Vende & Zakone

Pe Korçe jam - Nga Agim Xhafka

Agim Xhafka

E them që në fillim se Korça nuk ngjet me asnjë qytet shqiptar. Mbase ka pakëz motër Shkodrën, por pastaj është unike. Siç duket në rritjen e vet ka pasur ndër mend modele tërheqëse, plot elegancë, frymë, ngrohtësi, intimitet dhe jo zhvillim katundi, me tre shtëpiat e para e të tjerat rreth saj si bajgat lëshuar xhadesë. Jam me fat që linda në këtë qytet. Krenar që edhe kur më pyesin në Amerike prej nga je u them rrëmbimthi,shqip, po nga Korça, o t'u mbylltë e mendjes! Pe Korçe jam.

Që nga lindja e deri sa mbarova maturën nuk u largova më shumë se dy javë prej saj. Ose me pushime diku afër, ose në aksione e zbore. Kaq. Pastaj u rrita mes dashurisë të këtij Parisi të Vogël. Kur isha ende në gjimnaz ky emërtim më dukej pak butaforik e komik. Se nuk mund të quhesh i tillë kur nuk jeton si parizien. Më vinte për të qeshur nga që ushqeheshim me tallon, shihnim në tv vjedhurazi veç Shkupin e nuk kishim në shtëpi as frigorifer, magnetofon, lavatriçe. Veç një telefon në krejt pallatin, tek Andrea i ngratë, që nuk lodhej shkallëve sa herë na kerkonin nga Tirana a qytete të tjera.

Por sot them se ai emertim i shkonte e i shkon. Nga që rrugicat e qytetit tim u projektuan qysh më 1930 të gjera thuajse sa bulevardi i Tiranës, nga që në shëtitoren drejt kinema Majestik shihja Shans Elize, por pak më të shkurtër, nga që kuadratet e banesave ishin kaq njësoj, sa që as Parisi nuk i ka kështu. Pa shtuar të kuqen e tjegullave, kalldrëmet me gurë lumi, dyert e mëdhaja të shtëpive si thirrje mirëseardhje. Dhe kryesorja, qyteti flinte me kokën tek kodrat dhe këmbët sa preknin fushën. Çdo shi i rrëmbyer ishte gëzim e çdo borë i kthente rrugët në pista natyrale per ski. Mes këtij qyteti u rrita. Si djali i Korcës, por dhe si dashnori i saj.

Kur nisa studimet më kapi një mall i madh për të sa isha gati të vija me vrap nga Tirana. Se Korça nuk është vetëm qytet, është dhe çerdhe ngrohtësie. Atje mes njerëzve ndjehesh njeri, i respektuar. Atje vlerësohesh kur je punëtor, i ditur, kurajoz, talent. Atje të duan kur shohin se je gatuar nga sinqeriteti, nga sedra dhe nga suksesi. Korça ka qënë kështu se e tillë u krijua. Nga njerëz të ditur që donin tokën e donin të ardhmen.

Korça para se të jetë qyteti i serenatave është qyteti i emigrantëve. Dukej çudi një shperngulje drejt Amerikës kur në Korcë punët ishin mbroth në ato vite. Por kurbetlinjtë e parë nuk ikën per ushqim. Ishin si Kolombi, donin të shuanin kureshtjen në Amerikën e largët. Dhe Lëndina e Lotëve sot është veç një pllakë. Nga ai perëndim i largët erdhën aq shumë dollarë sa asnjë qeveri nuk i jepte vrull jetës si ata të ikurit e mallur.

Korça quhet Korçë se në thelb të qytetarisë ka mençurinë. Më thoni një krahinë tjetër që ka nxjerrë kaq matematicienë. Asnjëra. Se nuk rendnin pas të vështirës, por donin të tregonin se ishin të parët. Edhe në art, edhe në teater e film. Jo më kot, sot thonë se është uji i Korcës, që në tre banorë kater dinë të këndojnë.

Sa herë vij në Shqipëri nga Amerika frymën e mbaj në Korcë. Se kam varret e prindërve, por dhe rininë time. Mëngjesin e parë që zgjohem atje e kam gëzim të madh, njësoj si atëhere kur vija me pushime kur isha student. Shetis nëper rrugica. Te secila rri varur një kujtim i jetës sime. Ja,shtëpia e Klemit. Sot inxhinier. Më tutje jetonte Eli, shoqja ime më e mirë. Tek kjo shtëpi dykatshe rrinte Oli, tani në USA prej vitesh. Tek rrugica ngjitur kam thyer dorën kur luanim futboll mes mëhallave. Te ajo dera blu banonte Kozeta, dashuria ime e parë, eh, edhe unë si shumica e jetuam si dështim. Por i kujtojmë se janë plagë të ëmbla, por të thella.

Korçën e dua shumë. Gëzohem që nuk ngjau me Tiranën e përdhunuar, me Fierin e shpartalluar, me Durrësin e betonuar. Korça ime jeton tashmë si madamë e shëndetshme, me plot bij e bija që e duan. I bëjnë vizita mjekësore, i japin barnat që i nevojiten dhe nuk e lenë pa kozmetikë. Ndaj ka ngelur e bukur dhe terheqëse. I vetmi qytet që nuk ngjet me Shqipërinë. I vetmi që kur shkon për turizëm ke ç'të shohësh e ç'të shijosh.

Korçën e dua sa veten, apo e dua më shumë? Mbase më shumë, mbase sa mbesën time, Fridën...

©Agim Xhafka