Fëmijët

Kacimicrri rreth globit (rrëfenja 4) - Nga Bedri Dedja

  • Published in Fëmijët

Një alarm, të cilin kacimicrri nuk e kishte dëgjuar asnjëherë me veshë

Na ishte një shtet i hatashëm. E Bukura e Dheut thyente pasqyrën kur kujtonte këtë shtet. E thyente pasqyrën jo nga zilia, as nga inati, as nga hidhërimi dhe as nga mërzia. E bukura e dheut thoshte se Italia është vend shumë i bukur.

Po çuditërisht edhe në Itali ndodhnin ca ngjarje me kuptim dhe pa kuptim, me dashje dhe padashje, për të mirë e për të keq, për t’u gëzuar dhe për t’u hidhëruar.

Kur Kacimicrri ndodhej në ajër, duke fluturuar për në Romë, nuk dinte gjë se ç’po ndodhte brenda në Romë.

Telefonat dhe radiot që mbanin në duar policët financiarë ishin tërbuar e po flisnin aq shumë, sikur të kishin një muaj pa folur e sikur kishin fjetur një vit.

-Gati! Jam ministri!

-Gati! Jam drejtori më i madh i Policisë Financiare!

-Gati! Jam komandanti i forcave të aeroportit!

-Të rrethohet aeroporti me treqind policë! Të mos shpëtojë, jo vetëm miza, po as pleshti!

Në Romë na ishte një aeroport që quhej Fiumiçino. Aty kishin dalë dy xhuxha me buqeta me lule. Njëri ishte Xhixho Xhanburaska. Tjetri ishte Robin Patatja.

Telefonat buçisnin. Sirenat e makinave të policisë të kallnin datën. Të themi të drejtën, Xhixhoja dhe Robini u trembën pak se e dinin mirë se nuk kishin bërë asnjë faj. Pastaj, po t’i arrestonin, mbeteshin pa bërë emisionet e kalamajve në televizionin italian.

Çfarë të ketë ndodhur, vallë? Kush është trembur, vallë? Kush ka shpifur, vallë? Dy buqetat me lule ranë në tokë, sepse duart e Xhixho Xhanburaskës dhe të Robin Patates filluan të dridhen si telat e lirës në orkestrat sinfonike.

Në radio policia lajmëronte:

-Në Fiumiçino po zbret një paketë drogë. Droga është shumë e keqe. Po kjo që po zbret është edhe më e keqe se ka ngjyrë të kuqe. Mbërthejeni!

Sapo zbriti në pistë avioni supersonik sa një gogozhare, një polic i drejtoi teleskopin. Me atë teleskop mund të shikoje mirë, jo vetëm Kacimicrrin me qeleshe dhe opinga, po edhe banorët e Marsit se ç’po hanin drekë.

-Trafikant droge i maskuar! Arrestojeni!

Në të njëjtën kohë u arrestuan edhe Xhixho Xhanburaska dhe Robin Patatja që kishin dalë për të pritur Kacimicrrin. Në një makinë u futën, përpara shoferi me një karabinier dhe prapa Kacimicrri në mes, me dy karabinierë anash. Po kështu, vetë i pestë në makinën e dytë u fut Xhixho Xhanburaska dhe në të tretën Robin Patatja. Mirë që policët dhe karabinierët italianë nuk kishin parë ndonjëherë një njeri aq të vockël me brekushe, xhokë, opinga dhe qeleshe si Kacimicrri… Po si ishte e mundur që të mos njihnin Xhixhon dhe Robin Pataten?!  Me sa duket, as policët dhe as karabinierët nuk i kishin parë asnjëherë emisionet për fëmijë të Rai-t.

Makinat llahtarisën Romën me sirenat e pandërprera. Banorët habiteshin se brenda tyre nuk shiheshin as kamorras, as mafiozë, as terroristë nga ata më të rrezikshmit. Kokat e Kacimicrrit, Xhixhos dhe Robin Patates nuk arrinin as te vijat e kuqe të pantallonave të karabinierëve.

-E po kjo pikë e zezë! Të vish me pasaportë e me vizë të rregullt, të dalin edhe dy burra të nderuar për të pritur, si Xhixho Xhanburaska dhe Robin Patatja dhe të të arrestojnë si trafikant droge?!... Kësaj mund t’i vije vetëm emrin “lesheli"!

U mërzit Roma nga sirenat e makinave të policisë. Por më pas, u qetësuan banorët dhe kalamajtë, duke ngrënë nga një akullore ose duke pirë nga një krodino. Por na u inatos shumë Xhixho Xhanburaska.

-Mirë këta policët dhe karabinierët që nuk na kanë parë vetë asnjëherë në televizor… Po a kanë kalamaj në shtëpi këta policë dhe karabinierë ? Nuk e kanë dëgjuar, së paku, njëherë emrin tonë prej tyre?!!!

