Vende & Zakone

Pikniku familjar, një traditë e kahershme e familjeve korçare - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla

Nuk e gjej dot fjalën e duhur në shqip për “pikniku” por, me pak fjalë, ata ishin udhëtime kolektive me qëllim argëtimi që bënin familjet korçare, zakonisht në kodrat e qytetit ose edhe më larg në vende të njohura turistike. Bëheshin bashkë 15-25 persona, nga disa familje, burra, gra dhe fëmijët e tyre, nga të tre brezat.

Udhëtimet bëheshin në këmbë ose me mjet deri në njëfarë vendi. Ushqimet i merrnin me vete, secila familje të vetat dhe kur uleshin për të ngrënë i bënin bashkë. Burrat kuvendonin me burrat për çështje pune ose për të rejat e ditës, gratë po ashtu për punët dhe hallet e shtëpisë, ndërsa fëmijet luanin së toku me njëri-tjetrin. Këndoheshin edhe këngë të serenatës korçare, shoqëruar me kitarë që zakonisht e kishte me vete njëri prej pjestarëve të grupit.

Ishte një mënyrë kreative, çlodhese, e kalimit të kohës në ditë pushimi, një veprimtari që kultivonte ndjenjat e afërsisë dhe dashurisë për njëri-tjetrin, shkëmbimit të përvojës midis familjeve korçare, një antidot ndaj vetmisë, izolimit dhe mizantropisë, karakteristikë e ditëve të sotme.

Për korçarët vende të tilla pikniku ishin kodrat e Shën Thanasit dhe Shën Ilias, mali i Moravës dhe Çardhaku, por edhe Bozdoveci, Bradvica ose Dardha. Shfrytëzoheshin, për raste të tilla, edhe Panairet në periferi të qytetit si në Boboshtice, Polenë, Çiflig etj.

© Klodi Stralla

Foto lart nga një piknik familjar në Korçë.