Fëmijët

Kacimicrri rreth globit (rrëfenja 5) - Nga Bedri Dedja

  • Published in Fëmijët

Ivashka budallai[1] i xhaxhi Gorkit, tani ka ndërruar emër dhe quhet Ivashka i mënçur

          Lart në qiell a poshtë në qiell, duke fluturuar, Kacimicrri hapi televizorin dhe dëgjoi lajmet e ditës së nesërme, pasi u lirua Faruk Kassami në Itali. Ç’të dëgjonte e ç’mos të dëgjonte ! Ç’të mendonte e ç’mos të mendonte ! Për të folur as që i shkoi mëndja. Ai vetë ishte kacafytur edhe me kuçedra për të mbrojtur njerëzit e gjallë. Ai kishte shpëtuar të bijën e një mbreti dhe nuk kishte pranuar asnjë flori. Një bari sard tha në lajmet e televizorit se do t’i vriste të gjithë ata hajdutë që do t’i afroheshin për t’i vjedhur delet. Pasi që prej moshës katërmbëdhjetë vjeçare kujdesej për to, edhe pse tani mund të dukej si plak.

          Po pse i rrëmbejnë fëmijët dhe pastaj kërkojnë para ? Kështu pyeti veten Kacimicrri. Se ka njerëz të liq që nuk punojnë dhe mëndja u shkon të fitojnë para në mënyrë të pandershme, duke prerë copa veshësh e hundësh të kalamajve…

          Kacamicri e mbylli televizorin se pa në ekranin e sinjaleve të avionit të vet një raketë që po e ndiqte nga pas, jo këmba këmbës, por dynym pas dynymi në hapësirën qiellore.

          Më pas, në radio u dëgjua një zë në gjuhë të huaj. Por Kacimicrri u përgjigj në shqip. Pastaj… bërr… bërr… bërr… zhurma. Raketa u zhduk për një kohë dhe ai vazhdoi rrugën përtej maleve të Uraleve. Ku, thoni ju ? Tej e tej, nëpër atë Siberinë e bukur të mbuluar me pyje… Në atë Siberinë e zymët, ku në dyqind vjet kishin lënë kockat gjithë ata njerëz të pafajshëm. Këto punë Kacimicrri i dinte mirë sepse një kohë të gjatë kishte mësuar në “Shkollën e pyllit“.

          Avioni iu afrua me shpejtësi Bajkalit, atij liqenit të madh e të kaltër që ta bënte me sy e për të cilin ishin kënduar kushedi sa këngë të bukura. Ah, sikur të zbriste një herë e të lahej në të ! Do të shkruanin të gjitha Enciklopeditë e botës që Kacimicrri është larë në Bajkal.

          Po kur nuk është e thënë, nuk është e thënë. Kur nuk do, s’do. Kur të vete ters, përpiqu që të mos i nënshtrohesh atij palo tersi. Në ekranin e sinjaleve u duk përsëri raketa që u zhduk. Në radio, dikush foli shqip.

  • Kush je ti, mor bir njeriu ?
  • Jam Kacimicrri.
  • Nga vjen ti ?
  • Nga kjo botë.
  • Ne nuk njohim njeri me këtë emër… Ne kemi njohur vetëm Fatbardh Pikaloshin… Po ti, pse ke shkelur hapsirën ajrore të Rusisë ? A e di ti që mund të të shpartallonim me një raketë ?
  • Pse, akoma nuk i keni zhdukur ato të mallkuara ?
  • Po ja… ka marrëveshje ushtarake midis Bashkësisë… Komunuelthit… Bashkimit Sov… sov… Komunitetit të Shteteve të Pavarura dhe Amerikës… Ka afate…

Kacimicrri u inatos pakëz.

  • E ç’më duhen mua marrëveshjet ushtarake… Afatet… Amerika dhe ai Kom… kom… komunuelthi…Zhdukini, ore se do të vdisni njerëzinë ! Keni harruar ç’ka thënë ushtari i mirë Shvejk[2], kur filloi Lufta e Parë Botërore ? Ishte në front dhe i thirri armikut : “Ej, mos gjuani, ore, mos gjuani ! Harruat që këtu ka ushtarë të gjallë dhe vriten ?!“

Tani u erdhi rradha të inatoseshin ata që ndiqnin Kacimicrrin me raketë.

