Ekonomi

Banka e Kanadasë paralajmëron që inflacioni ka arritur 8% e më shumë ndoshta

  • Published in Ekonomi

Inflacioni në Kanada mund të ketë arritur dhe madje ta kalojë shifrën 8% që në javën e ardhshme, kohë kur do të publikohen të dhënat për muajin qershor. Dhe ka të ngjarë të qëndrojë kaq i lartë për disa muaj. Kështu ka deklaruar Guvernatori i Bankës së Kanadasë, Tiff Macklem, gjatë një takimi me një grup përfaqësuesish të Federatës Kanadeze të Biznesit të Pavarur, që është zhvilluar të enjten (14.07), pikërisht një ditë pasi banka e rriti normën e interesit më 1%, duke e çuar në 2,5% (rritja më e lartë e menjëhershme që nga gushti 1998).

Javën e ardhshme do të publikohet dhe indeksi i çmimeve të konsumit, që gjithashtu parashikohet të jetë në rritje për shkak se çmimi i naftës ishte shumë i lartë në qershor. Ndërkohë në maj inflacioni u deklarua 7,7% dhe ishte më i larti që nga janari 1983, por edhe për disa analistë, inflacioni mund të arrijë deri në 8.3% për qershorin, çka do të ishte një rekord që nga viti 1982. Sipas asaj që raporton CBC/Radio-Canada, Banka e Kanadasë pret që inflacioni vjetor të jetë mesatarisht rreth 8% gjatë gjithë muajve të ardhshëm, por të bjerë përsëri në pothuajse 3% deri në fund të vitit 2023. Më pas, sipas parashikimeve ai duhet të stabilizohet në rreth 2% (objektivi i saj) gjatë vitit 2024.

Në takimin e së enjtes, Guvernatori i Bankës së Kanadasë ka shprehur gjithashtu shqetësimin për spiralen e rritjes së çmimeve dhe pagave. Në kuadër të mungesës së fuqisë punëtore, kompanitë po rrisin pagat për të mbajtur punonjësit e tyre. Megjithatë, kjo shpesh çon në çmime më të larta për konsumatorët, të cilët nga ana e tyre duan paga më të larta për të kompensuar inflacionin. “Si biznese, mos prisni që inflacioni të qëndrojë në normën aktuale. Mos e faktorizoni atë në kontratat tuaja afatgjata. Mos e përfshini në kontratat tuaja të punës. Do të duhet pak kohë, por të jeni të sigurt se inflacioni do të ulet”, është shprehur Macklem.

Nga ana e saj, gjatë një konference telefonike për shtyp, Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Financave Chrystia Freeland deklaroi sot (16.07) se qeveria e Kanadasë “nuk do t'i hedhë më shumë benzinë ​​zjarrit” në buxhetin e saj të ardhshëm duke synuar të luftojë shkaqet inflacionit dhe duke u fokusuar te politikat e punësimit dhe strehimit. Duke theksuar gjithashtu pavarësinë e Bankës së Kanadasë, ajo pohoi se ky institucion i disponon të gjitha mjetet dhe ekspertizën për t’i realizuar këto objektiva.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: The Canadian Press/Adrian Wyld

*Në foto Guvernatori i Bankës së Kanadasë Tiff Macklem