Ekonomi

Papunësia - Kostot social ekonomike dhe sigurimi i papunësisë në Kanada

  • Published in Ekonomi
Nga: Përgatiti Armando Mosho*

Ndërsa ekonomistët dhe akademikët japin argumente bindëse se ekziston një nivel i caktuar natyror i papunësisë që nuk mund të fshihet, papunësia e lartë imponon shpenzime të konsiderueshme për individin, shoqërinë dhe vendin. Më keq akoma, shumica e kostove janë të fshehura nga larmia e humbjeve, ku nuk ka fitime kompensuese të kostove që duhet të mbajnë të gjithë. Në varësi të mënyrës se si matet, shkalla e papunësisë mbetet e hapur për interpretim.

Shpenzimet për individin

Kostot e papunësisë për individin nuk janë të vështira për t'u imagjinuar. Kur një person humbet punën, ky fakt ka një ndikim të menjëhershëm në standardin e jetës së tij. Një individ me të ardhura mesatare pa një punë paguese, gjendet vetëm disa javë larg problemeve serioze financiare. Edhe për ata që përfitojnë pagesa nga papunësia dhe forma të tjera të ndihmës qeveritare, shpesh ndodh që këto përfitime të zëvendësojnë 50% ose më pak të ardhurave të tyre të rregullta. Kjo do të thotë se këta njerëz konsumojnë shumë më pak se zakonisht. Sidoqoftë, pasojat ekonomike mund të tejkalojnë konsumin e ulët. Shumë njerëz detyrohen  të prekin kursimet e pensionit dhe harxhimi i këtyre kursimeve ka rezultate afatgjata negative.

Papunësia e zgjatur mund të çojë në një erozion të aftësive të talenteve të dobishëm. Në të njëjtën kohë, përvoja e papunësisë (qoftë e drejtpërdrejtë ose e tërthortë) mund të ndryshojë mënyrën se si individët planifikojnë për të ardhmen e tyre. Papunësia e zgjatur mund të stimulojë gjithashtu një skepticizëm dhe pesimizëm të madh për vlerën e arsimit dhe trajnimit si dhe të ndikojë që individët të jenë më pak të gatshëm të investojnë në vitet e gjata të trajnimit që kërkojnë disa punë. Ngjashëm, mungesa e të ardhurave të krijuara nga papunësia mund t'i detyrojë familjet t’u mohojnë mundësitë arsimore fëmijëve te tyre dhe të privojnë ekonominë nga ato aftësi në të ardhmen.

E fundit, por jo me pak e rëndësishmja, “studimet kanë treguar që papunësia e zgjatur dëmton shëndetin mendor të punëtorëve dhe mund të përkeqësojë shëndetin fizik dhe të shkurtojë jetëgjatësinë”.

Kostot sociale për shoqërinë

Kostot sociale të papunësisë janë të vështira për t’u llogaritur. Kur papunësia bëhet një problem i përhapur, shpesh shtohen thirrjet për proteksionizëm dhe kufizime të ashpra për imigracionin. Proteksionizmi nuk mund të çojë vetëm në hakmarrje shkatërruese midis vendeve, por uljet e shkembimeve tregtare dëmtojnë mirëqenien ekonomike të të gjithë partnerëve të përfshirë në shkëmbime tregtare.

Kostot e tjera sociale përfshijnë mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Studimet kanë treguar që kohërat e papunësisë së lartë shpesh shoqërohen me më pak vullnetarizëm, po ashtu edhe me shtim të kriminalitetit. Shtimi i kriminalitetit vjen  sepse në mungesë të një pune të paguar, njerëzit mund të kthehen drejt sjelljeve kriminale për të përmbushur nevojat e tyre ekonomike ose thjesht për të lehtësuar mërzitjen. Rënia e kontribuimit në vullnetarizëm nuk mund të ketë një shpjegim të qartë, por mbase mund të lidhet me ndikimet negative psikologjike të të qenit i papunë ose ndoshta edhe si shprehje e pakënaqësisë ndaj atyre që janë në marrëdhënie pune.

Kostot ekonomike për vendin

Kostot ekonomike të papunësisë janë ndoshta më të dukshme kur këqyren përmes “lenteve” të bilancit kombëtar. Papunësia çon në pagesa më të larta nga qeveritë për përfitime të papunësisë, ndihmë ushqimore dhe mjekësore.

