Vende & Zakone

Zëmblaku, pak gjeografi dhe ca më shumë histori - Nga Pëllumb Kulla

Pëllumb Kulla

Është një fshat në skaj të fushës së Korçës që quhet Zëmblak. Fshati është ngritur rrëzë një mali jo fort të lartë përballë malit Ivan. Të dy malet zbresin dhe kodrat e fillesave të tyre thuajse piqen. Pa takuar njëra tjetrën, ato rrinë aq larg njera tjetrës, sa lenë të çarë një hapësirë të vogël, që të vijojë lumi dhe të gjejë vend udha përbri. Se ja, tamam aty nis lugina e Devollit. Kur dielli i jep Ivanit dritën e mëngjesit, Zëmblaku ka ende mbi vete tisin e natës dhe rrezet e diellit e zgjojnë vonë atë.

Nuk dihet kur u ngrit atje shtëpia e parë, siç nuk është e sigurtë hamendja se kjo u bë për të mbajtur zap shtegun natyror, me të cilën jep e merr Korça me Devollin. E sigurtë është ama, ajo që ka ndodhur kudo në jetë të jetëve, që ca banesa ngrihen e formojnë një fshat edhe për arsyen se vendi aty ka ujë të bollshëm e sidomos të shëndetshëm. Rrënjët e gjenezës dhe arsyet historiko-gjeografike mund të jenë edhe interesante, por kjo nuk i shton gjë thelbësore rrëfimit tonë.

Sidoqoftë, fshati është mjaft i njohur e për këtë më shumë ndihmon historia, se sa gjeografia.

Po të përjashtojmë periudhën e shkurtër të mbretërisë, Zëmblaku nuk ka qenë fort i dashur për regjimet që kanë patur pushtet mbi të. Porta e Lartë Otomane kish shpallur këtë fshat dhe atë fqinjë të Plasës, fermanllinj (të padëshiruar), fermanllinj, për shkak të bejlerëve rebelë që rronin në këto dy fshatra. Regjimi komunist pastaj, për arsyet që janë të lidhura ngushtë me ngjarjet e librit tim, e pat shpallur edhe ai Zëmblakun fermanlli, që me fjalë më të kuptueshme enveriste, cilësohet si reaksionar.

Është për këtë arsye që historiografia zyrtare e Stambollit dhe e Tiranës nuk vuri në pah kurrë një fakt të ndritshëm, atë që nga ky fshat e ka origjinën Mehmet Ali Pasha, themeluesi i Egjiptit modern. Dihet që Mehmet Aliu u bë një ushtarak i shquar. Sulltani e vuri në krye të trupave që dëbuan francezët e Bonapartit nga Egjipti, atë e shpallën Vali dhe më pas ai vetë shpalli Egjiptin, të ndarë nga zotërimet e Portës së Lartë, duke themeluar një dinasti mbretërore që sundoi këtë vend të madh të Afrikës Veriore për 147 vjet.

Sipas shumë biografëve, Mehmet Ali Pasha ka lindur në Zëmblak dhe ngaqë menjëherë, në moshën dy vjeçare, u gjend jetim, e lëvizën dhe e shpunë të rritej në Kavallë të Greqisë në sarajet e dajave të tij, shqiptarë dhe ata. Në disa burime flitet se gjuha e Pashait të ndritur mbeti shqipja. E gjithashtu flitet se sa kohë ai ndënji në Kavallë, kthehej shpesh në vendlindje.

Nuk ia vlen të saktësojmë burimet, se gjithsesi as historia e babait të Egjiptit të sotëm, nuk lidhet pothuaj fare me historinë tonë që mbush faqet e librit tim. Të qënurit prej Zëmblaku të Mehmet Aliut nuk i bën aspak më trima e më fisnikë banorët e fshatit ku lindi ai, ashtu si Nënë Tereza nuk u fal dot asnjë grimë të shenjtërisë së saj miliona shqiptarëve të cilët e kanë aq shumë nevojën e shenjtërisë. Por, ama, ia vlen të theksojmë, se antipatitë për fshatin bënin që të liheshin mënjanë pa u përmendur të mirat që mbaheshin mend nga ata që pinë ujin e shëndetshëm të atyre viseve dhe nderuan veten dhe kombin.

