Ekonomi

Efektet e inflacionit mbi ekonominë kanadeze dhe financat e familjeve - Nga Ermir Dardha

  • Published in Ekonomi
Nga: Përgatiti Taulant Dedja

Ermir Dardha BSc, BA, MBA, është specialist i ekonomisë ndërkombëtare me një karrierë dhe eksperiencë të gjatë në institucionet financiare. Ai ka qenë themeluesi i departamentit të korporatave në ProCredit Bank Albania, drejtues dege dhe deri më 2012 Koordinator i Marrëdhenieve me Publikun në të njëjtin institucion, vit kur u zhvendos në Montréal, Kanada, së bashku me familjen. Gjatë këtyre viteve ai ka vazhduar dhe vazhdon të punojë në industrinë financiare kanadeze, si këshillues financiar për Banken Nacionale, specialist për dalje nga borxhi për Capital One gjatë Pandemisë, dhe prej 2021 e në vazhdim, si këshillues i përgjithshëm për Desjardins. Sot ai është i ftuar në Flasshqip, në një intervistë me fokus situatën ekonomike dhe inflacionin në Kanada.

Flasshqip: Ermir, sipas jush cilat janë shkaqet e krizës ekonomike dhe inflacionit më të lartë në Kanada në tri dekadat e fundit?

Ermir Dardha: Nëse i referohemi studimit të fundit të Statistics Canada tetor 2022, raportuar pak ditë më parë, shkaqet kryesore që kanë shkaktuar inflacionin më të lartë në 30 vitet e fundit në Kanada janë disa. Në parantezë do thoja që edhe Indeksi i Çmimit të Produkteve të Shportës apo konsumit bazë, ka pësuar rritjen më të madhe vjetore prej vitit 1981, që është 11.4% për dymujorin shtator-tetor 2022 dhe parashikohet të jetë rreth 12% për dymujorin e fundit të 2022. Rreth 43% e popullsisë kanadeze do të preket nga inflacioni i çmimeve të shportës dhe do të ndiejë vështirësi e rënie të fuqisë blerëse në muajt e ardhshëm. Ndërsa 20% e tyre do t’u drejtohen për 6 muajt e ardhshëm organizatave komunitare që ndihmojnë me ushqime (bankat ushqimore). Le t’i shohim faktorët kryesorë një e nga një.

E para, efektet e Covid-19 në ekonomi, si rritja e kostove, sepse proçedurat e prodhimit iu përshtatën kuadrit rregullator për të luftuar pandeminë. Nëse preken kostot direkte në linjat e industrisë së prodhimit, kjo përcillet direkt tek konsumatori, apo përdoruesi përfundimtar në rastin e shërbimit. Mbylljet e përkohshme apo kostot e zhvendosjes dhe mungesa e punonjësve e ulën kapacitetin prodhues.

E dyta, koha jo e mirë në zonat prodhuese agro-bujqësore, si thatësirat gjatë periudhës së prodhimit apo kushte të këqija klimatike, fenomene të shtuara si përmbytje, uragane, ngrica. Gjatë dy viteve të fundit transportet u përballën me vështirësi nga pandemia etj. Efektet klimatike në vitin 2021 në provincat Prairies në Kanada sollën prodhime në sasi më të vogla në treg dhe provokuan kërkesë më të madhe nga konsumatori. Ky fenomen nuk ndodhi vetëm në kontinentin Amerikan por ishte global (ngrica në Texas, por edhe thatësira në Brazil, për pasojë çmimi botëror i kafes do të pësojë rritje të vazhdueshme, perimet janë rritur rreth 11%, ndërsa frutat e freskëta 8.9%).

E treta, lufta në Ukrainë që ka prekur bursat botërore apo embargot e vendosura mbi eksportet ruse dhe bjelloruse që kanë ndikuar në rritjen e kostove globale të fertilizuesve dhe eksporteve të drithërave, e për rrjedhojë edhe në rritjen e çmimeve.  Çmimet e naftës dhe nënprodukteve të saj janë luhatur e rritur shumë gjithashtu.