  • Mjaft na përrallise ti, Filozof ! Na thuaj kush je !
  • Jam shqiptar. Jam mik i popullit rus. Kam ardhur me pasaportë dhe me vizë.
  • Njeh njeri në Rusi ?
  • Njoh njëqind e njëmbëdhjetë veta.
  • Po na përmend disa prej tyre, të shohim !
  • Ivashka Budallain, Evsejkon që fle gjumë kur gjuan peshk… njoh Çukun dhe Gekun, Dinpakun e Dinshumin, Hirushen… njoh Buratinin, xhaxha Stefin, Birin e Regjimentit, Vitja Malajevin[3] që u betua se nuk do ta hante pastën pa kaluar një ditë, për të kalitur vullnetin dhe nga që nuk duroi, e hëngri pas pesë minutash… njoh…

Ata të raketës kishin qëlluar të zgjuar e me kulturë, pasi kishin lexuar shumë libra në fëmini. Prandaj, nuk e zgjatën më asnjë sekondë.

  • Tavarish Kacimicërr ! Go… go… gospodin Kacimicërr ! Ju lutemi të na ndiqni pas dhe të zbresim në aerodromin e Vnukovos në Moskë.

Si u tha, ashtu u bë.

Në aerodromin e Vnukovos, për të pritur Kacimicrrin kishte dalë vëtëm Vitja Malejevi[4]. Buzët i ishin tharë. Kishte një vit pa ngrënë një pastë. Mos u mërzit, i tha Kacimicrri, njëlloj jemi. Edhe mua më është tharë goja për një gotë koka-kola. Xhaxhanë e kam mësues në gjimnaz dhe me rrogën që merr nuk ble dot asnjë shishe koka-kola në ditë. Po bukë ? Po mish ? Po patate ? Po domate ? Po oriz ? Po makarona ? Kanë ardhur disa profesorë të huaj dhe na flasin për tregun e lirë… Mirëpo tregu i lirë sot ka një të mirë se matrapazët mjelin dallëndyshet për të na shitur qumështin e tyre. Tregu i lirë, s’ka më mirë ! Njëri fiton para me grushta, kurse njëqind të tjerë numurojnë groshët e fundit në xhep. Megjithatë, siç thonë njerëzit e mënçur : « Rroftë tregu i lirë se një ditë do të na çojë te thesaret e “Sazan, mbyllu ! Sazan, hapu“ ! »

Hynë në veturë. Vitja Malejevi e uli Kacimicrrin në supin e djathtë dhe i tha të shihte rrugët dhe bulevardet e bukura të Moskës. Ato ishin të mbushura plot me rradhë njerëzish që shisnin dhe blenin. Gjysma e moskovitëve shisnin. Dikush një unazë, dikush një kokore prej gëzofi, dikush një palë këpucë franceze me taka të larta dhe dikush, banane speciale nga vëndet tropikale. Gjysma e moskovitëve blinin ose bënin sehir…

  • Vitja ! – i tha Kacimicrri. – Më ka marrë malli për Evsejkon e përrallës… Atë e zinte gjumi kur zinte peshk. Më ka marrë malli edhe për Çukun e Gekun, se ishin çuna që bënin shumë qyfyre.

Vitja Malejevi në fillim nuk e dëgjoi. Dukej se nuk e kishte fare mëndjen te Kacimicrri. Ia kishte ngulur sytë një paste në vitrinë dhe druhej jo vetëm se s’mund ta hante pastën, por mund të ndodhte që pasta vetë ta hante Vitja Malajevin, me gjithë këpucë.

  • Çfarë… çfarë the ?
  • Evsejkon… Evsejkon dua të takoj.
  • E kemi lënë të takohemi në mesditë te Sheshi i Kuq, pranë Orëve të Kremlinit. Evsejko ka ikur që në katër të mëngjesit për të zënë peshk që t’i shesë më pas në treg, por kam frikë se mos e kanë vënë peshqit përsëri në gjumë. Pa le, sikur të ketë rënë brënda në ujë, peshqit mund të tallen me të duke ia ngecur grepin mes dhëmbëve.

