Niveli aktual i papunësisë në Kanada është rreth 4.9%
- Published in Ekonomi
Sipas Statistics Canada, gjatë korrikut 2022, niveli i papunësisë qëndroi sërish në shifrat 4.9%, që korrespondon me nivelin më të ulët historik të regjistruar në qershor. Agjencia federale e statistikave ka njoftuar gjithashtu se në Québec, niveli i papunësisë për muajin e kaluar rezultoi 4.1%.
Në të gjithë Kanadanë, për kategorinë e personave (meshkuj dhe femra) të moshës 25 deri në 54 vjeç, grupmosha kryesore të punës, niveli i papunësisë llogaritet 4%, pak më i ndryshëm se qershori. Ky nivel gjithashtu ndryshoi pak tek personat e moshës 55 vjeç e lart, si dhe tek të rinjtë e moshës 15 deri në 24 vjeç.
Po sipas agjencisë federale, punësimi paraqet shifra pak të ndryshme në korrik, në krahasim me muajin e mëparshëm, duke rënë me vetëm 31,000 vende pune, por në krahasim me majin, ka rënë me 74,000 vende pune, ose 0.4%. Pas rënies për dy nga tre muajt e mëparshëm, punësimi mbeti i qëndrueshëm në Quebéc gjatë korrikut. Në zonën e Montréal-it, punësimi ndryshoi pak dhe shkalla e papunësisë mbeti e qëndrueshme në 4.7%.
Ndërkohë, gjetkë në Kanada, niveli i papunësisë në korrik u rrit në dy nga tre provincat e Atlantikut, krahasuar me qershorin. Ai shkoi nga 6.1% në 7.1% në New Brunswick dhe nga 4.9% në 5.7% në Prince Edward Island. Ndërsa në Nova Scotia, papunësia ra nga 7% në 5.9%.
©Flasshqip me informacion nga Radi-Canada
Foto: The Canadian Press/Frank Gunn