Flasshqip: Në situatën aktuale, cila sipas jush është pjesa më e goditur e shoqërisë kanadeze?

Ermir Dardha: Të gjitha shtresat janë goditur pa përjashtim, por pjesa më e goditur është shtresa e varfër e shoqërisë që qëndron në minimumin jetik si dhe ajo e mesme me të ardhura vjetore mesatare rreth 80 mijë dollarë, që është dhe më e madhja si përqindje në raport me totalin e popullsisë.

Flasshqip: Të ndalemi pak tek masat e ndërhyrjes nga institucionet përgjegjëse. A mendoni se Banka Qëndrore e Kanadasë veproi në kohën e duhur me rritjen e normës së interesit apo duhej të kishte vepruar më parë?

Ermir Dardha: Veprimi ishte i ndarë me faza. Për të pritur efektin që jep, kjo rritje u bë e përshkallezuar, pavarësisht se institucionet financiare u informuan që nga muajt prill dhe maj 2022, që disa rritje do të kryeshin mbi normën bazë të dollarit kanadez. Pas rritjes më të fundit me 0.5% nga Banka Qëndrore e Kanadasë në 26 tetor 2022, sot ndodhemi në normën bazë 3.75%. Pra 100 dollarë u kushtojnë bankave të nivelit të dytë për një vit 103.75 dollarë. Objektivi dhe detyra e Bankës së Kanadasë është që inflacioni të ruajë normën 1% deri 3%, por sipas Indeksit të Çmimeve të Konsumit tê shportës sot jemi mesatarisht 11.4%. Kjo në krahasim shtator-tetor 2021 periudhe e analizës krahasuar me shtator-tetor 2022. Pra një zhvlerësim me 7.65% ose 4.65% mbi objektivin. Ose e thënë thjesht në 100 dollarë kanadezë forca e blerjes ka rënë me 7.65 dollarë kanadezë. Për këtë arsye pritet një rritje tjetër e paralajmëruar e normës së interesit nga Banka Qëndrore Kanadeze në datën 7 dhjetor 2022.

Flasshqip: A mjaftojnë vetëm çeqet e shpërndarë nga disa provinca tek qytetarët për përballimin e situatës? Apo mund të merren dhe masa të tjera?

Ermir Dardha: Janë marrë disa masa edhe nga qeveria federale Liberale në pushtet si p.sh. dyfishimi i rimbursimit të taksës 5% (tatimi federal mbi vlerën e shtuar) kjo për familjet me të ardhura të vogla që Liberalët kanë në fokus. Ndihmë për mjekime dentare deri në 1300 dollarë, çeqe rimbursimi po për këto familje dhe përllogaritje taksimi i të ardhurave në bazë 3 mujore, që reagimi të jetë më i shpejtë në rimbursim. Rivlerësim i pensioneve të ulëta për moshën e tretë 800 dollarë. Por këto lëvizje nuk mjaftojnë, përfshi dhe ato të qeverive provinciale. Ato nuk mbulojnë totalisht inflacionin për shtresat e ulëta dhe të mesme. Zbusin disi ndikimin për shtresën e varfër të shoqërisë kanadeze, por nuk e eliminojne atë totalisht, ndërsa tek shtresat e mesme, nëse indeksi i çmimit nuk pëson stabilizim, kriza do të godasë kursimet apo kreditë e tyre edhe më fort.

