Vende & Zakone

Diku, dikur, në fëmijërinë tonë… - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla

Në Korçën e fëmijërisë time të tilla paisje si kjo në foton lart, kishte çdo shtëpi private që kishte pus. Ato zëvendësuan “kovën me çikrik” të dikurshme për të nxjerrë ujin nga pusi. Quheshin “tullumpa”. Ishin paisje hidraulike përmes te cilave nxirrej uji nga pusi, duke lëvizur jo pa vështirësi, lart e poshtë me dorë, një dorezë metalike, siç shihet edhe foto. Më vonë ato u zvendësuan nga “çezmat” që sillnin ujin me tubacione metalike nga një depo publike e vendosur mbi kodër, jashtë qytetit, në pikën më të lartë të tij.

Uji i pusit ishte i pijshëm (Korça e kishte pak gëlqeror) dhe shërbente gjithashtu edhe për të larë teshat. Kishte gjithashtu edhe një “postaf” prej guri, ku binte uji para se të përfundonte në kanal. Ai zvendësonte “govatën” prej druri, ku gjyshet tona lanin teshat e tyre me ujë të ngrohtë. Një “triumvirat”, pus - tullump - postaf, aq i domosdoshëm për çdo familje të asaj kohe.

Që i vogël më intrigonte parimi i punës së tullumpit. Si bëhej e mundur që uji të ngjitej nga poshtë-lart, vetëm duke lëvizur mekanikisht, me dorë, një dorezë metalike? Vite më vonë, kur njoha “Parimin e Toriçelit” dhe efektet e shtypjes atmosferike, munda ta kuptoj të fshehtën e kësaj mrekullie të mendjes njerëzore, por edhe kufizimet e saj. Ajo nuk mund ta nxirrte ujin në sipërfaqe, nëse pusi ishte mbi 10 metra i thellë.

Fëmijet e sotëm nuk e vrasin mendjen për gjëra të tilla; mjafton të lëvizin me lehtësi, majtas-djathtas, dorezën e rubinetit në lavamanin e shtëpisë, dhe uji vjen vetiu, bile edhe i ngrohtë, aq sa ta duam ne. Tashmë tullumpi i përket vetëm historisë.

© Klodi Stralla