ju përgjërohem, bëhuni pakëz shtinjakë! Bëni sikur ju bëjnë pak përshtypje këta njerëz që qajnë, ta hajë dreqi!”

***

Shkëputa këtë paragraf nga një libër i Mustafa Nanos, shokut tim të kursit në universitet. Ka disa pasaktësira, pasi ai është përpjekur ta bëjë pak më letrare ngjarjen, ndërsa unë po përpiqem të tregoj më në hollësi, në formë ditari, atë kohë të paharrueshme.

-Nëntor 1984

Në hapjen e Spartakiadës Kombëtare, në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, udhëheqësi i madh u shfaq shumë i lodhur dhe i plakur. Diçka po ndodhte me shëndetin e tij.

-Dhjetor 1984

Si student i vitit të fundit, pa shumë kokëçarje për leksionet e seminarët shpesh e gjeja veten tek “Rruga Elbasanit” në fillimin e saj. Takohesha me çunin e tezes sime, Pllumin, siç e thirrnin tironcit e hershëm. Pllumi kishte një shoqe e cila punonte infermiere në "Bllok" e në një nga ato ditë me thotë: “Po presim dita ditës se i ka ditët e numëruara.” Shkoja çdo ditë të merrja ndonjë lajm, por s’kaloi shumë, Pllumi nuk kishte ç’të tregonte. Me sa kuptohej, ai ia kishte hedhur edhe asaj rradhe. Kaluan muajt një nga një.

-11 Prill 1985

Ditë e bukur me diell. Dal nga konvikti dhe kudo dëgjohej veç muzikë funebër. Një atmosferë e zymtë mbulonte Tiranën, megjithëse ishte nje ditë e bukur pranvere. Diçka ndjeva dhe mendja më shkoi tek Pllumi.

“Me siguri diçka do të ketë ndodhur! Ndoshta Ay!” mendova me vete.

Gjatë rrugës për në korpusin kryesor seç me erdhi një lloj ngazëllimi, që shoqërohej me një shprehje të qeshur të fytyrës.

Tek shkallët e korpusit takoj Gim Kamamin, shokun tim të kursit, me të cili kalonim orët e leksionit, në bankën e fundit e më shumë bënim muhabet se dëgjonim leksione. Gimi kishte veshur pallton e gjatë gri që e mbulonte të gjithin e unë i hedh dorën në qafë e duke ecur si të dehur, qafë për qafë, hipnim shkallët e qeshnim kot, pa kuptim.

Nëpër shkallë, profesor A. na shikon me habi e s’kalon shumë në sallon, pak para se të hynim në klasë, njëra nga vajzat e kursit, dukë parë të qeshurën tonë na thotë me ton, duke i dhënë fytyrës një shprehje dhëmbshurie e gati sa s’qante:

“Sot e keni gjetur ditën të gëzoni ju të dy!!"

 “Gimo, po kjo ç’pati?” i drejtohem shokut tim.

Gimi me përgjigjet me të njëjtën shprehje habie në fytyrë.

***

Orën e pare kishim seminar në “Materializëm Historik”, seminari i fundit, pasi ishte java e fundit e shkollës. Ishim fare të papërgatitur e menduam se meqë një ngjarje e rëndë ka ndodhur me siguri nuk do të bënim seminar. Profesor Gjergj Sinani hyri në klasë, ulet në vendin e tij e nuk po donte të fillonte seminarin.

“Do të presim pak se një i deleguar, do të na japë një mesazh të rëndësishëm,” na thotë.

Tashmë çdo gjë ishte kuptuar. Ay e kishte thyer qafën, por klasa ishte ndarë në dysh. Disa ishin të pezmatuar e disa nuk e fshehnin dot gëzimin. Punë dreqi, akoma nuk e kuptoj se përsë duhej të pezmatohej njëra pjesë. Të ishe student i elektronikës, me një shkallë të mjaftueshme të inteligjencës e të ngashëreheshe për diktatorin, më dukej krejt absurde.

S’kaloi shumë e vjen ne klasë profesor Reiz Çani. Ishte sekretar i partisë në katedrën e elektrikes e na jep lajmin, që ne me mend e kishim kuptuar të gjithë. Mbaroi fjalën e tij me shumë trishtim e na thotë se në oren 12 do të mblidhemi tek salla e madhe e universitetit ku do informoheshim për më shumë. Pasi iku profesor Reizi, profesor Gjergji na thotë se nuk do bëjmë mësim e ne aq deshëm, dolëm të gjithë çunat e u ulëm mbi bar, në krah të korpusit kryesor.