Shkuan te Sheshi i Kuq. Mezi çanë midis njerëzve, gjersa arritën te Orët e Kremlinit. Në portën e këtyre Orëve po hynin rresht një mijë priftërinj, të cilëve Presidenti u kishte kthyer pronat e kishave që ndodheshin brënda mureve. Njerëzit e tjerë thërrisnin me zë të lartë.

  • Banane, banane ! Patate, patate ! Sallo, sallo !
  • Hamë nga një copë sallo ? – e pyeti Kacimicrrin Vitja Malejevi. – Nuk kam aq para sa të qeras me banane.
  • Kam frikë se mos velem.
  • Do të velesh pak, por ama nuk do të ndjesh uri gjer nesër në mëgjes.

U tha, u bë. Të dy miqtë e vjetër u ulën të hanë së bashku.

Shkoi ora dymbëdhjetë. Prit Evsejkon, s’ka. Shkoi trembëdhjetë… Prit Evsejkon, s’ka. Shkoi tetëmbëdhjetë… përsëri s’ka.

A mor Evsejko, sa më kishte marrë malli ! Kacimicri pyeti për Çukun e Gekun[5]. Vitja Malejevi i tha se edhe dy çapkënët kishin patur një problem. U kishte mbrritur një tjetër telegram. Duke u ngatërruar me njëri-tjetrin se kush do ta hapë i pari, telegrami u kishte fluturuar nga dritarja dhe ua kishte marrë era. Pasi e kërkuan me orë të tëra, e gjetën buzë një kanali, të lagur e të bërë me dhe. E morrën në shtëpi, e lanë të thahet e më pas e lexuan njëri pas tjetrit. Nëpërmjet këtij telegrami, babai i tyre që u shkruante nga një shtet i huaj, i lajmëronte të dy vëllezërit se së shpejti do t’u hapte një dyqan të ri në Moskë, për të shitur lodra elektronike me telekomandë. Por se kur do t’ja arrinin kësaj dite, ende nuk dinin gjë, as Çuku e as Geku.

Ah, mor Evsejko, sa më kishte marrë malli, përsëriste Kacamicrri me vete. Shkoi ora njëzet, s’ka. Shkoi njëzet e një dhe Evsejko hiç.

U err. Nata shpërndante vetëm errësirë. Dritat e Moskës ndriçonin me kursim.

  • Nuk kam ç’të bëj ! – tha Vitja Malejevi. – Ky tregu i lirë ua ka prishur mëndjen të gjithëve… Shkojmë në Muzeun “Gorki“ te Ivashka Budallai. Mbase i kanë ardhur në kokë dy gramë mend…

Shkuan te Ivashka budallai.

Ra zilja në derën e muzeut. Nuk u përgjigj njeri. Ra zilja përsëri dhe përsëri nuk u përgjigj njeri. Ra e ra zilja, gjersa më në fund u dëgjuan zëra nga pas, në rrugë.

  • Duart lart ! Jemi Këgëbë-ja[6]… Ju jeni spiunë dhe duhet të dorëzoheni !

Vitja Malajevit i hypi sheqeri i pastës në kokë dhe u bë jo tym, por mjegull.

  • Kush është spiun, Kacimicrri ? Po ju s’qënkeni fare në vete, more ! Nuk i keni lexuar përrallat shqiptare ?
  • Duart lart !
  • Nuk qënka qëruar ende Këgëbë-ja ? – e pyeti me zë të ulët mikun e tij Kacimicrri, duke u kthyer përsëri nga zilja e derës së muzeut.

Kur atë çast mbrriti Biri i Regjimentit[7], Vanja, i armatosur deri në dhëmbë, si atëhere kur luftonte kundër nazistëve të Hitlerit. Pa humbur kohë, i vuri përpara këgëbëistët, si dhitë e Hasan Qeros[8]. Përpara se të largohej, Vanja i porositi të dy miqtë që t’i binin ziles së muzeut me ritmin e marshit turk të Moxartit[9]. Ndryshe, dera nuk hapej.

Dhe dera u hap vërtet. Nuk e hapi askush. Askush nuk tha “Mirë se erdhët !“ Asnjeriu nuk ju duk as hieja.

Lart, në dhomën më të madhe të muzeut, Ivashka budallai ishte ulur në një kolltuk. Kishte vënë gishtin e djathtë në tëmthin e djathtë të kokës dhe gishtin e majtë në tëmthin e majtë. Me sa dukej, po mendohej.