Luftëtari që hap historinë

Një burrë meriton më shumë mirënjohje nga sa i është dhënë. Ky ka qenë Jonuz Kulla i Zëmblakut, që pat edukimin, mënçurinë dhe fatin të ishte në anën e burrave më të shquar të historisë kombëtare. Ai ish bir i dytë i Ymetit që pat sjellë në dritë katër djem dhe katër vajza. Që të katër djemtë shërbyen në ushtrinë turke, kur Shqipëria ishte ende nën Perandorinë Osmane. Jonuzi, më i dali nga vëllezërit u rreshtua me çetat e luftëtarëve për liri nga Turqia dhe për mbrojtje ndaj orekseve aneksuese që shfaqte Greqia në kufirin e shumëtrazuar juglindor. Sup më sup me të qëndruan dhe tre vëllezërit e tjerë, por Jonuz Kulla pat më shumë dritë dhe më shumë përkushtim. Ja, shtojmë që ai ish në përbërjen e çetës luftarake që u kujdes për sigurinë në kuvëndimin për shkronjat në nëntor 1908. Ishte pikërisht ky takim i rëndësishëm, që zuri vend në histori me emrin Kongresi i Manastirit, ku udhëheqës të ndritur të Rilindjes shqiptare miratuan alfabetin latin për gjuhën shqipe, atë alfabet që përdorim ne sot.

Si patriot i devotshëm, Jonuz Kulla, rrëmbeu armët në shumë raste të tjera për të luftuar dhe per të mbrojtur pavarësinë e Shqipërisë. Ishte e natyrshme që dhe ai të gjendej i pranishëm në qytetin e Vlorës, kur patriotët shqiptarë me Ismail Beun ngritën flamurin kombëtar dhe shpallën pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Me pak fjalë, ai ishte një njeri i cili i kushtoi gjithë jetën e tij çështjes kombëtare për një atdhe dhe popull të lirë dhe sovran brenda kufijve të tij natyrorë.

Historia e shkruar njeh Jonuzin dhe e ka të vendosur atë pa lëkundje në krahun e Themistokli Gërmenjit dhe të Ahmet Zogut, dy burrave nga më të spikaturit për pasuri të ndjenjave kombëtare. Në veprimtaritë e shumta patriotike, i favorizuar nga jeta e tij prej komiti, të cilën e pat nisur që në rininë e hershme, ai pati fatin të takohej e të miqësohej edhe me shumë figura të tjera të shquara, si Spiro Bellkameni, Mihal Grameno, vëllezërit Çerciz dhe Bajo Topulli, Shahin Matraku, Kajo Babjeni dhe të tjerë. Në cilën përpjekje armësh që kërkoi nevoja e mëmëdheut nuk u gjend Jonuzi! Në fillimet e shekullit me dyfek në sup, shfaqej i shoqëruar nga vëllai Sabri e pastaj nga bashkëluftëtari e roja e tij besnike Daliko Kulla që nuk iu nda këtij burri të shquar ashtu siç nuk e ndau dhe armën nga supi derisa Jonuzi mbylli sytë.    

Jonuzi i ruante si mjaft të çmuara miqësitë dhe kontaktet me klerikë me influencë që veç detyrave fetare i ishin përkushtuar çështjes kombëtare. Të tillë ishin Hafëz Ali Korça, Sheh Ali Pazari, Hafëz Abdullah Zëmblaku, Sheh Qerimi dhe shumë të tjerë. Ajo që mbahet mend si një miqësi me plot të përpjeta e tatëpjeta, plot mërira dhe dashurira, është ajo me kolonjarin e shquar, Plakun e Butkës. Shkëndija konfliktesh mes tyre u panë gjatë jetës së shkurtër të Republikës së Korçës. Përpjekje për pajtimin e të dyve u bënë plot, por të pasuksesëshmet ishin më shumë se ato me fund të lumtur. Këtë e vërteton dhe raporti i një ushtaraku italian, bir i të cilit na e dërgoi para ca kohësh, të nxjerrë nga dokumentat që pat ruajtur i ati, nën-Kolonel Enrico Pallandri. Në atë raport komandanti i shkollës së Instruksionit, Pallandri, përshkruan inspeksionet e vitit 1929 të Kolonel Ghilardit në zonën e Korçës për çështjen e organizimit të ushtrisë dhe të kufirit.

