Vende & Zakone

Për toponimet e Polisit - Nga Sejdin Cekani

Sejdin Cekani

Emrat e vendeve (toponimet) në zonën e Polisit kanë historinë e tyre të lashtë të prejardhjes. Mbi të gjitha, këto emërtime janë edhe dëshmi e identitetit tonë si polisarë. Gjatë bisedave që kam zhvilluar here pas here me miq e të afërm, kam vënë re se shumë prej këtyre emërtimeve janë harruar e nuk përdoren më apo kanë mbetur thjesht historizma.

Banorëve të shpërngulur nga fshatrat e zonës, si dhe atyre që tanimë jetojnë e punojnë nëpër Europë, nuk iu bie rasti t’i përdorin këto toponime apo të shkelin në vendet që i mbajnë këta emra. Ndërkaq, me përjashtim të të moshuarve, pjesa më e madhe e të rinjve dhe brezit të mesëm që jetojnë ende në fshatrat e zonës sonë, për fat të keq, nuk i dinë ose nuk iu kujtohen shumë prej emërtimeve të këtyre vendeve. Pra, jemi përpara rrezikut të zhdukjes njëherë e përgjithmonë të një pasurie të trashëguar ndër breza. Mbi të gjitha, zhduken gjurmët e mbetura të historisë sonë.

Për ta ruajtur me aq sa mundemi këtë pasuri kulturore dhe historike, të gjithë mund të japim një ndihmesë modeste duke shkruar disa emra vendesh nga lagjja apo fshati ku kemi lindur, po edhe për emërtime që i keni dëgjuar nga prindërit dhe gjyshërit, duke shënuar përafërsisht edhe vendndodhjen. Kësisoj mund të arrijmë të krijojmë së bashku një lloj regjistri me emërtimet e vendeve në të gjithë zonën e Polisit.

Më parë se të ftoj polisarët, po e filloj nga vetja duke përmendur emërtime të disa vendeve që i kam shkelur apo dhe që i kam dëgjuar nga të moshuar që nuk janë më në këtë jetë.

Renditjen e kam bërë sipas rendit alfabetik, ndërsa në kllapa është shpjegimi i përafërt për vendndodhjen: 

Bregu i Daulles (vend në Qendër)

Ballagaje - Ballagaja (vend në lagjen e Domjonit, Gostimë)

Ballollet e Nonit (vend në Valë, përtej lumit të Gostimës)

Domjon - Domjoni (lagje në Gostimë)

Kopadel - Kopadeli (vend në lagjen e Domjonit, Gostimë)

Fusha e Bushit (vend në Gurshpatë)

Fangu i Shkurtit (ndodhet në anën tjetër të lumit të Gostimës)

Guri i Gjok’ Kalemit (ndodhet në anën tjetër të lumit të Gostimës)

Guri i Hanakut (ndodhet në anën tjetër të lumit të Gostimës)

Guri i Thozës (ndodhet në anën tjetër të lumit të Gostimës)

Guri Shatur (ndodhet në anën tjetër të lumit të Gostimës)

Gajor - Gajori (lagje në Gurshpatë)

Gjere - Gjerja (lagje në Gostimë)

Hasullore - Hasullorja (ndodhet në lagjen e Domjonit, Gostimë)

Kolokoç - Kolokoçi (vend në lagjen e Domjonit, Gostimë)

Kamare - Kamarja (lagje në Gostimë)

Kaminua - Kaminoi ((ndodhet në anën tjetër të lumit të Gostimës)

Konot - Konoti (vend në Sheh)

Kolobardh - Kolobardhi (vend në Gostimë)

Kopilet e Bufit (vend në lagjen e Gjeres, Gostimë)

Langore - Langorja (vend në Gostimë)

Langë - Langa (lagje e Polisit të Vogël, pranë Shehut)

Lajthizë - Lajthiza (vend në Sheh)

Markore - Markorja (vend në lagjen e Domjonit, Gostimë)

Ngërdhet - Ngërdheti (vend në Gurshpatë)

Qafë-Furkë (vend në Gurshpatë)

Plasaqet e Ballës (vend në Qendër)

Qershogëll - Qershoglli (vend në Gostimë, në kufi me Mirakën dhe Babjen)

Qukset (vend në Qendër)

Sotkuq - Sotkuqi (lagje në Gostimë)

Samanik - Samaniku (pyll në Sheh)

Veshtepri ose Veshti i Epër (vend afër lagjes së Domjonit, Gostimë)

Vilëz (lagje në Qendër)

Zabeli i Madhës (vend në Gostimë)

Shpresoj që një ditë kjo listë të bëhet sa më e plotë.

© Sejdin Cekani