BE rrëzon PPP-të: Miliarda euro humbje dhe vonesa
- Published in Ekonomi
Gjykata Europiane e Audituesve ka deklaruar se kontratat e partneritetit publik-privat sjellin humbje të mëdha financiare për taksapaguesit. Përfundimi ka dalë pas auditimit të 87 kontratave koncesionare, që janë dhënë nga vendet e Bashkimit Europian për përiudhën 2000-2014.
Analiza e ekspertëve të gjykatës është fokusuar veçanërisht në 7 projekte autostradash në Greqi dhe Spanjë. Sipas raportit, këto projekte janë tenderuar me një kosto fillestare prej 7.8 miliardë eurosh. Por, gjatë zbatimit, kostoja e tyre është rritur me 1.5 miliardë euro të tjera, ose gati 20 për qind mbi vlerën fillestare, të cilën gjykata e ka klasifikuar si dëm ekonomik.
Ky nuk është dëmi i vetëm i konstatuar. Veç rritjes së kostove, realizimi i projekteve me partneritet publik-privat ka rezultuar me vonesa të mëdha në përfundimin e veprave, deri në 5 vite nga afati fillestar.
“Përfitimet potenciale të PPP-ve shpesh nuk janë arritur, për shkak të vonesave dhe rritjeve të kostove, duke rezultuar në 1.5 miliardë euro shpenzime joefektive” - thuhet në vendim.
Burimi: shekulli.com.al











