Nostalgjia e Tiranës së vjetër: Kafe “Kursal” - Nga Saimir Kadiu

Saimir Kadiu
Kafe “Kursal” është një nga kafet më të famshme të Tiranës së dikurshme që edhe sot nuk konkurohet. Godina e kafe “Kursal” që u ndërtua në fundvitet ’20, ishte një ndërtesë njëkatëshe, me dy kulla të stilit japonez në pjesën perëndimore.
Lokali frekuentohej kryesisht nga elita e kohës, politikanë, ministra, deputetë, intelektualë por edhe personel i huaj, i akredituar në kryeqytet, si dhe tregëtarë, vendas dhe të huaj.
Në mjediset e brendshme dhe të jashtme nuk servirej vetëm kafe, por gjithçka, pasi në “Kursal” gjendeshin të gjitha pijet e Europës, nga shampanja, vera, uzoja, birra, lloje të ndryshme të likereve të eksportuara, por edhe pije shqiptare, kryesisht raki, birrë si dhe ëmbëlsira.
Në vitin 1938, në kafe “Kursal” u hap një sallon i veçantë për shkollë danci nga prof. Stathi dhe në mjediset e tij janë hapur ekspozita pikture të artistëve shqiptarë, si A. Buza, K. Kodheli etj.
Kafe “Kursal” ishte e njohur edhe si lokali i parë i Bixhozit legal në kryeqytet.
E vendosur aty ku kryqëzohen rrugët e Durrësit dhe Kavajës, kur ecën drejt sheshit Skënderbej, shumë pranë ish-Parlamentit të para luftës (sot Teatri i Kukullave), Bankës Kombëtare, ish-Bashkisë (sot e rrafshuar) dhe kompleksit të Ministrive të porsa ndërtuara të Mbretërisë, ajo ishte një ishull evropian, si përsa i përket arkitekturës së veçantë në llojin e vet, arredimit mbresëlënës të ambienteve, por veçanërisht shërbimit të kulturuar, që i krijonin vizitorit të huaj përshtypjen se ndodhej në vendin e vet.
Bedri Alimehmeti, gazetari dhe shkrimtari i njohur tiranas, ka një poezi të bukur:
“Tirana, natë 1964”
Bar-pastiçeri “Rinia” ish “Kursal”
Për ne krejtësisht një tjetër botë
Stacioni fundit, dy orë pasi kemi dalë
Presim darkën me teke fërneti në gotë.
Tavolina e fundit, sapo hyn djathtas
Aty mblidhemi derisa mbërrin çasti
Kur Alfons Balliçit kitara duarsh t’i plasë
Dhe Bahirit nga buzët t’i fluturojë saksi.










