Vende & Zakone

Gruaja me dy zemra - Tegimi i së dielës nga Agim Xhafka

Sa kisha filluar gjimnazin. Në shkollë shkoja me Naqen që banonte te shkalla tjetër e pallatit. Ai quhej Stefanaq, por unë e thirrja shkurt. Në fakt nxehej e bërtiste:

-Mos më quaj Naqe, por Stefi, kupton?

Ashtu thosh përherë dhe unë përherë Naqe e thirrja. Më shihte egër, por u zbut më pas kur i shpjegova.

-Stefi quhet gjyshi i Goles e ti akoma nuk je më baba, pa le gjysh.

Një mëngjes kur po e prisja te dera doli Stela, e motra. Nga pas i vinte e ëma.

-Punë të mbarë bijë e të më bëhesh si Nerënxa! - e uroi ajo.

Stela sa mbaroi të mesmen po niste punë te Leshpunuesja e Korçës. Do bëjë qilima, më tha Naqja. E ndërsa ajo iku si flutur mua më erdhi pa kuptim urimi i së ëmës: “Të më bëhesh si Nerënxa!”

-Për kë Nërenxë fole?

-Për tonën, për gjyshen e Ladit, - më tha ajo dhe u fut brenda në shtëpi.

Atë çast mendova që ose Niqka, kështu quhej mamaja e Naqes, është e lojtur nga trutë e kokës, ose ka dashur të thotë emër tjetër, por gjuha i nxorri Nerënxën.

Nga që Nerënxa qe një invalide me një këmbë, me një protezë druri që ato vite i bënin marangozët aq të rënda sa ajo donte gjysëm ore të ngjiste shkallët deri te shtëpia e saj në katin e dytë dhe…o nëne, o nëne sa zhurmë i bënte këmba prej druri. Në çdo shkallë sa shkelte dëgjohej sikur shkarkohej një makinë me gurë. Ja pra pse nuk mund t’i uroje një vajze, u bëfsh si Nerënxa.

Në drekë i kërkova gjyshes të më thoshte pse Nerënxa qe me një këmbë.

-Ka marrë pjesë në një demonstratë kundër fashizmit dhe ushtarët pushtues gjuajtën me predha mbi njerëzit. Një prej tyre i preu komplet kockën dhe damarët e gjakut. Në spital ia sharruan se ndryshe nuk do qe gjallë. - më tha ajo.

Nuk e besova hiç. Në se do qe e vërtetë do na vinte në shkollë e të na tregonte trimëritë e saj. Por kur pyeta babain dhe mora përgjigje njësoj thashë me vete, uau Nerënxa qenka trime pa bujë, heroinë pa mburrje! Dhe nisa ta shoh më me respekt.

Më pas ndër vite invalidja e pallatit iu gjendej të gjithëve sikur të qe me katër-pesë këmbë, jo me një. Dhe luftonte që mungesën e këmbës ta harronte vetë, por të mos e kuptonin as të tjerët. Mbaj mend që te Jani furrtari e çonte vetë lakrorin. E kapte me dorën e djathtë një anë, anën tjetër e ngjishte te barku dhe në dorën e majtë shtrëngonte bastunin. Ecte si patok krenar, nuk lejonte t’i afrohej kush. Apo kur shkonte për pazar te Sofroni. Rrinte në rradhë si të gjithë. Shihte vëngër atë që i afrohej për ndihmë apo donte ta nxirrte në krye. Kapte vëndin e vet pas të fundit që gjente dhe si favor kishte një karrike që ia sillte shitësi. Ulej atje e sa ecte rradha para aq herë kërciste karrikja që ajo e luante vendit.

Ditë pas dite Nerënxa u bë një lloj administratore e pallatit. Pa rrogë, pa shpërblim. Ndodhte shpesh që ndonjë nga gratë kishte fëmijën sëmurë, ofrohej Nerënxa ta mbante, ta ushqente, t’i jepte ilaçet kalamanit që nënat mos e humbnin një ditë pune. Ajo qe hera-herës dhe “orë me zile”. Për shembull sa herë Berti, shoferi i autobuzit, kishte linjën e minierës, Nerënxa i trokiste te dera që në 4 të mëngjesit.

