Ekonomi

A duhet të rishikohet mandati i Bankës së Kanadasë? - Nga Gérald Fillion

  • Published in Ekonomi

Gérald Fillion - Analist ekonomik i Radio-Canada

Perspektiva e një recesioni po nxit shumë ekspertë dhe politikanë të vënë në dyshim mandatin e Bankës së Kanadasë. Nëse, politikisht, është normale të tregohet me gisht banka qëndrore si përgjegjëse për një pjesë të vështirësive tona, në realitet, është me rëndësi dhe plotësisht e justifikuar të parashtrohen disa pyetje rreth misionit dhe mandatit të saj.

Ky mandat, i cili u rinovua dhe u ndryshua pak në vitin 2021, përcaktohet nga Akti i Bankës së Kanadasë. Sipas marrëveshjes me qeverinë, banka qëndrore duhet të promovojë stabilitetin e çmimeve dhe një nivel maksimal të qëndrueshëm të punësimit. Thënë kështu, objektivi i saj kryesor është, që me kalimin e kohës, të mbajë inflacionin të ulët dhe të qëndrueshëm.

Dhe kjo është arsyeja pse Tiff Macklem, Guvernatori i Bankës së Kanadasë, tha në një intervistë për emisionin “Zone économie” të mërkurën e kaluar në mbrëmje (26.10) se ai me të vërtetë nuk kishte zgjidhje tjetër, përveçse të vepronte siç po bën tani. “Nuk ka asnjë mënyrë të kollajshme për të rivendosur stabilitetin e çmimeve”, deklaroi ai. “Nuk mund të them se do të jetë e lehtë. Unë e kuptoj që shumë kanadezë janë në borxhe. Dhe rritja e normave të interesit do të shkaktojë më shumë stres tek ata. Është diçka që po e vëzhgojmë me shumë vëmendje”.

Banka e rriti normën bazë të interesit nga 0.25% në 3.75% nga marsi në tetor, një rritje e shpejtë dhe historike, e cila ende nuk ka mbaruar, megjithëse duket se po i vjen fundi. Kjo rritje e normave po e frenon ekonominë. Tregu i banesave është në rënie dhe shpenzimet e konsumatorëve dhe të biznesit po ngadalësohen, gjë që e ka shtyrë Tiff Macklem të thotë se politika e tij po funksionon.

“Ne nuk kemi parë ende efekte të mëdha mbi inflacionin nga rritja e normave të interesit”, pohoi tha guvernatori. “Por ne kemi filluar të shohim efektet në ekonomi: në tregun e banesave, për shembull, dhe blerjet e mëdha. Shohim që normat e interesit kanë filluar të ulin aktivitetin dhe kjo do të ulë presionin rritës mbi inflacionin. Pra, shpresojmë se së shpejti do fillojmë të shohim një rënie të normës së inflacionit”.

Me koston e një recesioni?

Por, sipas disa ekonomistëve, kjo rritje e shpejtë e normave po na çon drejt recesionit. “Nuk do të jetë një tkurrje e madhe [...], nuk do të jetë një recesion i madh”, ka theksuar Tiff Macklem, i cili e shikon situaten më shumë si një ngadalësim të ekonomisë nga tani deri deri në verën e ardhshme, me një rritje të PBB-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto) rreth 0% për tremujorët e ardhshëm.

Megjithatë, me qindra mijëra kanadezë po përballen me norma në rritje që e ulin ndjeshëm aftësinë e tyre për të përmbushur të gjitha detyrimet e tyre financiare. Dhe nga maji në shtator, Kanadaja ka humbur gati 100,000 vende pune me kohë të plotë. Rritjet e normave, të cilat synojnë zbutjen e inflacionit, sjellin paralelisht efekte të tjera negative, financiare dhe ekonomike.

Kjo është arsyeja, sipas të cilës, ekonomistja dhe senatorja Diane Bellemare është e mendimit se duhet miratuar një mandat “i dyfishtë” për Bankën e Kanadasë, si në Shtetet e Bashkuara: sipas saj, objektivat e stabilitetit të çmimeve dhe punësimit maksimal. Megjithatë, në Kanada, shkalla e punësimit zë një vend më pak të rëndësishëm në procesin e vendimmarrjes së bankës qëndrore.

Në fakt, tek ne, ruajtja e një niveli të qëndrueshëm punësimi është detyrë e qeverisë dhe e politikave të saj fiskale. Ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara angazhimi i Rezervës Federale është më i madh, në Kanada duket se praktika është më shumë e fokusuar tek harmonizimi midis politikave fiskale dhe atyre monetare.

Kjo qasje mbase nuk është shumë optimale. Me mandatin aktual të Bankës së Kanadasë, që është pothuajse ekskluzivisht i përqëndruar te kontrolli i inflacionit, ndodh që për shkak të situatave të caktuara qeveritë detyrohen të ndërmarrin veprime që praktikisht e pengojnë aktivitetin e bankës qëndrore.

Për shembull, për shkak të ngadalësimit të ekonomisë, për shkak se ka njerëz që po humbin vendet e punës, për shkak të kostos së jetesës që po rritet, aktualisht po shohim që qeveritë, ajo federale, por edhe në disa provinca, veçanërisht në Québec, po injektojnë miliarda dollarë në ekonomi në formën e ndihmës dhe çeqeve, masa këto që mund të nxisin akoma inflacionin.