  • Ej, Ivashka ! Pse e lodh kokën kot ?! Gjysma e mijës del pesëqind… - i foli Kacimicrri.
  • Jo, nuk më del aq… Nuk e kuptoj pse mua më del katërqind e nëntëdhjetë e nëntë…
  • Nuk është e mundur ! A ke bërë shkollë ?
  • Jo, nuk kam bërë dhe prandaj më kanë quajtur Ivashka Budallai.
  • Dale, mor dale !
  • Çfarë dale, mor dale ! Ju flisni kot, - u tha Ivashka. – E harruat përrallën time ?
  • Jo, nuk e kemi harruar. Mbajmë mënd që shkove një ditë në qiell te perëndia Savaof. E lute dhe e stërlute që të të bënte të mënçur dhe të ta shtronte sofrën për të ngrënë. Ai rrinte ulur në fron, gogësinte e dremiste dhe ty as të bëri të mënçur dhe as të shtroi për të ngrënë. Kështu, mbete ai që ishe e mbajte përsëri mbi vete nofkën e Ivashka Budallait !

Ivashkës i hipi në kokë ai që quhej delli i vet. Se thonë që edhe budallenjtë kanë nga një dell prej të mënçuri.

  • Do t’ju tregoj një zhgjëndërr që e pashë me sytë e mi, - tha ai.

Shkova, o djema, përsëri te perëndia Savaof. Thashë me vete, nuk humbas gjë se burrë i mirë është. Vetëm të mira bën. Nuk e shihni se sa njerëz falen nëpër kisha, xhamija, sinagoga e pagoda, nëpër teqe e nëpër varre ? Pse mo, budallenj janë ata që falen ? Madje edhe presidentët e mbretërit mallëngjehen në ditët e festave fetare dhe shkojnë e urojnë hafizët, hoxhallarët, dervishët, priftërinjtë, rabinët e xhakonët… Në ditët e hashureve provojnë të hanë ëmbëlsirën e dervishlerëve. Kështu, i thashë perëndisë Savaof : “Ndihmoje këtë Rusinë që duket sikur ujqërit ja kanë ngrënë të gjitha leckat !“

Savaofi gogësiu, dremiti, u zgjua, gogësiu edhe një herë dhe pastaj më tha:

-Ivashka ! Nga qielli poshtë nuk rrjedh gjë, përveç shiut, breshërit, dëborës dhe rrufeve… Edhe mua më ka marrë uria… Nga toka rrjedh çdo e mirë… Po nuk e kuptove këtë gjë, gjithë jetën do të thërrasin Ivashka Budallai.

Ivashka, pra, nuk ishte më budalla. Perëndia Savaof, me ato fjalë që i mësoi i kishte dhënë atij një dipllomë akademiku.

 

Shpjegime:

[1] Ivashka Budallai është personazh i një përralle ruse.

[2] Ushtari i mirë Shvejk, roman satirik i shkrimtarit çek Jaroslav Hashek (1883-1923).

[3] Personazhe të letërsisë ruse për fëmijë.

[4] Vitja Malejevi në shkollë e në shtëpi (1951) vepër e shkrimtarit rus për fëmijë Nikollai Nosov (1908-1976).

[5] Çuku e Geku (1939), novelë e shkrimtarit rus për femijë, Arkadi Gajdar (1904-1941).

[6] KGB është shërbimi kryesor i inteligjencës ruse postkomuniste. Brenda shtetit stalinist, ky shërbim ka patur edhe funksionin e policisë politike.

[7] Biri i Regjimentit (1946), roman i shkrimtarit rus Valentin Kataev (1897-1986), personazhi kryesor i të cilit është Vanja Solncev, një jetim i birësuar nga regjimenti i artilerisë.

[8] Dhite e Hasan Qeros, një shprehje popullore (Dhente e dhite e Meros, nami Hasan Qeros) që personifikon mbrojtjen.

[9] Marshi turk (1780), vepër e njohur ritmike e kompozitorit austriak W.A.Moxart.

 

Copyright © Të gjitha të drejtat mbi veprën e autorit Bedri Dedja i takojnë familjes së tij.