Kanada - Nga inflacioni pritet rritje e mëtejshme e çmimit të produkteve ushqimorë
- Published in Ekonomi
Sipas një artikulli të The Canadian Press të publikuar më 13 maj, konsumatorët kanadezë duhet të përgatiten për një goditje të fortë inflacioniste që do të ketë si pasojë rritjen e mëtejshme të çmimeve të mallrave ushqimorë.
Nëse nuk do ketë një ndërhyrje serioze dhe të shpejtë nga qeveria, qytetarët jo vetëm që nuk do përfitojnë nga zbutja inflacioniste e stinës së verës që vjen si pasojë e produkteve lokalë, por sidomos në zonat larg qendrave të mëdha të banuara situata do përkeqësohet për shkak të kostove më të larta të transportit që do ndikojnë direkt në rritjen e faturës që do paguhet në shitoret e ushqimeve.
Aktorët e interesuar në radhët e komunitetit të prodhuesve bujqësorë të kontaktuar gjatë ditëve të fundit nga The Canadian Press kanë qenë unanimë: situata është katastrofike, sepse pothuajse të gjitha kostot e prodhimit janë rritur në ekstrem. Madje disa prej tyre besojnë se përtej çështjes së çmimeve, në pyetje është çështja e sigurisë apo përndryshe e sovranitetit ushqimor që rrezikon të kompromentohet në planin afatmesëm dhe afatgjatë.
Rritja e kostos së karburantit dhe plehrave kimikë
Të gjitha makineritë bujqësore punojnë me naftë dhe megjithëse karburanti për prodhimin bujqësor mund të jetë më i lirë se ai i shitur me pakicë për transport, çmimi i tij është dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar. Në pranverën e vitit 2021, nafta bujqësore shitej për pak më pak se 1,00 dollarë për litër. Më pas, u rrit deri në masën mesatare prej 1.26 dollarë. Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, çmimi u rrit më tej dhe që nga e enjtja e javes që sapo u mbyll kushton 2.05 dollarë për litër.
Sipas Martin Caron, kryetar i Unionit të Prodhuesve Bujqësorë të Québec, i cili vetë është pronar i një ferme me madhësi mesatare dhe prodhues qumështi e drithi, nafta atij i kushton rreth 14,000 dollarë për sezon. Këtë vit pritet t’i kushtojë minimalisht rreth 10 mijë dollarë më shumë, pra një rritje prej 71%.
Disa prodhues ua besojnë nënkontraktorëve një pjesë të operacioneve si mbjellja apo plehërimi, që zakonisht paguhen me orë dhe tani për këtë do ketë një kosto shtesë karburanti, pra një burim tjetër inflacioni. Ndërkohë do të rritet dhe kostoja e transportit të produkteve të freskëta drejt qendrave të mëdha të banuara.
Fermerët e ketushëm e kanë blerë plehun e tyre azotik pothuajse ekskluzivisht nga Rusia. Lufta në Ukrainë përkeqësoi kësisoj një problem tashmë të njohur, atë të çmimit të lartë për këtë produkt, sepse sanksionet kanadezë vendosën një mbitaksë shtesë prej 35% për plehrat rusë. Nëse vitin e kaluar një ton shitej për 630 dollarë tani një ton kushton më shumë se 1500 dollarë, pothuajse trefish më shtrenjtë.
Efekti domino i drithërave mbi çmimet e mishit dhe qumështit
Një fushë e rëndësishme e përdorimit të drithërave është ushqimi i kafshëve. Prej rreth 12 muajsh, flitet shumë për rritjen e kostot së ushqimit, veçanërisht për rritjen e kostos së drithit. Rritja e çmimit të plehrave dhe lëndëve djegëse, ndikon drejtperdrejt në rritjen e çmimit të drithërave.
Në këtë kontekst, pritet një rritje të mëtejshme e kostos së mishit, dhe kur bëhet fjalë për qumështin - dhe rrjedhimisht, produktet e qumështit - rritja rekord e shkurtit të kaluar prej 8.4% do të pasohet nga një rritje akoma më e konsiderueshme.
Kostot e krahut të punës
Rritja e pagës minimale, e ardhur që mezi mjafton për të mbijetuar, është diçka që duhet vlerësuar pozitivisht, por një pjesë e kësaj rritje sigurisht që do të përballohet nga konsumatorët. Ndikimi pritet të ndihet sidomos tek çmimi i disa lloj frutash që mbillen dhe prodhohen në tokë (si p.sh. luleshtrydhet), fruta për të cilat kostoja e punës arrin në 50%. Përveç kësaj, në një kontekst të mungesës së fuqisë punëtore, shumë prodhuesve do t'u duhet të ofrojnë më shumë se paga minimale.
Burimi: Radio-Canada
Foto: The Canadian Press/Frank Gunn