-Çohu bir, feksi dita!

Po urimet më së shumti i merrte nga burrat e pallatit. Se kjo grua mirëdashëse shkonte pa gdhirë te dyqani i qumështit dhe zinte rradhë për gjithë familjarët që ia kërkonin një natë para. Për vete linte karriken si shenjë, pastaj nga ana e burrave vendoste çanta, gurë, tulla dhe xha Andonit ia zinte rradhën me një kapele të vjetër. Kështu ata çoheshin nga ora 5 e gjysëm e sa afroheshin te dyqani mbërrinte dhe makina e furnizimit. Blinin nga dy shishe qumësht, se aq lejohej, e secili nuk largohej pa uruar:

-Nerënxë, t’u bëftë dita një mijë!

Tani kur sjell ndër mend gjithë episodet më vjen me kuptim urimi i Niqkës për bijën e saj Stela:

-U bëfsh si Nerënxa!

E ka pasur fjalën për zemrën e kësaj gruaje të palodhur, për thelbin e jetesës së saj; të qe e dobishme për njerëzit, paçka se jeta e kishte tronditur rëndë me traumën e mungesës së një gjymtyre. Në sjelljen e saj dukej e kuptohej që ajo kishte bërë një kompromis me paaftësinë që ia solli predha. Nuk iu nënshtrua dhimbjes dhe dobësisë, por ra dakort që të jetonin të dyja bashkë; Nerënxa dhe gjymtimi. Por jo të pengonin njëra-tjetrën, por të ndihmoheshin. Një mbasdite isha dëshmitar i këtij kompromisi. Shkova të takoja Ladin, nipin e saj. Në dhomë pashë Nerënxën me protezën e këmbës në dorë. E ledhatonte, e fërkonte dhe i fliste:

-Shumë vickla ke hedhur sot, ma ke bërë gjurin copë. Por do qetësohesh, s’ke rrugë tjetër, duhet ta lesh rehat plagën se ndryshe do të të ndërroj. Do i them Mirit të më bëjë një protezë të re me dru të butë panje e ty do të të flak nga dritarja. Jo, jo, do të të mbaj, bëra shaka.

E ndërsa me një dorë fërkonte drurin, me tjetrën lyente gjurin me krem. Kalonin ditët me aq protagonizëm për të sa na dukej se edhe po të na shkrepte të mësonim balet ndonjë ditë do i drejtoheshim Nerënxës. Siç na ndodhi çudia e një mbasdite nëntori. Ndërsa po luanim futboll mes mëhallash te sheshi para pallatit loja u bë aq e egër sa nuk po merrnim vesh në gjuanim për gola a shanim njëri-tjetrin. Një çast Golja tha se pa një arbitër nuk do luajmë dot. E na pëlqeu kjo zgjidhje. Po vrisnim mendjen se kush do qe arbitri.

-Të bëjmë Nerënxën, -thashë unë.

Vëllai im më pa me çudi:

-E si do na ndjekë Nerënxa ne në fushë?

Kishte të drejtë, por dhe unë kisha të drejtë. Për fat Nerënxa qe te hyrja e pallatit, bënte muhabet me Hajrien.

-A bëhesh arbitër i ndeshjes sonë të futbollit?

-Bëhem, si s’bëhem, - tha ajo.

Dhe iku përpjetë shkallëve. Do marrë bilbilin apo atletet, u tallën ata të mëhallës tjetër. Por ja që Nerënxa doli majë ballkonit te kati i dytë. Si kapiten anije zotëronte gjithë fushën. I ra bilbilit e briti:

-Lojë!

Një pamje unike, emocionuese. Arbitrim nga ballkoni.

Tani Nerënxa nuk rron më. Ka vite që iku andej matanë. E varrosën bashkë me protezën. Ama jetoi krejt si ne normalët. Vërtet pati një këmbë mangut, ama e jetoi fort, fort çdo sekondë. Se në gjoksin e saj nuk qe një. Ishin dy zemra…

© Agim Xhafka