“Kolonel Ghilardi dhe ata që e shoqëronin, u mirëpritën me nderimet më të larta në shtëpinë e Jonuz bej Zëmblakut (Kapiten Rezervist). Gjatë drekës që ishte me të vërtetë princërore, u pinë shëndete të panumërta për nder të Madhërisë së Tij Mbretit, që ka krijuar tërësinë aktuale të Shqipërisë, nëpërmjet prishjes së barrierave që mbanin të ndarë jo vetëm shqiptarët e Veriut me ata të Jugut, por edhe ata të një fshati me fshatin tjetër pranë, si edhe nëpërmjet ngritjes së menjëhershme politike dhe shoqërore me vepra, që sot e bëjnë Shqipërinë të qëndrojë si një shtet barabar në dinjitet me fuqitë e Europës. Kolonel Ghilardi shfrytëzoi këtë rast për të pajtuar me Jonuz beun dhe me familjen e tij, patriotin e vjetër Sali bej Butkën e Kolonjës, që bënte pjesë në shpurën që shoqëronte vetë kolonelin. (Titujt “bej” Pallandri i shpërndan nga xhepi i tij pa ditur se ky titull jepet me fermanë autoritetesh dhe këtë titull nuk e kishin asnjëri nga kundërshtarët. Shënim i im, PK). Ai bëri kështu të mundur, të mos zgjaste më tej një mëri që, për sa më është thënë, kishte shumë dhjetë vjeçarë që qëndronte në fuqi”. (Shih në fund të librit raportin në gjuhën italiane).

Në ato kohëra konfliktet dhe hasmëritë bënin kërdinë. Një hasmëri e tillë e egër brënda fshatit i la pa baba që të tetë fëmijët e Ymetit, motrat dhe vëllezërit. Fisi kundërshtar i Xhemaliut që rronte i vendosur në ca banesa në mes të fshatit ishte në një luftë dhëmb për dhëmb me Kullat. Plot të vrarë nga të dy anët kishin bërë vejusha dhe kishin veshur me të zeza shumë nga gratë e Zëmblakut. Kur hasmëria u shkallëzua deri në atë masë sa në Korijet e Plasës u gjend i vrarë më i pari i Kullave, plaku Ymet, alarmet u bënë një gjëndje e përhershme. Dhe kjo gjendje nuk ndryshoi as pasi njëri nga djemtë, Sabriu, arriti të marrë hak e të shtrinte të vdekur përdhe vrasësin e babait. U desh të vinte një mik i përbashkët, një njeri karizmatik si Sheh Ahmet Pazari, që i thërrisnin “Azizi i Tiranës”, që t’i bashkonte të dy fiset e Zëmblakut e t’u shuante hasmërinë. Nuk di nëse në ato anë pleqtë e këndojnë akoma tani, por unë që i vogël mbaj mend këngën që tregonte mbi pajtimin, si vepër e Baba Azizit.

Azizi me at të bardhë, o baba

Erdhi të pajtojë Zëmblaknë, o baba.

Or’ Jonuz të them një fjalë, ore Jonuz,

Xhemalinë ta kesh vëlla, ore Jonuz

Xhemali ta them një fjalë, or’ Xhemali

Jonuzin ta bësh vëlla, or’ Xhemali

Që në xhadet e përpjetë, ore djem

Kobure e dyfek mos ketë, ore djem…

Përhapja e mbiemrit

Shehu i urtë, që ardhur nga Tirana pajtoi gjaqet në Zëmblak, nuk la edhe që premtimet e Xhemaliut dhe Jonuzit për pajtim të mbeteshin fjalë në erë. Një vajzë nga dera e fisit të Xhemaliut u kërkua dhe hyri nuse në dyert e Kullave. Dhe kjo mblesëri e gjetur i dha vërtet fund hasmërisë së madhe.

