Vende & Zakone

Rahovec, te “Troja” e pijeve shqiptare - Nga Ndue Dedaj

Rahoveci është “kryeqyteti” i vreshtarisë së Kosovës, me një traditë të lashtë, katër mijë vjeçare. Kemi qenë dhe më parë këtu për të shkruar, por sot ishim nisur posaçërisht te Distellery “Troja”, me aq emër në prodhimin e pijeve alkoolike të traditës shqiptare.

“Troja” i përket familjes Kërçagu, ardhur nga fisi Kelmendi para katërqind vjetësh. Aty takuam të zotin e shtëpisë Ibrahimin, 75-vjeçar, babai i gjashtë djemve, si dhe njërin prej tyre, Dritanin, që është dhe mendja krijuese e inovative i pijeve të reja alkoolike, njëherësh dhe krijues letrar, autor i dy librave në poezi e prozë.

Teksa provojmë pijet e rralla alkolike, ulur në dhomën pritëse të kantinës artizanale, njihemi me verën e kuqe, rakinë e rrushit, ftoit, arrës, dardhës së egër, kumbullës, thanës etj.

Të bën përshtypje ruajtja e shijes së frutave me të cilat janë prodhuar pijet dhe ky është “sekreti” familjar i tyre.  Lidhur me këtë, në katalogun “Troja distillery”, thuhet: “Tradita e familjes sonë për fermentim dhe distilim shquhet për teknikën e saj të veçantë të prodhimit artizanal, e cila kishte zënë fill shtatë gjenerata më parë. Recetat tona të prodhimit të rakisë nga frutat organike janë përmirësuar dhe pasuruar ndër vite, për t’u bërë lehtësisht të dallueshme nga të tjerat, përmes shijes së tyre natyrale etj.”

Autoktonia vërehet në gjithë prodhimtarinë e markës “Troja”, ku jo rastësisht disa nga pijet kryesore të saj janë dizenjuar me emrin: “Lekë Dukagjini”, “Papa Albani”, “Gjergj Fishta”, “Sulltanija”, “Antika”, “Kërçag” etj.

Është interesant përshkrimi me detaje i secilës lloj rakie apo i verës Vranac, që shquhen për cilësinë, vjetërsinë, ekzotikën e të tjera veçanësi të bodrumit “Troja”.

© Ndue Dedaj - 14 shkurt 2024