Berati në fotot e gjeografit austriak Ernst Nowack - Nga Ilir Ikonomi
Ilir Ikonomi - USA
Këto janë gjashtë foto nga Berati, një shekull më parë.
Peizazhi natyror, kalaja dhe shtëpitë njëra mbi tjetrën janë të pashoqe, edhe pse jetesa ishte e varfër.
Fotot janë bërë në fillim të viteve 1920 nga gjeografi austriak Ernst Nowack dhe gjenden në një koleksion gjerman.
Fatmirësisht, Berati edhe sot është një muze i madh natyror që i ka rezistuar relativisht mirë dorës së prishësit.
Berati i jep njeriut një dimension të katërt, sepse përveç realitetit aty ti përjeton intensivisht një botë të harruar dhe fantazore. Janë shekujt që nuk kthehen më.
Kalaja ende është e banueshme, kishat e saj bizantine shkrihen bukur me horizontin dhe, në një ditë të pastër me diell, nga bedenat mund të këqyrësh me nge kartolinën e qytetit, thellë nën këmbët e tua.
Pa folur për tavat, byreqet, mezet dhe glikotë, të gjitha bio, që të serviren ndërsa je i rrethuar nga gurët, lulet dhe barërat. Është parajsa mbi dhe.
©Ilir Ikonomi