Edhe me motrat që kishin në shtëpi, me një politikë të urtë Kullat patën krijuar krushqi më të hapura duke u lidhur me njerëz të fismë dhe me ndjenja patriotike të njëjta. Tre nga motrat i patën martuar brenda Zëmblakut, ndërsa të katërtën e patën dhënë në Pilur, në derën e njohur të Bushkave. Ndodhi një fenomen i çuditshëm me motrat e martuara në Zëmblak: regjistrat e Gjëndjes Civile në ato kohëra kishin parregullsi. Mbiemrat e familjeve ishin gati-gati llagapë, ca cilësorë përqeshës më shumë se sa mbiemra seriozë. Ndonjë njeri i dalë njihej, siç ka qenë zakon, duke përdorur edhe fshatin si mbiemër. Kështu në familjet ku futën këmbët si nuse, motrat Kulla, tok me pajën nusërore u shpunë bashkëshortëve edhe mbiemrin e tyre. Është një gjë që sot nuk përfytyrohet dot. Kështu gjyshi im, i autorit të këtyre faqeve pra, u quajt Rrapo Kulla, ngaqë Emineja e motra e Jonuzit e solli mbiemrin me vete. Burri i Eminesë, Banushi dhe i biri Rrapoja njihen gjërësisht dhe figurojnë në shumë dokumenta edhe me mbiemrin Zëmblaku.

Por fenomeni “kullëzimit”, u përhap edhe më gjërë. Në këtë rast bëri punë më shumë autoriteti i Jonuzit. Shumë familje preferuan mbiemrin Kulla të Jonuzit edhe pa kurrfarë krushqie me familjen e tij. Vetë mbiemri ua bënte zëmblakllinjve më të lehta punët me shtetin dhe me administratën turke në fillim të shekullit të Njëzetë. Si përfundim mbi gjysma e fshatit u gjend duke mbajtur mbiemrin Kulla, por pa lidhje gjaku me ta. Punët e tyre në fakt vajtën mbarë. Ama as edhe një prej të kthyerve në Kulla për nevojat që zumë në gojë, nuk u vu përballë skuadrës së pushkatimit, asnjë prej tyre nuk u var në trekëmbësh dhe askush nuk u vra nëpër hetuesira, siç e pat ruajtur fati për anëtarët e familjes së madhe në hyrje të fshatit.

Shuarja e hasmërive solli qetësi dhe prosperitet. Në vitet që pasuan pavarësinë, Jonuzi dhe tre vëllezërit e tij dhanë shëmbullin e një familje të madhe bujqsh dhe tregëtarësh te suksesshëm në zonën e Korçës. Gjatë viteve 1920, midis të tjerash, ata kishin nën pronësinë e tyre mbi 100 hektarë tokë që përfshinte bujqësi dhe blegtori. Zotëronin një çiflig në fshatin e afërt të Pëndavinjit, një mulli mielli, një farkëtari dhe me këto biznese punësuan një numër familjesh, që zunë të banonin në shtëpitë që vëllezërit Kulla siguruan për ta në pronat e veta. Ishte për mbarësi shansi që fshati Zëmblak ndodhej mes dy tregjeve urbane, atij të Korçës dhe atij të Bilishtit. Falë punës së tyre të palodhur, vëllezërit Kulla arritën begati financiare, ndërkohë që besnikëria dhe mbështetja e tyre ndaj Ahmet Zogut, mbretit te ardhshëm të Shqipërisë, mundësoi që ata të zinin pozicione të shëndosha në rajonin e Korçës.