Kurse Robin Patatja nuk e prishi gjakun. Fërkoi nga dy herë secilin cep të mustaqeve dhe tha:

-Më kanë ngatërruar me Robin Hudin e Anglisë që e ndiqnin dhe nuk e zinin dot. Tani u kënaqën që më zunë mua, fis pas fisi e rrënjë pas rrënje nga bima e patates…

Arritën më së fundi te kryehetuesi i paraburgut të Romës. Meqënëse ishin shumë të vegjël, i vendosën që të tre mbi tryezën e tij, aty ku ai mbante paketën e cigareve, një çakmak, ca letra të bardha, një stilolaps me tetë ngjyra dhe një filxhan të boshatisur kafeje në tabaka. Kryehetuesi vuri gjyslykët se nuk po i shihte mirë.

Më pas, kryehetuesi mori në dorë pasaportën e Kacimicrrit, e kontrolloi faqe për faqe, kontrolloi edhe dy çertifikatat e Rai-t, të Xhixhos e të Robin Patates dhe menjëherë u ngrit në këmbë e nderoi.

-Zotërinj pikolinë, artistë dhe bamirës të shquar, trima dhe gazndjellës për gjithë kalamajtë e Shqipërisë dhe të Italisë, të na falni! Ishte një keqkuptim. Jeni të lutur t’i kaloni pushimet ku të dëshironi… Në Kapri, në Linjano Sabiadoro, në Venecia, në Napoli…

-Faleminderit, kryehetues! Ne kemi ca punë tonat… më pas shohim e bëjmë… dhe Xhixho iu drejtua Robin Patates në vesh. – Ja, njeriu me kulturë! Sapo lexoi dokumenat, na njohu… 

Po pastaj, ç’ndodhi në Itali ? Oh, një mrekulli ! Një mrekulli që do ta kishte zili Hëna e mbushur me gurë, Neptuni tërë akull dhe gjithë ushtria e satelitëve artificialë, që ca shëtisin kot e ca shëtisin plot rreth botës. 

Tre shokët u nisën në mitingun e madh që zhvillohej në Franco Vila Mare, ku ishin mbledhur gjithë heronjtë e Italisë. Atje kishte hypur në tribunë kryeheroi, Pinoku[1] i Xhepetit dhe po mbante fjalim.

-Unë kam qënë në Shqipëri shumë herë dhe shqipen e kam mësuar mirë. Kam qënë edhe në kohë të mbretit Zog, i cili nuk ishte fare zog… Përshëndes Kacimicrrin, mikun tim të vjetër, të cilit nuk i bëri syri tërr nga kryehetuesi i gënjyer e i trëmbur i paraburgut të Romës. Vëllezër! Puna e popullit italian është tjetër, e kryehetuesit tjetër dhe e jona tjetër.

Ndërkohë, Çipolinos[2] po i digjnin sytë nga lotët e lëngut të qepës. Princ Limoni hiqte e vinte kapelen sa herë që duartrokiste Baron Portokalli.

Pinoku vazhdoi:

-Sot, ne do të nisim në Shqipëri trenin e parë të kaltër dhe Tortën e Qiellit[3] për shokët e Kacimicrrit. Nesër, pasnesër, tjetër pasnesër dhe tjetër tjetër pasnesër do të nisim trena të tjerë, derisa shokët e tij të marrin fuqitë e duhura për t’u radhitur nëpër libra përrallash dhe për të dhënë shfaqje sa më të bukura për çiliminjtë. 

Çipolinos iu përvëluan sytë nga lotët, saqë iu desh një top napë për t’u fshirë. Kapelja e Princ Limonit, duke u hequr e duke u vënë në kokë, nuk duroi më, por fluturoi dhe ra në prehërin e Baron Portokallit që vazhdonte të duartrokiste pa pushim. Xhixho Xhanburaska mezi shkundi inatin që nuk i kishte ikur ende nga alarmi i makinave të policisë që zgjoi të gjithë ata që flinin në Romë. Robin Patatja fërkoi dy herë cepat e mustaqeve. Kacimicrri e puthi Pinokun në ballë. Po nuk e di, a e ndjeu ai këtë puthje të nxehtë, mbasi ishte prej druri. Dhe fajin e kishte Xhepeti, megjithëse zor të gjendej burrë më i mirë se ai në botë. Por ja që edhe druri paska shpirt. Pinokut i rodhën dy lotë nga sytë.

Iku një ditë. Xhixhoja dhe Robin Patatja regjistruan emisionet e rradhës në televizion. Iu lutën edhe Kacimicrrit që të dalë në ekranin e RAI-t për të treguar ndonjë nga ato trimëritë e tij të vjetra, por ai nuk pranoi. Po nuk e bëra italishten ujë burimi, tha, nuk dal të turpërohem përpara kalamajve italianë që nuk më njohin ende. Do të vij motin tjetër, kur të krijojmë Korporatën italo-shqiptare të përrallave për kalamaj.

