Një monument për babain - Nga Agim Xhafka
Një monument për babain kushdo e ka ngritur në mendjen e tij. Ashtu truplartë, me shikimin larg, me sytë e butë, me një të qeshur modeste. Figurë e mbushur me virtyte, aq shumë virtyte sa ia kalon atyre ushtarakëve të Luftës Botërore që mbushnin dy gjokset me dekorata.
Por unë monumentin e atit tim doja ta ngrija bash te agjencia e autobuzëve në Korçë. Tani atje lartësohet një pallat i bukur, ama sa herë kaloj them se atje dua ta vendos. Edhe aty përpara, tani që agjencia nuk ekziston, më duket zgjidhje dinjitoze.
Paksa e çuditshme nisma ime. Duket sikur babai ka qënë shofer, faturino apo udhëtar i madh. Asnjë nga këto. Ka punuar financier që sa mbaroi shkollën e mesme e deri sa i mbylli sytë. Por ja që unë nuk e përfytyroj p.sh. bust në tavolinën e zyrës, pikturë në Voskopojë ku ai pushonte çdo vit, portret në Dardhë apo ekskursionist në Çardhak. Ma sjell thelbin e tij një monument te agjencia e autobuzëve. Dhe ja pse.
Sa mbaruam shkollën e mesme unë dhe vëllai do shkonim në universitet. Falë notave të larta studimet na u miratuan atje ku dëshironim. Vëllai për inxhinier kimist, unë pér letërsi. Gëzimi i asaj dite nuk zgjati shumë. Se në fund të emrit tonë dhe të degës qe një shënim pakëz i lexueshëm: “Pa bursë”. Për të dy. Shpresonim që njëri do e fitonte nga që ishim gjithë ato frymë në shtëpi dhe me shumë shpenzime për ushqim, veshje, ngrohje e plot e plot hyrje dalje. U merzitëm dhe sa shkuam në shtëpi e transmetuam thatë:
-Na doli e drejta e studimit atje ku donim.
Nëna klithi sikur ra zjarr. Na përqafonte dhe qante. Gëzimi ia hapi rubinetin e lotëve. Gjyshja veç falenderonte Allahun. Babai nxori nga dollapi atë votkën që e bënte vetë me alkool panxhari dhe ujë të distiluar.
-Ta djegim,vëllezër!
Kështu na quante kishta ca vite. Nga që u rritëm, por edhe nga që u barazuam në lartësi. Se për numrin e këmbës ia kishim kaluar.
-Por jemi pa bursë.
Kaq thashë e prisja pak minuta heshtje.
-Kjo dihet, - tha babai e mbushi gotat.
Tërr nuk ia beri syri. Nuk e cyta më se kur ai thoshte diçka dinte si ta vertiste problemin. Verës punuam me vëllain e ato lekë që fituam blemë rroba për në shkollë. Një natë para se të iknim në Tiranë babai na dha nga një zarf secilit.
-Keni nga një gjysëm burse, nga 150 lekë secili, (ai fliste me të reja gjithmonë). Me to do mbaheni deri në 16 shtator. Atë ditë ju nis 300 të tjera dhe me mua jeni në rregull për muajin e parë. Keshtu në tetor më 1 dhe 16 e njësoj çdo muaj.
E falenderuam, por dhe u prekëm. Rroga e tij do na vinte ne. Babai, nëna, motra, gjyshja dhe kusherinj që vinin e shkonin te shtëpia jonë do mbaheshin me rrogën e nënës. Ajo punonte në rrobaqepsi, prestare. Paguhej sipas normës që kryente. Na kapi dritherima se pa rrogën e babait ajo do kthehej skllave në punë veç të rriste patjetër pagën.
Shkuam në universitet dhe çdo shpenzim e bënim sipas thënies së vjetër: “A rroj dot pa ketë, ose atë?” Dy javë ikën e më 16 shtator te konvikti im u dëgjua thirrja:
-Xhafkën e kërkojnë te dezhurni!
Me vrap shkallët. Prisja babain se ai bënte here pas here sherbime në ministrinë e Financave. Por qe një burre sa ai. Më dha një zarf e iku. E hapa, brenda 300 lekë dhe një letàr nga babai. Me atë shkrim si mësues bukurshkrimi. Ma solli krejt shtëpinë atë çast. U preka, por vrapova te vëllai. I çova 150 lekët e tij. Më pas rutina e mësimeve, e provimeve dhe origjinaliteti i babait. Perherë do gjente dikë të na niste lekët. Deri te konvikti im, si DHL e saktë, pa gabuar asnjë ditë. Orë zvicerane d.m.th.
Pas kater vitesh rastësisht u ndodhëm të tre në Korçë te një klub përballë agjencisë së autobuzëve. Unë dhe vëllai sa kishim filluar punë dhe kishim para të qerasnim babain me një birrë.
-Ja, këtu vija çdo dy javë për të dërguar lekët tuaj. Autobuzët niseshin në orën 11, por unë që në 9 isha këtu. Ulesha atje te shkallët e prisja njerëzit kur afroheshin. Përherë kapja dikë që e njihja,që më njihte dhe që nuk përtonte të vinte deri lart në Qytetin Studenti. Mund t’i dergoja dhe me postë, por qenë goxha lekë pagesa për të mberritur sa më shpejt. Ndaj gjeta rrugë efektive e me kosto zero, e mbylli si financier.
Ato vite ndikuan te ekonomia e shtëpisë. Babai laj thaj ngeli me një këmishe e një kollare. Nena siç e lamë. Me grykësen e punës delte dhe ne pazar. Motra vishte rrobat që kishim lënë ne vëllezërit. Pantallonat e bluzat tona ia rregullonte e ia stiliste mamaja.
Qysh atëhere sa herë kaloj te agjencia më del para babai. Ulur te ato shkallët atje, me kokën mes duarve dhe te këmbët nje zarf me lekë dhe me letrat e tij aq të ngrohta, mbushur çdo rresht me firomë Korçe.
©Agim Xhafka