Në mes të viteve ‘20, Jonuz Kulla hyri në ujdi me disa punëtorë ndërtimi nga pakicat maqedonase, që thirreshin shule dhe që banonin në fshatrat e afërta të Prespës. Ai i kërkoi ata për të ngritur në të hyrë të Zëmblakut një shtëpi, ku do të jetonte familja e gjerë në të cilën bënin pjesë vëllezërit e tij dhe fëmijët e tyre. Shtëpia, e ndërtuar nga duar të arta ustallarësh, (ajo që ze vend në kopertinën e librit) nën kryesinë e usta Mitres, u shfaq e lartë dhe e bukur rrëzë malit të zhveshur të Çypecit që ishte nën pronësinë e Kullave. Ishte shtëpia e parë mbi të cilën binin rrezet e diellit në atë fshat me diell të vonët. Trualli aty përfshinte tre sylynjarë larg njëri tjetrit, që derdhnin ujë të filtruar me mjeshtëri dhe që vinte që përtej malit, atij mali që i ruante krahët shtëpisë. Përpara dritareve ballore shtrihej një oborr i madh, që zbriste te porta kryesore, e cila hapte kanatat mbi rrugën që vinte prej Korçe dhe që shpinte në qendër të fshatit.

***

Në vitin 1931 Jonuz Kulla vdiq dhe pikëllimi erdhi i rëndë. Plaku i kësaj shtëpie të madhe thirrej plak për autoritetin e tij të mirënjohur, por nuk ishte aspak plak për moshë. Nuk i kishte mbushur ende 63 vjetët. Një sëmundje që kishte të bënte me ngatërrimin e zorrëve nuk i dha shumë kohë që ta përballonte.

Megjithë këtë humbje të rëndë dhe të parakohëshme, e ardhmja dukej plot shpresë, jo vetëm për familjen Kulla, por për të gjithë Shqipërinë. Ahmet Zogu qe shpallur mbret i Shqipërisë, pat krijuar marrëdhënie tregëtare me Italinë. Si rrjedhojë, ai pat thithur investime të huaja në Shqipëri dhe krijoi një shtet relativisht të sigurtë, ku shtetasit ndjeheshin të qetë. Ëndrra për një shtet të pavarur për burra nacionalistë dhe patriotë, si i ndjeri Jonuz Kulla, dukej e bërë realitet nën udhëheqjen e këtij shtetari. Ish kuptimplotë më 1931, gdhendja mbi gurin e varrit të Jonuz Kullës, ku lexohej: “Vdes i lumtur sepse e lë Shqipërinë me Zot.”

Simpatia që gëzonte Jonuzi i Zëmblakut në oborrin mbretëror pat qenë provuar disa herë. Për meritat e padiskutueshme mbreti e pat graduar kapiten rezervë në pension, siç e pamë më lart edhe në raportin e Enrico Pallandri-t. Ishte një titull që jepte më shumë nder se leverdi. Jonuz Kulla nuk i pranoi mbretit rrogë për dekretimin e tij kapiten. Thonë që këtë gjë e pat bërë më pas edhe Xhafer Ypi.

Por ajo që të vjen për mbarë të theksosh më shumë, është shfrytëzimi nga ana e liderit të Kullave i kësaj miqësie me sovranin për të vendosur njerëzit e tij në punë të qeverisë dhe për të orientuar të rinjtë nëpër shkolla. Kështu ai pat dërguar të birin, Ajdinin, në shkollën qytetëse të Korçës dhe më pas në vijim në shkollën e Harri Fultzit, për degën e mësuesisë. Të nipin, Mehdiun, e pat përcjellë të ndiqte studimet ushatarake në Itali. Jonuzi vuri në shërbim të mbretit edhe gjyshin tim, nipin tjetër, nga e motra Emineja dhe mbreti e pat angazhuar këtë nip, në shërbimet qeveritare.

E vlen të përmendet se në orët e fundit, para se të jepte shpirt, Jonuzit i sollën porosinë e mbretit që ai të transportohej per mjekim në Tiranë. Por sovranit ia kishin vonuar lajmin dhe porosia e tij ishte dhe ajo e vonuar. Jonuz Zëmblaku nuk iu bind mikut të tij të madhërishëm me besimin që tashmë atij i kishte ardhur fundi dhe për të do të ish më mirë t’i mbyllte sytë në shtëpi, mes njerëzve të tij. Dhe i mbylli. Iku përgjithmonë një njeri i dëgjuar dhe me lidhje të forta.

©Pëllumb Kulla

(Shkëputur nga hyrja e librit “Jo gjithë të vdekurit prehen në paqe”, Shtëpia botuese GEER, Tiranë 2012)