Fiiiuuu! U ngjit avioni supersonik përsëri në qiell. Tre shokët u strukën ca ngushtë brënda në të, po e keqja nuk vinte nga kjo. Ishin ngushtuar shumë zemrat e tyre e mezi rrihnin. Udhëtonin për në perëndim. Ku do të vinin? Mos vallë po largoheshin nga Italia? Jo, bréé! Kacimicrri kishte një brengë. Ndjente se një saçmë e çeliktë i rëndonte në një barkushe të zemrës. Ju kujtua atë çast një këngë që kishte dëgjuar dikur nga një ushtar.

“Itali, o Italia ime,

më ke rritur me thërrime,

po të duash ti, nëno,

ta fal jetën si hero !“

 

 -Ku do të vesh, Kacimicërr?

-Ja, atje!

-Ku?

Kacimicrri përsëriste këngën me vete dhe as dëgjonte se ç’i thoshin.

-Ku?

-Ja, atje!

Dikur, ata zbritën në Porto Çervo. Po a e dini ju se ç’është ky Porto Çervo ? Ndodhet në Sardenjë, në atë ishullin e madh të Detit të madh Mesdhe. Atje banditët kishin rrëmbyer një djalë që quhej Faruk Kassam[4] dhe për ta kthyer, u kishin kërkuar prindërve një kamion me para. Me siguri, Farukun e vogël e keni parë në fotografi edhe në RAI uno, edhe në RAI due.

Kur e panë banditët se prindërit e tij nuk kishin mundësi të paguanin një kamion me para, i prenë me gërshërë çunit të vogël një copë të veshit të djathtë dhe ja çuan babait dhe mamasë me postë, brënda në një zarf.

Shokët e klasës së Farukut, gjithë sardët e rreptë në pamje, por me zemër sfungjer që thith çdo dhimbje si dhe gjithë italianët e mirë, u ngritën në këmbë për të protestuar. Edhe pse unë nuk besoj te perëndia dhe as Kacimicrri im, ne u lutëm kushedi sa herë, së bashku me ta që Faruku të kthehej sa më parë në shtëpinë e tij.

E që banditët të zhdukeshin përgjithmonë nga faqja e dheut!  

Kur zbritën në Porto Çervo, të tre shokët e panë të gëzuar babanë e Farukut. Lajmi i shpëtimit të tij i kishte kaluar kufijtë e stratosferës se globit.

Lotët në sy na u thanë; buzëqeshja u kthye në fytyrat tona. Ndoshta ndonjë ditë mund ta takonim Farukun në Paris, te gjyshërit nga nëna…e ndoshta mund të takonim edhe ata heronj që e shpëtuan atë nga kthetrat e banditëve!

“Ndoshta“-kishin menduar në të njëjtën kohë Kacimicrri, Xhixho Xhanburaska e Robin Patatja…

 “Itali, o Italia ime,   

më ke rritur me thërrime

 po të duash ti, nëno,

 ta fal jetën si hero !“

 

Shpjegime:

[1] Aventurat e Pinokut (1881) është një roman për fëmijë, i shkrimtarit italian Carlo Collodi. Personazhi i tij, Pinoku është një kukull druri, hunda e të cilit zgjatet sa herë gënjen. 

[2] Aventurat e Çipolinos është një roman për fëmijë i shkruar nga autori i njohur Xhani Rodari në vitin 1951. Protagonistët kryesorë të tij janë frutat dhe perimet, midis të cilëve Çipolino, Princ Limoni, Baron Portokalli, etj.

[3] Torta e Qiellit (1966) është një roman për fëmijë i shkrimtarit italian Xhani Rodari, që përcjell një mesazh paqeje mjaft të kuptueshëm si për të rriturit, ashtu edhe për fëmijët : "Më mirë të bësh torta sesa të bësh bomba". Shpresa është e ardhmja, thotë Rodari dhe e ardhmja janë fëmijët.

[4][4] Rrëmbimi i Faruk Kassamit, këtij djali shtatë vjeçar me origjinë indiane dhe shtetësi kanadeze, ndodhi në Sardenjë në vitin 1992.  Ai u morr peng për gjashtë muaj dhe u mbajt i fshehur në një shpellë, pasi babai i tij ishte menaxheri i një hoteli të madh në Sardenjë, në një vendpushimin turistik të Porto Cervos. Gjyshi i tij, po ashtu ishte vezir i pasur. Banditët kërkuan atëhere mbi pesë milionë euro (në lireta italiane). Por mbasi u kapën, u dënua me nga 30 vjet burg.  

(vijon...)

 Copyright © Të gjitha të drejtat mbi veprën e autorit Bedri Dedja i takojnë familjes së tij