Kanada: Inflacioni arrin 7.7%, shifra më e lartë që nga janari 1983
- Published in Ekonomi

Pritej një rritje, por jo në këto përmasa. Sipas raportimit të djeshëm të Statistics Canada (22.06) inflacioni në vend ka arritur shifrën 7.7% gjatë muajit maj. Kjo rezulton të jetë rritja më e lartë e inflacionit në Kanada që nga janari 1983.
Ndërkohë që në prill, shifra ishte 6.8%, sipas Statistics Canada, përshpejtimi në këto përmasa i dedikohet rritjes me 12% të çmimeve të karburanteve nga prilli në maj dhe krahasuar me majin 2021, konsumatorët kanë paguar këtë vit 48,0% më shumë për benzinën, për shkak të çmimeve më të larta të naftës bruto, gjë që shkaktoi edhe çmime më të larta të mazutit për ngrohje dhe lëndëve djegëse të tjera (+ 95%).
Duke përjashtuar çmimet e benzinës, indeksi i çmimeve të konsumit u rrit 6.3% nga maji 2021 në maj 2022, pas rritjes me 5.8% në prill (rritja më e lartë qysh nga viti 1991). Rritja e çmimeve për shërbimet, si hotelet dhe restorantet, ka kontribuar gjithashtu tek rritja e inflacionit. Edhe çmimet e ushqimeve u rritën më 9.7%, ndërsa kostoja e strehimit me 7.4%, theksohej ndër të tjera në raportin e Statistics Canada.
Ndërkohë, pagat mesatare për orë u rritën me 3.9% nga maji 2021 në maj 2022, çka do të thotë se rritja e çmimeve e ka tejkaluar ndjeshëm rritjen e pagave gjatë 12 muajve të fundit.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada