Fëmijët

Kacimicrri rreth globit (rrëfenja 2) - Nga Bedri Dedja

  • Published in Fëmijët

Kacimicrri shkon në ambasadë dhe merr një vizë për të shëtitur botën

Erdhi ajo ditë e bukur, e bukur, me diell, me qiell të kaltër, me re të bardha e me një ngrohtësi që i detyron të gjitha macet të dalin në shesh e të shtrihen nga qejfi.

Kacimicrri doli në ballkonin e tij të shtëpisë trekatëshe, të ndërtuar me një kaçarrum misri dhe thërriti :

-Mjaft më ndenja i mbyllur në librin “Përralla Popullore Shqiptare“! Të dal një herë e të shëtis nëpër botë! Të shoh njëherë se ç’bëjnë ata Pinokërit e Italisë, ato Lizërat e Anglisë, ata Xhekërit e Francës që nuk janë kujtuar as të më çojnë një letër, sikur unë të kisha qënë diktatori i personazheve të përrallave tona…

Dhashë e mora e dhashë e mora dhe më në fund ia mbusha mendjen Kacimicrrit.

Or Kacimicërr, i thashë, nuk të lë njeri të shëtisësh botën pa pasaportë e pa vizë. Policët dhe ushtarët e kufirit ty, që je shqiptar, nuk të lënë të hysh sipas qejfit në çdo vend të botës. Unë shumë-shumë, si shkrimtar me fantazi mund të siguroj një avion supersonik që të udhëtosh, por për garancira nuk më pyet njeri. Ti je i vockël–i vockël dhe ushtarëve të kufirit mund t’u kalosh edhe si miza nën hundë, por ne nuk pranojmë të jemi të pandershëm, sikur edhe të na paguajnë jo qese, por thasë me dollarë USA. Unë e di që ti je djalë shumë i zoti, që ti mund t’ia hedhësh edhe Presidentit të Antarktikës, duke ia djegur shaminë që mban në xhepin e vogël, po pse ta prishim me botën, e cila na ka hapur krahët, si Krishti i kryqëzuar? Ti mund t’i futesh kujtdo në manshetat e pantallonave, nën jakën e këmishës, në xhepin e pasëm, po ti nuk je mësuar kurrë me këto prapësira. Ne na duhen viza për njëqind e ca shtete që nuk të lënë të hysh brënda pa një vulë, pa një pullë, pa një firmë e pa ca grosh.

Më dëgjoi Kacimicrri, u nis dhe unë i vajta pas si hije dhe jo si spiun se e kisha si djalin tim. Thashë me vete, kushedi se ç’ngatërresa diplomatike i dalin, prandaj t’i ndodhem pranë.

Kacimicrri ngarkoi pasaportën e madhe në një kamionçinë dhe u nis në thellësi të pyllit. Eci sa eci e më në fund, në mes të një vendi që dukej si xhungël, u gjend përpara Ambasadës Botërore.  Hyri në Ambasadë. Ambasadori po pinte duhan me një llullë të trashë. I tha atij:

-Dua viza për në Kosovë, për në ish-Jugosllavi, për në Itali, në Gjermani, Angli, Rusi, Amerikë, Mozambik, Australi, Japoni dhe për ndonjë satelit që çdo natë na rrotullohet në qiell si kandil rreth kokës…

-Kush flet me mua me këtë zë të hollë?

Nuk më sheh, zoti Ambasador?

Kacimicrri hop-hop u ngjit në bishtin e llullës.

-Po tani, më sheh ?

Ambasadorit gati sa nuk i ra të fikët dhe menjëherë u përplas në kolltuk.

-Ç’është kjo punë? Gjer më sot unë nuk i kam dhënë vizë asnjë njeriu kaq të vockël… Unë i kam dhënë vizë, për shembull, Qerosit, Katallanit, Baba Musës, Xinxifilos, Të Bukurës së Dheut, një ujku dhe një dhelpre, madje edhe një laraske e një gomari… Po një shëmbëlltyrë minuke si ti, nuk kam parë asnjëherë!

-Oho-ho ! Po gjer sa u keni dhënë atyre, pse të mos më jepni mua ?

-Po ti nuk ke para, o shkurtabiq, të paguash vizën !

-Po, po… Nuk ke…

-Çfarë?

-Nuk ke garanci.

-Po pse, vetë ky burrë i madh sa një gisht, nuk është garanci?

Ambasadori u nxeh me këtë palo gishto, e nxori jashtë dhe i tha se pa garanci nuk jep asnjë vizë, sepse shqiptarët, qofshin edhe të përrallave, bëjnë zullume nëpër botë.