Nëse banka qëndrore do të merrte më shumë parasysh situatën ekonomike dhe të punësimit, ndoshta do t'i kishte rritur më pak normat e interesit. Ndoshta mund të kishte vepruar shumë përpara marsit 2022, gjë që do të kishte një efekt më pak brutal mbi rritjen ekonomike. Dhe qeveritë ndoshta do ndërhynin më pak me para të injektuara direkt tek taksapaguesit.

A mund ta kritikojmë Bankën e Kanadasë?

Situata aktuale shumë e veçantë na fton të ngremë disa pikëpyetje në raport me aktivitetin e bankës qëndrore dhe mandatin e saj. Jo vetëm që guvernatorit Macklem duhet t'i bëhen pyetje rreth mënyrës se si ai e trajtoi inflacionin për më shumë se një vit, gjë që unë e kam bërë, por është gjithashtu thelbësore të konfrontohet apo analizohet mandati i bankës në raport me ekonominë reale.

Rritja e normave të interesit është e shpejtë, e lartë, brutale dhe efekti i saj mbi inflacionin do marrë kohë për t'u konkretizuar. Ndërkohë, ekonomia po ngadalësohet, njerëzit po hyjnë më shumë në borxhe, vende të tjera pune po suprimohen.

Tiff Macklem e pranon kritikën dhe gjithashtu pranon të merret në pyetje. “Është e qartë se jemi në një periudhë të vështirë. Inflacioni është shumë i lartë. Ekonomia po fillon të ngadalësohet. Ne kemi rritur ndjeshëm normat e interesit. Kanadezët dhe zyrtarët e zgjedhur kanë shumë pyetje për ne dhe kjo është e kuptueshme dhe e mirëpritur”, ka thënë ai.

Nga ana e tij, lideri i NDP (New Democratic Party) Jagmeet Singh, ka bërë thirrje për një rishikim të mandatit të Bankës së Kanadasë. Sipas tij, për shkak të masave tepër drastike, kjo bankë është pjesërisht përgjegjëse për recesionin më të cilin mund të përballet së shpejti Kanadaja.

Në një letër drejtuar kryeministrit Justin Trudeau, ai denoncoi sugjerimet e fundit të guvernatorit Macklem, “i cili këshilloi kompanitë të mos përfshijnë paga më të larta në kontratat me punonjësit e tyre, pavarësisht faktit se pagat nuk e ndjekin dot ritmin e inflacionit”.

Kjo zgjidhje e fokusuar vetëm tek inflacioni”, shkruante ai, “po hedh tashmë bazat për një recesion dhe po e bën të vështirë jetesën për shumicën e kanadezëve, veçanërisht familjet që punojnë dhe njerëzit me të ardhura fikse, si të moshuarit apo njerëzit me aftësi të kufizuara. A beson qeveria se veprimet e fundit të Bankës - duke rritur në mënyrë të konsiderueshme normat e interesit dhe duke cënuar kështu punësimin - janë në përputhje me objektivin e një shkalle punësimi maksimal të qëndrueshëm?”, shkruante Singh.

Kreu i NDP shtron një pyetje thelbësore, e cila nxit me të drejtë të rifillojë debati, sepse inflacioni prek veçanërisht njerëzit më pak të pasur, por rritjet drastike të normave të interesit kanë gjithashtu një efekt të madh mbi situatën financiare të miliona familjeve në vend.

Dallimi mes Jagmeet Singh dhe Pierre Poilievre

Kritika e Jagmeet Singh, duhet theksuar, është shumë e ndryshme nga ajo e Pierre Poilievre, liderit të Partisë Konservatore, i cili premtoi se do të shkarkojë Tiff Macklem nëse bëhet kryeministër i Kanadasë.

Për Pierre Poilievre, banka qëndrore ka vepruar si sportel tërheqje automatike parash i qeverisë gjatë pandemisë, kriptovalutat përfaqësojnë një ilaç kundër inflacionit dhe qytetarëve duhet t'u jepet liria për të zgjedhur monedhën e tyre pa qenë nevoja të ndërhyjë Banka e Kanadasë duke printuar dollarë dhe duke zhvlerësuar monedhën. Une mendoj se këto komente nuk kanë të bëjnë me debatin thelbësor dhe të domosdoshëm që duhet të zhvillojmë për mandatin dhe objektivat e Bankës së Kanadasë. Thënë kështu, sigurisht ne nuk mund të rrimë në heshtje për punën e saj.

Ndërkohë, në kampin e qeverisë, ministri i Shëndetësisë Jean-Yves Duclos, deklaron se nuk mund të vihet në dyshim besueshmëria e bankës qëndrore. “Zyrtarët e zgjedhur duhet të bëjnë gjithçka”, tha ai, “për të garantuar kapacitetin e saj në kryerjen e detyrës”.

Si konkluzion, mendoj që edhe pse vërejtjet e Pierre Poilievre vërtet ngjallin njëfarë shqetësimi për vlerësimin që kreu i Partisë Konservatore ka për Bankën e Kanadasë, është po kaq e vërtetë, siç janë shprehur Diane Bellemare ose Jagmeet Singh, që është e domosdoshme të ngremë pikpyetje për punën e bankës qëndrore dhe veprimet e saj për të ulur inflacionin, veprime që mund ta zhysin ekonominë kanadeze në recesion.

Burimi: Radio-Canada, 29 tetor 2022

Fotot: The Canadian Press

Shqipëroi nga frengjishtja Flasshqip.ca

*Gérald Fillion është gazetar i specializuar në fushën e ekonomisë dhe drejtues i programit “Zone Économie”. Ai shkruan rregullisht rreth çështjeve kryesore ekonomike, qofshin ato lokale, kombëtare apo ndërkombëtare.