Ekonomi

AKEP detyron Vodafone dhe Telecom Albania të rikthejnë ofertat 30 ditore

  • Published in Ekonomi

Vodafone dhe Telecom Albania do të jenë të detyruar që të rikthejnë sërish ofertat 30 ditë të paketave celulare nga data 1 qershor, ndërkohë që prej pak javësh operatori Albtelecom po ofron tashmë paketa 30 ditore.

Detyrimi për Vodafone dhe Telecom Albania ka ardhur nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), pas ardhjes në krye të tij të Ilir Zelës. Në mbledhjen e fundit AKEP ka miratuar “Detyrimin e sipërmarrësve e komunikimeve elektronike Vodafone Albania dhe Telekom Albania që duke filluar nga data 1 qershor 2018 të rikthimit të vlefshmërisë së paketave standarte bundle të shërbimit celular me parapagim nga 28 ditë në mujore (30 ditore)”.

Ky proces u realizua nga AKEP në bashkëpunim me Autoritetin e Konkurrencës dhe rivendosja e kohëzgjatjes së vlefshmërisë së paketave tarifore celulare standard bundle me parapagim nga 28 ditë, në mujore (30 ditore), siguron  aplikimin e tarifave për shërbimet e ofruara në përputhje me ligjin nr. 9918, datë 19.05.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, si dhe garanton trajtimin e barabartë të pajtimtarëve, sipas njoftimit zyrtar të AKEP.

Tre operatorët celularë, Vodafone, Telecom Albania dhe Albtelecom në mars dhe prill të vitit 2016 bënë ndryshimin e periudhës së përdorimit nga 30 në 28 ditë për 4-5 programe standard. Ky veprim u shoqërua me ankesa nga konsumatorët dhe shoqatat për mbrojtjen e konsumatorëve.

I pari që ka reaguar ishte Sipërmarrësi Albtelecom, i cili pak javë më parë ka hedhur në sistemin RevZone përditësimin e afatit të periudhës së tarifimit të ofertave në të cilin shprehet se duke filluar nga data 10.04.2018 ka rikthyer afatit 30 ditor të vlefshmërisë për paketat standarte.

Ndërsa dy operatorët e tjera tashmë janë të detyruar nga AKEP që të të njoftojnë pajtimtarët për  ndryshimin e paketave standarte nga 28 dite në mujore (30 ditore) të paktën 15 ditë para hyrjes në fuqi të paketave standarte mujore (30 ditore), të cilat hyjnë në fuqi nga 1 qershori.

Referenca: Monitor.al