Flasshqip: Si parashikohet ecuria e ekonomisë kanadeze në muajt në vazhdim? Shumë ekspertë paralajmërojnë se mund të ketë recesion vitin e ardhshëm…

Ermir Dardha: Nëse shohim çmimet e përbërësve të një pice për shembull, referuar Statistics Canada sipas raportit të fundit të indeksit të çmimeve, nga figura më poshtë kuptojmë që mielli dhe lëndët e para përzierëse kanë pësuar një rritje shumë të madhe 23.2%. Gjalpi 20.2%, Veza 13.8% etj. Çmimet tregojnë një rritje jo normale dyshifrore, çka paralajmëron që ekonomia pritet të ketë ditë të vështira. Çmimi i energjisë dhe produkteve e nënprodukteve të naftës ka pësuar rritje të vazhdueshme, gjë që ka rritur edhe kostot e transportit. Por përpara recesionit është një fazë tjetër, stagnacioni, që do të thotë ndalimi i ekonomisë, pra tendenca për të mos shpenzuar, por për të kursyer më shumë e për të përballuar ditë më të vështira. Kjo edhe nga tendenca në rritje e normave të interesit për depozitat. Gjërat janë duke lëvizur shumë shpejt. Ka faktorë të jashtëm e të brendshëm që luajnë rol, disa të kontrollueshëm e disa jo, nga ndikimi i bursave botërore…

Flasshqip: Nëse do të kishit në dorë vendimmarrjen, çfarë masash do të merrnit për të lehtësuar qytetarët nga rritja e çmimeve, veçanërisht të shportës ushqimore dhe karburanteve? Kemi parasysh këtu që grosistët e mëdhenj ushqimorë apo ata të karburanteve kanë rritur fitimet, ndërsa fuqia blerëse e shumicës së qytetarëve është zvogëluar…

Ermir Dardha: Pyetje e vështirë kjo. Megjithatë ajo që mund të rendis është që do të kisha ngritur një grup pune që zbërthente e të rendiste përqindjet e Indekseve të Çmimit të Produkteve dhe zëvendësuesve të tyre. Pas renditjes nga me i larti deri tek me i ulëti, do të nxisja forcimin e prodhimit të brendshëm si dhe lehtesimin e sipërmarrjes, që ekonomia të prodhojë kapital qarkullues duke filluar nga ndikuesit me përqindjen më të lartë. Më tej do të fuqizoja ekonominë e shkallës rajonale brenda NAFTA's (North American Free Trade Agreement, organizim ekonomik si Europa, për Kanadanë, Amerikën dhe Meksikën), për të ulur varësinë nga disa produkte të caktuar rusë nën embargo. Gjithashtu do të ndihmoja më shumë klasën e mesme, duke ulur tatimin, që tek kjo shtresë të zbuten efektet e inflacionit, çka do të mbante konsumin në rritje, gjë që i intereson biznesit. Po kështu, do të rrisja kontrollin mbi spekulantët si dhe taksimin mbi rritjen galopante të grosistëve, nëse rezulton si e tillë rishpërndarja e saj.

Flasshqip: Si e gjykoni debatin që karakterizoi fushatën e fundit elektorale në Québec për kuotat e imigracionit, në raport me realitetin e mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar në shumë sektorë të rëndësishëm?

Ermir Dardha: Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjem shkurt. Jam dakort me mendimin e opozitës federale Konservatore. Liçensat për profesionistet duhet të jenë më të aksesueshme. Si rregull një provim shtetëror pranimi duhet te mjaftojë, nëse dikush ka punuar 10 vjet doktor, infermier apo laborant, inxhinier, ekonomist apo profesor. S’ka nevojë për shkollë përsëri, apo burokracira të tjera. Provimin dhe më tej edhe akses në punë ku ka nevojë shoqëria kanadeze. Spitalet dhe Shërbimi Shëndetësor vuajtën më shumë nga pandemia dhe jo vetëm, por kërkesa ka çdo sektor, ekonomia, agro-industria, edukimi apo energjia dhe prodhimi i produkteve e nënprodukteve të naftës etj. Ekonomia dhe kompanitë si edhe qeveritë federale apo provinciale, kanë nevojë për çdo hap që do të çlirojë tregun. Për mos të folur më tej që një pjesë e madhe e fuqisë punëtore është në vitet e fundit përpara daljes në pension…

Flasshqip: Ju falemnderit!

©Flasshqip.ca