Harrova, bashkë me Genc Hamzaraj e Qemal Stanën, shkuam të blenim nga një paketë “Partizani”. Unë që s’kisha blerë paketë kurrë në jetë i them Gencit:

“Genci, gojën vetëm me cigare mund ta mbyll.”

U ulëm mbi bar e pinim cigare pa pushim.

Genci filloi të ëndërronte se çdo të bëhëj më pas. Filloi të mendonte për udhëheqësin e ri.

Çudi! Sa kishte ikur njëri e mendonim për tjetrin.

Ora 12 na gjeti ne sallën e madhe të mbledhjeve. Aty në mes të turmës qëllova me Diana Dedejn, shoqen e klasës.

U ulëm bashkë e shikoja që Diana, nuk e vriste fort mendjen, nuk ishte si ajo shoqja tjetër e cila qante pa pushim.

Qe t’i jepja një shprehje pikëllimi fytyrës, vendosa dy duart tek temblat e ula pak kokën. E përmenda këtë çast, pasi në lajmet e mbrëmjes, TV kombëtar ndaloi kamerën për një çast tek unë me kokë të ulur, me siguri me diçiturën “Studentët e pikëlluar nga humbja e madhe.”

Pasdite marr trenin e drejt në shtëpi.

Gjejë nënën e tim atë, të lidhur pas TV e shikonin lajmet.

Im atë sa më shikon më jep urdhërin: “Shko e qethu, se je bërë si gagarel!” Nuk kisha si ta kundërshtoja e u nisa tek berberhania në bulevard. Pres pak rradhën e ulem për t’u qethur. Berberët për çudi të gjithë të qeshur, i hidhnin rromuze njëri tjetrit.

***

Të nesërmen me trenin orës 9 pa një çerek nisem për në Tiranë. Isha bashkë më tezen time, e cila kishte ardhur të takonte nënën e vet e ulemi në një sedilje katërshe. Përballë kishim një çift të vjetër. Kishin ardhur nga larg. Plaka ma napë të zezë në kokë, dukej si anetë e Gjirokastrës. Gjithë rrugës burrë e grua vetëm qanin me dënesë. Unë me tezen shikonim njeri tjetrin në sy. Në Kashar, plaka nxori nga një torbe një diçka të mbledhur me shami. E hapi dhe nxorri disa çapa buke me disa thërrime djathi. Filluan të hanin bashkë me plakun me ngadalë e lotët vazhdonin t’i rridhnin çurk.

“Për çfarë qani o njërëz të shkretë! Për kotheret e bukës me thërrimet e djathit!” doja t’u thoja.

Në Tiranë kishin filluar homazhet. Rradha e gjatë e njerëzve që donin të përshëndeteshin me udhëheqësin e madh fillonte diku tek Hotel Dajti e vazhdonte deri tek Presidenca ku gjendej i shtrirë, trupi i tij.

As nuk e mora mundimin të shkoja për homazhe. Nuk më tundonte fare fakti i humbjes se Atij.

***

E Hënë 15 Prill

Nisemi për në Tiranë me trenin e parë. Në Tiranë binte një shi i imët. Me Ben Myshketën ndaluam tek Hotel “Peza” e pimë nga një kafe në këmbë. Në orën 11 do të fillonte ceremonia e varrimit.

Kam qenë tek ura e Lanës kur kaloi funerali e më pas me dhjetëra njerëz e shoqeronin me kurora nëpër duar. Tek bartësit e kurorave, ishin përpjekur të gjenin njerëzit më të besuar. Midis kurorambajtësëve më kapi syri tre studentë durrsakë, të cilët ecnin të pikëlluar e ashtu lagur prej shiut, pamja e tyre bëhëj me prekësë. Ishin E. H., V. A. dhe A. XH.

Të tre pas disa vitesh, me ardhjen e demokracisë u bënë njëri sekretar ministrie, njëri hipi shkallët e drejtësisë e tjetri biznesmen i madh. Nuk e mbanin kot kurorën ata.

Tek turma që ishte rreshtuar anes rrugës, më kapi syrin një vajzë me sy të mëdhej, e cila qante pa pushim. Më vonë ajo vajzë, u bë shumë e dëgjuar.

Ashtu kaluan ato ditë, ashtu kaluan 36 vjet e unë nuk mundem t’i harroj.

©Bamir Bebeziqi