Ura e Mbretit Zog - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla
Kujt nuk i ka bërë përshtypje, kur udhëton në “Rrugën e Kombit” përgjatë lumit Mat, ura madhështore me harqe, që koha e pagëzoi me emrin e Mbretit Zog. Ajo u përurua si sot 94 vjet më pare, në 26 Maj 1927. U projektua nga inxhinieri zviceran, 30 vjeçari Erwin Schnitter dhe ishte investimi më i madh publik i Ministrisë së Punëve Botore të drejtuar nga ish studenti i “Robert College” të Stambollit, Musa Juka.
Ura, siç e shihni edhe në foto, është rreth 500 m e gjatë, e ndërtuar me 6 harqe, secili 54 m i gjatë. Është një konstruksion solid beton-armeje që i ka rezistuar me sukses për afro një shekulli vërshimeve të lumit të rëmbyeshëm të Matit. Për kohën konsiderohej nga urat më të bukura të Ballkanit.
Gara për ndërtimin e saj u bë me tendër të hapur dhe fituese u shpall firma italiane Mazorana & Co, nën supervizimin e skrupulozit beratas Milto Tutulani. Vepra u ndërtua brenda një viti.
Është interesant fakti se inxhinieri zviceran Schnitter, në vitet kur ka qenë në Shqipëri, 1925-1928, ka mbajtur ditar kujtimesh, ku midis të tjerash shkruan:
“Në Shqipëri ish formësuar një grup personalitetesh me vullnet të fortë dhe të pajisur me një mendje të vendosur për mëkembjen e vendit të tyre, që posa kishte fituar pavaresinë nga zgjedha e huaj. Ky grup kryesohej nga Mbreti Zog dhe Musa Juka, në cilësinë e Ministrit të Punëve Botore, ishte njëri prej bashkëpunëtorëve të afërt të tij. Ata ishin të vetëdijshëm për punët e medha që i prisnin në një vend që posa po dilte nga Mesjeta”.












