Ekonomi

Çudira shqiptare - Nga Zef Preçi

  • Published in Ekonomi

Fjalët masterplan, strategji e zhvillimit, zhvillim i integruar, përparësi në zhvillim, mbrojtje e interesave strategjike, mbrojtje e interesave kombëtare, mbrojtje e interesave të komunitetit, zhvillim ekonomik rajonal, Korridori  VIII, bashkërendim i planeve të zhvillimit afatgjatë me Kosovën, ridimensionim pozitiv i rolit ekonomik të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor, etj., ngjajnë si fjalë të huaja për ekzekutivin shqiptar… Për më tepër që marrëveshjet koncesionare ndërshtetërore për sektorët strategjikë të ekonomisë, ku bëjnë pjesë edhe portet, aeroportet, etj., i takojnë një kohe të shkuar, të paktën të para njëzet viteve. Aq më tepër që pretendojmë se kemi edhe Kushtetutë e ligje, Parlament dhe dëgjojmë të flitet vend e pa vend për shtet ligjor, shtet të së drejtës, integrim në Bashkimin Europian, etj.

Të jemi të qartë, bartës i përgjegjësive institucionale për zhvillimin e ekonomisë kombetare është qeveria shqiptare, cilado qoftë ajo, e majtë apo e djathtë. Por kjo lidhet vetëm me periudhën që qeveris, pra me mandatin, dhe asnjë qeveri nuk zotëron atributet e pronarit. Kjo do të thotë se vendim-marrja për zhdukjen nga harta të Portit dymijëvjeçar të Durrësit, në mos një vendim-marrje korruptive dhe në përmasat e një skandali ndërkombëtar, është një nxitim i dyshimtë i z. Rama dhe qeverisë së tij.

Është largim nga Kushtetuta sa i takon mënyrës se si procedohet në privatizimin e aseteve publike. Është injorim total i procedurave të njohura ligjore dhe kushtetuese për marrjen e nje borxhi publik të ri, është vazhdim me kryeneçësi i formës së investimeve të llojit partneritet-publik-privat. Është sjellje klienteliste në nivel shtetëror, që nuk mund të mos ngjallë shqetësim në Bruksel. Është largim nga përparësitë zhvillimore të shpallura edhe/ose të identifikuara për sektorin e transportit detar të vendit dhe përgjithësisht për marrëdhëniet ekonomike e tregtare të Shqipërisë me botën e jashtme. Është një hap financiarisht i gabuar, sepse qeveria po nxiton të marrë të paktën edhe 200 milionë Euro borxh të ri, për ndërtimin e një porti tjetër, tërësisht të panevojshëm, në të njëjtin rajon, etj.

Duke lexuar këto radhë ndokush mund të mendojë se unë dhe shumë të tjerë që mendojnë njëlloj si unë, jemi kundër zhvillimit të rajonit të Durrësit. Absolutisht jo. Porti i Durrësit dhe bashkë më të i gjithë rajoni i Shqipërisë së Mesme nuk mund të zhvillohen me një nga bizneset e njohur botërisht për shkallën e ulët të shfrytëzimit të kapaciteve, për ndërvartësitë ndaj infrastrukturës së mirëmbajtjes, turizmit, ekonomisë së gjelbër, etj. Aq më pak të mund të jetë në gjendje të konkurrojë në këtë fushë (jahtet) në Mesdhe…

Në radhët e elitës politike shqiptare mund të ketë edhe ndonjë segment që mendon se në këtë proces jotransparent e klientelist të z. Rama krijohet mundësia për të ushtruar presion mbi BE, ashtu sikurse ndonjë segment tjetër mendon se përmes këtyre vendimeve të llojit të faktit të kryer qeveria shqiptare do të shndërrohet në objekt të kritikave të BE. Të dy mendoj se janë qëndrime naive dhe jo racionale.

BE nuk e njeh presionin edhe sikur ky hap i qeverisë shqiptare të perceptohet si i tillë, ashtu sikurse është përgjegjësi e plotë e kësaj të fundit përballja me pasojat e vendimeve të veta në periudhën e para-anëtarësimit. Për këtë mjafton të kujtojmë historinë e frikshme të borxhit të fqinjit verior (Malit te Zi) ndaj Kinës, për ndërtimin e një autostrade që lidh bregun e Adriatikut me kufirin Serb, për të cilin Brukseli u pozicionua qartësisht në favor të përgjegjësisë së qeverisë malazeze. 

Së fundi, qeveria shqiptare dhe zërat racionalë në Kuvendin e Shqiperisë, mendoj se duhet të marrin përgjegjësitë e veta për disiplinimin e sjelljes në raport me nivelin shqetësues të borxhit Publik dhe domosdoshmërinë që çdo rritje e mëtejshme e detyruar e këtij borxhi të shihet e lidhur me rritjen e prodhimit vendas, me zbutjen e varfërisë përmes zgjerimit të punësimit, me integrimin shqiptaro-shqiptar të ekonomisë, me frenimin e rritjes së varfërisë së 3-4 viteve të fundit dhe  përmirësimin kështu të mirëqënies së qytetarëve shqiptarë.

Ekziston edhe një aspekt tjetër që lidhet me analogjinë midis Durrësit dhe Dubait, për mendimin tim jo shumë e gjetur. Kjo për faktin e thjeshtë të qëllimit të ngritjes në shkretëtirë dhe mbi ujë të një gjigandi si Dubai, nga regjime diktatoriale që zotërojnë pasuri të pafundme dhe rastit të Durrësit, që është një pasuri e vyer kombëtare dhe europiane e keqmenaxhuar, që duke u shndërruar në një port jahtesh, rrezikon të shndërrohet në një shkretëtirë për ekonominë e brishtë shqiptare dhe një gur i rëndë në qafën e financave të vendit. Nuk po flas për çështjet që lidhen me mentalitetin e qytetarëve, shkallën e zhvillimit të klasës së mesme, moralin publik, besimet fetare, etj.

©Flasshqip.ca