Një gjest dashurie - Nga Agim Xhafka
Shtëpinë në Korçë e kam pasur pranë Turizmit. Kështu e quanim atëhere atë vilë aq të bukur që më vonë mori emrin Valbona. Veç në qytetin tim ishte i ndarë në dy pjesë Rurizmi. Restoranti dhe bari te vila që po shkruaj, ndërsa hoteli te një vilë tjetër, pak më lart, në të njëjtin bulevard.
Tek Valbona kishte shumë dyndje. Ndodhte ngaqë qyteti kishte pak lokale cilësorë, por edhe ngaqë shërbimi atje të bënte sikur jetoje jashtë shtetit. Vetë godina kaq e hijshme, orenditë aq klasike, perdet aq të rënda, dritaret aq të mëdhaja dhe shërbimi, ah si në filmat e vjetër francezë. Kamarierët të gjithë mesoburra, me këmisha akull të pastra, me pecetën palosur në parakrahun e majtë dhe me të folurën që rrëshqiste mes buzëqeshjes: “Ç’urdhëroni?”
Deri në gjimnaz vetëm një herë kisha hyrë atje. Me Kozetën shoqen time. Mbaj mend që ajo më ftoi për një akullore dhe shqyeva sytë kur pagoi 30 lekë. M’u dukën aq shumë sa edhe sot kujtoj shifrën 30 dhe thuajse e harroj kupën prej metali si argjend, lugën e vogël me bisht të gjatë dhe reçelin e qershisë mbi topin e akullores. Derisa kushtoi aq e ruaj gjatë shijen. E kam ende në majën e gjuhës. Aq të shkrirë dhe aq të shijshme.
E nuk do kalonin ca ditë prej akullores kur babai do më ftonte një të shtunë për paçe.
-Ngrihu herët nesër se pastaj s’ngelet gjë! - më porositi ai.
Në fakt mezi prisja të dielën që të flija shumë, të zgjohesha kur të ma donte kokrra e syrit, por derisa flitej për ushqim nuk thoja jo. Do e thyeja traditën e bukës me vaj e kripë dhe me ndonjë çaj të shpifur.
Në restorant kishte pak njerëz. Babai ndërsa i përshëndeste më shpjegonte. Ky është drejtor i komunales, ky punon në komitet, ky është mësues, ky piktor...
Erdhi kamarieri dhe kërkuam dy paçe. I solli në çast. Kisha provuar paçe dhe më parë, në shtëpi apo kur merrnim me tenxhere te Zaharaj, por mjedisi e luksi më bëri që ta shijoja shumë. Pashë rretheqark e thuajse të gjithë merrnin edhe një gotë verë të kuqe. Si shoqëruese të atij mishi aq me shije dhe yndyrës që qe me bollëk.
-Pi një verë, - i thashë babait.
-Që në mëngjes?!
Pasi u kënaqëm dolëm të lumtur.
-Unë po shkoj një herë nga zyra, - tha babai e u ndamë.
Mora rrugën përpjetë kinemasë. Ishte herët dhe thashë të bëj një xhiro. U takova me shokë dhe nga dreka hyra në shtëpi.
-Të pëlqeu paçja? - më pyeti mamaja.
-Shumë.
-Kishte njerëz?
-Jo aq. Të gjithë për paçe. Por pinin dhe nga një gotë verë.
-Ashtu shijon e flamosura, -tha mamaja. -I thashë dhe tyt eti, pi një gotë verë. Por nuk donte. Me ato lekë ble një paçe për Gimin, më tha. Se 13 lekë është pjata dhe po aq bën e gota e verës.
U preka dhe u drithërova. Babai u soll dhe në restorant si baba. Ia donte shpirti një mëngjes komplet, por ja që më shumë i shijonte që të rrinte në tavolinë me mua. Nuk ishte detaj i thjeshtë, qe mesazhi i jetës së tij. Të ndante gjithçka me familjen.
Kur erdhi në drekë dhe po hante një copë byreku i tha nënës:
-Eh, të kisha një birrë të ftohtë tani!
Me dëshira të tilla iluzore kaloi vite e vite deri sa ne fëmijët krijuam familjet tona dhe kur ulej në dreka e darka me ne, para se të vendosej pjata e ushqimit, vrapoja t’i mbushja gotën me verë.
Turizmi më vjen ndër sy si një vend pelegrinazhi ku babai pa zhurmë e bujë bëri një gjest dashurie. Nga ata që harxhonte çdo ditë. Gotën e verës nuk e mori, por atë mëngjes mbushi plot gotën e përkujdesit dhe dhembshurisë ndaj djalit.
Nuk thonë kot: “Detajet bëjnë diferencën...” E babai ishte kampion i njerëzve të veçante. Qe shumë njeri ati im...
© Agim Xhafka