Në të njëjtën kohë, qeveritë nuk arrijnë të mbledhin më të njëjtat nivele të taksës mbi të ardhurat si më parë, duke u detyruar të huazojnë para, arsye që rrit kostot dhe ndikimet e papunësisë në të ardhmen, ose ndikon në zvogëlimin i shpenzimeve të tjera.

Papunësia është gjithashtu një  rrezik për ekonominë. Edhe ata që marrin mbështetjen e qeverisë nuk mund të shpenzojnë më në nivelet e mëparshme çka redukton ndjeshëm PBB-në (prodhimin e brendshëm bruto) dhe shkakton një shpërndarja jo efikase të burimeve.

Vlen gjithashtu të përmendet se kompanitë paguajnë një çmim edhe për papunësinë e lartë. Përfitimet e papunësisë financohen kryesisht nga taksat e vlerësuara mbi bizneset. Kur papunësia është e lartë, shtetet shpesh do të kërkojnë të rimbushin arkën e tyre duke rritur taksat e tyre mbi bizneset, duke dekurajuar kompanitë që të punësojnë më shumë. Jo vetëm që kompanitë përballen me më pak kërkesë për produktet e tyre, por është gjithashtu më e kushtueshme që ata të mbajnë ose punësojnë të rinj.

Qeveritë me të drejtë shqetësohen për pasojat e inflacionit, por papunësia është gjithashtu një çështje serioze. Përveç trazirave sociale dhe zhgënjimit që papunësia mund të prodhojë në elektorat, papunësia e lartë mund të ketë një ndikim negativ në bizneset dhe shëndetin ekonomik të vendit.

Akoma më keq, disa nga efektet më të këqija të papunësisë janë delikate dhe shumë të qëndrueshme. Besimi i konsumatorit dhe i biznesit janë elemente thelbësore për rikuperimet ekonomike dhe qytetarët duhet të ndjehen të sigurt në të ardhmen e tyre për të investuar në zhvillimin e aftësive dhe akumulimin e kursimeve në mënyrë që ekonomia të pësojë në të ardhmen. Pra ajo duhet mbajtur në vëmendje është që kostot e papunësisë i tejkalojnë shumat e dhëna si përfitim nga sigurimi i papunësisë.

Çfarë është sigurimi i papunësisë?

Sigurimi i papunësisë, i quajtur ndryshe përfitim nga papunësia, është një shumë parash që i paguhet individit nga shteti kur humbet punën.

Si funksionon sigurimi i papunësisë ne Kanada?

Programi i Sigurimeve të Punësimit (Eployment Insurance) ofron mbështetje me të ardhura të përkohshme për individët e papunë ndërsa ata kërkojnë punë ose përpiqen per të përmirësuar aftësitë e tyre. Programi EI gjithashtu siguron përfitime të veçanta për punonjësit që u duhet të shkëputen nga puna për shkak të ngjarjeve specifike të jetës (sëmundje; shtatzani; kujdesi për një fëmijë të porsalindur ose të birësuar rishtazi, një person të sëmurë ose të dëmtuar në mënyrë kritike, ose një anëtar të familjes i cili është i sëmurë rëndë me rrezik te konsiderueshëm për të ndërruar jetë). Përfituesit marrin pagesë nga EI vetëm nëse kanë paguar kontrubutin në vitin e kaluar dhe plotësojnë kushtet e kualifikimit. Individët e vetëpunësuar mund të marrin pjesë në EI dhe të marrin përfitime të veçanta. Canada Employment Insurance Commission (CEIC) luan një rol udhëheqës në mbikëqyrjen e programit EI. CEIC është gjithashtu përgjegjës për caktimin e normës vjetore të kontributit të EI. Roli i Service Canada në këtë proces është të sigurojë shërbime në kohë dhe pagesa të sakta të përfitimeve të EI-së si dhe të mbështesë klientët EI përmes secilës fazë të procesit të ofrimit të shërbimit duke siguruar informacione për përfitimet, duke iu përgjigjur pyetjeve, duke ndihmuar punëdhënësit, duke shqyrtuar pretendimet, duke siguruar mjetet për të apeluar vendime. Rol tjetër është dhe identifikimi i klientit, parandalimi, zbulimi dhe ndalimi i mashtrimit dhe abuzimit.

Burimi: investopedia.com

*Armando Mosho është ekspert i sektorit bankar me banim në Mississauga, Ontario