-Ga-ra-nciiii !

Ambasadori uluriti aq shumë sa shungulloi pylli. Bufat humbën gjumin e ditës. Pelikanët, nga frika dolën nga pellgu i ujit. Pallonjtë mblodhën bishtat e bukur me pendë ngjyra-ngjyra.

U kthye Kacimicrri në shtëpi dhe ndenji edhe vetë tërë natën pa gjumë, duke u shkruar letra miqve të tij të mirë që t’i nisnin garanci.

Iku një javë. Ikën dy. Iku një muaj. Ikën dy e përgjigjet nuk po vinin. Arinjtë e postës së pyllit flinin gjumë, megjithëse çdo ditë vinte një pako me letra nga gjithë anët e botës. Ato duheshin lexuar njëherë nga kryepostieri, Ujku plak me gjyslyke dhe pastaj të shpërndaheshin.

Kur postierët u zgjuan nga gjumi, letrat filluan të shpërndahen.

Kacimicrrit i erdhën gjithë ato letra. I lexoi, u kënaq dhe buzëqeshi aq shumë, sa buzët i vajtën në rrëzë të veshëve. U vesh me brekushe të reja, me xhokë, me opinga e qeleshe e vrapoi për t’u ngjitur mu në majë të bishtit të llullës së Ambasadorit.

-Mirëmëngjes!

-Mirëdita, zoti Ambasador!

-Garancitë!

-Urdhëro!

Dale t’i shohim… Okej!

Kacimicrri, i ulur këmbëkryq në bishtin e llullës së Ambasadorit, i tha hirësisë së tij se i kishte ardhur një garanci nga Xhixho Xhanburaska[1] i RAI Unos dhe një nga Robin…

-Kush Robin… Robin Hudi[2]?  Ai ka vdekur me kohë.

-Jo nga Robin Hudi, po nga Robin Patatja[3] i Rai Unos…

-Po këta janë vetëm për vizën italiane…

-Kam një tjetër nga Beniamin Beni[4]… një nga Nils Holgersoni[5]

-Nuk mjaftojnë!

Përsëri bufave iu prish gjumi i ditës. Përsëri pelikanët dolën nga pellgu i ujit, kurse pallonjtë, nga ulurima në Ambasadë nuk arritën dot as të mbledhin pendët ngjyra-ngjyra të bishtave të bukur.

-Bota! Bota!–thirri Ambasadori dhe e mbështolli Kacimicrrin me një shtëllungë tym duhani që nxorri nga goja.

-Kam edhe një garanci nga Taotao[6] i gjithë përrallave të botës, kam nga Tomi dhe Xherri[7]… Kam… kam…

Ambasadori u lodh, thirri sekretaren, e mbushi pasaportën e Kacimicrrit me njëqind e ca vula, pulla dhe firma gjer në faqen e fundit dhe menjëherë u tret në gjumë. Nuk kishta parë kurrë një djalë kaq trim e kaq të vockël, sa Kacamicrri.

Sa hap e mbyll sytë, ai doli nga Ambasada që ndodhej e futur si në një xhungël, i hypi avionit supersonik dhe u zhduk në qiell. Kështu ma thotë goja mua, po Kacimicrri nuk është nga ata që zhduken. Duket dhe zhduket. Duket aty ku duhet dhe zhduket aty ku duan t’i bëjnë hile pas kurrizit.

Shpjegime

[1] Xhixho Xhanburaska është personazh shumë i njohur kukullash për fëmijë i televizionit italian që nga fillimet e viteve 1960.

[2] Robin Hudi është një personazh imagjinar i legjendave angleze të periudhës së Mesjetës.

[3] Mr. Patatja (ose Robin Patatja), është personazh i shumë filmave të animuar. Atë e gjejmë edhe te Toy Story.

[4][4] Benjamin "Ben" Bocquelet është një produktor dhe regjisor filmash vizatimorë.

[5] Nils Holgersoni është një personazh imagjinar i krijuar nga romancierja suedeze Selma Lagerlöf. Ai është heroi i romanit “Udhëtimi i mrekullueshëm i Nils Holgersonit përmes Suedisë“ (1906).

[6] Tao Tao është personazhi i një serie japoneze filmash vizatimorë.

[7] Tomi dhe Xherri (miu dhe maçoku) janë dy personazhet kryesorë të një serie shumë të njohur filmash vizatimorë amerikanë.

(vijon..)