Ekonomi

Produkti i brendshëm bruto dhe llogaria e kursimit pa taksa

  • Published in Ekonomi
Nga: ERMIR DARDHA

Ekonomia sot duket si një fushë studimore e vështirë dhe komplekse për tu kuptuar. Aq  më shumë e vështirë për t’u ndjekur mes pafundësisë së informacionit që rrjedh sot në mediat e specializuara apo shpejtësisë së ndryshimit të tregjeve financiare. Sidomos për një njeri që nuk është mësuar as me terminologjinë kjo bëhet akoma më e komplikuar. Monitorimi i treguesve të ndryshëm makro-ekonomikë apo analiza e shëndetit ekonomik të një vendi kryhet nga specialistë duke ju referuar disa treguesve ekonomikë kryesorë. Tre janë treguesit e përdorur zakonisht nga ekonomistët për të pasur një përgjigje nëse ekonomia është në rritje apo në ulje. I pari është produkti i brendshëm bruto (PBB), i dyti është norma e inflacionit dhe i treti norma e papunësisë.

Për të mbrojtur financat personale në nivel individual, mikro-ekonomik, çdo rezident i përhershëm apo qytetar kanadez, duke plotësuar disa kushte paraprake, ka ligjërisht dy mundësi. E para, të drejtën e çeljes së një llogarie të regjistruar si Llogaria e Kursimit pa Taksa (LLKPT). E dyta, krijimin i një plani të regjistruar të kursimeve të pensionit (PRKP) sipas Aktit të Tatimit mbi të Ardhurat, i regjistruar edhe në Agjencinë e të Ardhurave të Kanadasë.

Në këtë artikull do të përpiqemi të spjegojmë në mënyrë të përmbledhur e sa më të kuptueshme pikën e parë të indikatorit makro-ekonomik, produktin e brendshëm bruto (PBB). Gjithashtu do flasim përmbledhtazi edhe mbi strategjinë fiskale që një individ duhet të ndjekë për të ruajtur sadopak kapitalin e tij të kursyer (në Llogarinë e Kursimit pa Taksa) nga luhatjet e ekonomisë.

Produkti i Brendshëm Bruto (PBB)

Sasia e mallrave dhe shërbimeve që prodhon një vend është një nga treguesit kryesorë të shëndetit të ekonomisë. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) është një masë e vlerës totale të tregut të të gjitha mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara nga ekonomia në një vit. Ky indeks PBB matet në dollarë kanadezë. Vlera e PBB-së quhet zakonisht "nominale" ose "reale". PBB-ja nominale shprehet në terma të çmimeve aktuale të tregut, ndërkohë që PBB-ja reale është rregulluar ndaj ndikimit të inflacionit për të injoruar ndikimin e rritjes së çmimeve. Një rritje në PBB-në reale është interpretuar si një tregues që ekonomia po ecën mirë, ndërkohë që një rënie në PBB tregon që ekonomia nuk po funksionon me kapacitet të plotë.

Një rritje në PBB është në përgjithësi një rritje në të ardhurat e korporatave dhe një rritje në dividentët ose çmimet e aksioneve dhe investimet në lidhje me fondet e përbashkëta të fondeve për investitorët. Anasjelltas, një rënie në PBB në përgjithësi korrespondon me fitime më të ulëta për kompanitë dhe kthime më të ulëta për investitorët.

Llogaria e Kursimit pa Taksa (LLKPT)

logaria e kursimit pa taksa (LLKPT) ofron një mënyrë për të fituar të ardhura nga investimet pa taksa. Ndërkohë që llogaritë e tjera të regjistruara mund të shtyjnë tatimin mbi të ardhurat e fituara sipas planit, LLKPT është e ndryshme sepse të ardhurat nga investimet e planit janë pa taksa kur tërhiqen. Për të hapur një LLKPT, duhet të keni arritur moshën madhore, 18 ose 19 në varësi të provincës ose territorit në të cilin jetoni. Llojet e investimeve që mund të mbahen në një LLKPT përfshijnë: likuiditetet, fondet e përbashkëta, letrat me vlerë të listuara në një bursë të caktuar, çertifikata të garantuara të investimeve (ÇGI), obligacionet ose disa aksione të kompanive të vogla.

Gjithmonë është mirë të këshilloheni me specialistët fiskalë apo financiarë për të pasur të dhëna e informacion të saktë në hapat që do të ndërmerrni sepse çdo rast është i ndryshëm, por në çdo rast duhet të jeni brenda rregullave. Duhet patur parasysh se për këtë duhet të informoheni pranë institucionin përkatës për të ditur nivelin maksimal, apo tavanin tuaj të LLKPT. Për shembull, dikush që ka qene rezident i përhershëm apo qytetar kanadez prej vitit 2009, në vitin 2018 ka të drejtë të depozitojë një shumë deri në 57’500 dollarë kanadezë, shumë kjo që mund të jetë e shpërndarë në disa institucione financiare apo në disa banka të ndryshme të nivelit të dytë në Kanada. Kujdes gjithsesi. Në se ky tavan tejkalohet, për shembull gjatë një muaji, atëherë ka një penalitet fiskal prej 1% të balancës më të lartë në këtë llogari në atë muaj. Kjo vazhdon gjatë periudhës që ky tavan është tejkaluar. Çdo vit institucionet përkatëse rrisin tavanin sipas rritjes ekonomike apo inflacionit. Prej vitit 2009 që ka filluar LLKPT, ka pasur raste rritjeje nga 5.000 dollarë, 5.500 apo edhe 10.000 dollarë.

TERMINOLOGJI

Shqip: LLKPT - Llogaria e Kursimit pa Taksa

Anglisht: FTSA - Free Tax Savings Account

Frengjisht: CELI - Compte d’Epargne Libre d’Impot

Shqip: PBB - Produkti i Brendshëm Bruto

Anglisht: GDP - Gross Domestic Product

Frengjisht: PIB - Produit Intérieur Brut

Shqip: PRKP - Plani i Regjistruar i Kursimeve per Pension

Anglisht: RRSP- Registered Retirement Savings Plan

Frengjisht: REER- Régime Enregistré d'épargne-retraite

Shqip: ÇGI - Çertifikata të Garantuara të Investimeve

Anglisht: GICs - Guaranteed Investment Certificates

Frengjisht: CPG - Certificat de Placement Garantie

 

Ermir Dardha, MBA, ka kryer studimet për Biznes Ndërkombëtar në Universitetin e New-York në Tiranë. I specializuar në kontabilitet dhe këshillime financiare personale në fushën bankare për tregun financiar kanadez, ai jeton dhe punon aktualisht në Montreal pranë National Banc of Canada.