Vende & Zakone

Qeroska - Nga Agim Xhafka

Agim Xhafka

Sapo lexova ca statuse në Facebook që thoshin se në Korçë ka rënë borë. E vrik mendja vrapit te “Qeroska”. Kur ecën në Korçë te bulevard “Republika”, nga Valbona drejt kinema “Moravës”, të gjitha rrugicat majtas duken si nepërka që u ngjiten kodrave. Janë aq të pjerrëta sikur u projektuan për pista skish. Dhe më ngjasin njësoj, e tani nuk di cilën ta quaj “Qeroska”, atë rrugicën që na mblidhte pas shkolle, që i hypnin sipër çantave me libra e lëshoheshim drejt bulevardit me shpejtësi skëterre.

Na nxirrnin sytë lotë, thuajse i mbyllnin fare nga era acar që na rrihte fytyrën e herë pas herë çelnim pakëz njërin sy që ta ushqenim trurin me pamjet drithëruese. Pulsi shkonte mbi 100, zemra si valvola e tenxheres me presion dhe adrenalina digjej te furra e moshës sonë. Lumturia na ngrinte më lart çative të shtëpijave dhe kur arrinim në fund nuk rrinim një sekondë në vend. Merrnim çantën nën sqetull dhe vrap drejt majës, në nisjen e dytë, të tretë... deri sa nata mbulonte rrugicën.

Ndizeshin ca poça të rrugëve që ishin aq të zbehtë sa dukej sikur kishin rolin të na zbonin. “Qeroska” zbrazej dhe tek-tuk ecte ndonjë plakë pa këpucë. Mbathur me çorape leshi, armë e sigurt për mosrrëshqitje. Drejt shtëpisë të lodhur, të uritur, të rraskapitur. Librat ishin qull, si bythët tona të lagura. Nëna i varte tutat në dy tela te tavani i kuzhinës dhe gjumi na zinte me bukë në gojë.

E kujtoj “Qeroskën” sa herë bie borë. E kujtoj dhe kur jam jashte shtetit në pista moderne skish. Ajo është modeste, por ka mbi kokë aureolën e kujtimeve ndaj më ngjan kampione. “Qeroska” u quajt kështu nga që ishte pistë pa pengesa si tulla e qoses për shembull. Që lëshohesh e rrëshqet pa frikë me shpejtësi ëndërre. E di që te ajo rrugicë ka vite që bie pak dëborë. Jo se ka ndryshuar aq klima, por se nuk ka më fëmijë. Nuk ka më gëzim, klithma, argëtim e atmosferë. Pse të lodhem kot, thotë e bardha borë!

“Qeroska” mbeti ndrydhur aty si pavion i muzeut fëminor. Më sheh sa e herë e shoh. Më përshëndet e rri atje stoike me dëshirën të mbushet sërish si dikur me zallamahinë e skiatorëve të çantave shkollore.

Shpreson Qeroska e ngratë. Shpreson…

©Agim Xhafka