Fëmijët

Kacimicrri rreth globit (rrëfenja 6) - Nga Bedri Dedja

  • Published in Fëmijët

Mbesa e shkrimtarit pranohet në parti në moshën 5-vjeçare

Një natë, më në fund, pashë edhe unë një ëndërr. Sa u gëzova! Kur u ngrita nga gjumi, u hodha përpjetë aq herë në krevat, sa m’u ça susta që mbante dyshekun. Se kështu janë këto sustat tona, sikur punohen me spango. Fle një vit dhe zbërthehen nga njëra anë. Sapo të zë gjumi e menjëherë gjendesh në tokë…

Po, hë moj mëndje e shkretë! Duket që je plakur. Ku po e tirrje bisedën e ku dole, nga ëndrrat, te susta e krevatit…

E, që thoni ju, që nuk më thatë gjë, unë vdes për të parë ëndrra. Po si për inat, asnjë nuk më çfaqet në gjumë. Ha në darkë gati një gjysmë legeni me përshesh me çaj që ka brënda një lugë kafeje sheqeri, për të mos mu turbulluar stomaku. Hiç. Stomaku u mësua me përshesh; ka disa vjet që bluan si ai mulliri i bardhë italian “Molino bianko“ që shohim në televizor dhe nuk më shqetëson fare me ëndrra. Kujtoj gogolët, shtrigat, fantazmat, abrakadabrat e mumjet para gjumit dhe ëndrra hiç.

Po ja, siç u thashë, u bëra edhe unë një herë i lumtur. Po të shiteshin ëndrrat në pazar me paketa, si çokollata tridhjetë lekëshe, aq sa marr unë rrogë në një ditë, do të kisha ndenjur një herë në tre ditë pa ngrënë për të blerë një çoko… Më falni ! Një paketë që të ndjell ëndrra…

Ëndrra ime e parë dhe e fundit në jetë filloi kështu…

Kacimicrri po udhëtonte me avion supersonik nga Moska në Gjenevë. A më ta pifsha dollinë! Se dollia me raki, me verë, me shurup, me limonatë, me koka-kolë, por sot më shumë me ujë, pihet për ata njerëz që ta bëjnë zemrën mal. Ah, more Kacimicërr, të pifsha një dolli me ujë!

U lidha shpejt me radio.

  • Kacimicërr, bir! Kacimicërr, flori i vogël! Kacimicërr me trup të vockël e zemër luani!
  • Fol, o babush!

I tregova sa i tregova Kacimicrrit. Do të shkosh në Gjenevë, i thashë. Atje kam një mbesë. Është pesë vjeçe. E quajnë Danja. Më ka marrë shumë malli për të. Takoje dhe puthi cepin e veshit me porosi të gjyshit. Atje në Gjenevë mos u habit shumë, Kacimicërr, se do të të hapen sytë sa një rrotë biçiklete nga bukuritë. Kur ta kërkosh mbesën time, prit aty përpara Mauzoleumit të Dukës Brunsuiç, ku kalon mëngjes për mëngjes, ose te Kopshti para Kolegjit Kalvin, ku loz me kukullën e vet. Po nuk e takove as aty, shko te plazhi i liqenit të Gjenevës. Vetëm se kam një porosi. Thërrit me zë të lartë, me sa fuqi të kesh “Danja ! Danja !“ që ta gjesh. E di që zviceranët do të habiten e do të thonë “Ç’është ky njeri i pakulturuar që bërtet sikur të jetë në mes të pyllit ?!“ Po ti ke një të mirë se je sa një gishto e nuk ka për të parë e për të njohur njeri. Pastaj, punë e madhe ! Ne shqiptarëve na dinë se flasim me zë të lartë. Sa ta heqim edhe këtë zakon. Hë për hë, do të na falin.

Më pas, ëndrra ime vazhdoi si film serial televiziv dhe unë dëgjova çirrma nëpër Gjenevë.

  • Da-njaaa ! Da-njaaa!

Gjeneva kishte vetëm një Danjë shqiptare me këtë emër dhe më në fund, kur qielli ishte mbushur me yje dhe hëna ndriste rrumbullakoshe, Kacimicrri u takua me Danjën në lulishten me lule të kuqe, para Muzeut të Arteve dhe të Historisë, në rrugën Sharl-Galland.

Danja e vuri Kacamicrrin në pëllëmbë të dorës dhe ia ktheu puthjen e gjyshit. Pastaj i tha :

  • Shiko Kacimicërr! Hëna paska dalë shëtitje me kalamajtë e vet…
  • Do të ndriçojë botën, se dielli ka shkuar të bëjë gjumin e natës.
  • Jo! – u përgjigj Danja. – Hëna po merret me politikë… E di ti, Kacimicërr, se çdo të thotë politikë?
  • E di dhe nuk e di…
  • Ta shpjegoj unë. Hëna dhe kalamajtë e saj, yjet, janë me partinë e ndriçimit të qiellit. Bëjnë politikë për të na dhënë dritë natën, kurse vranësira bën politikë që qielli të nxihet, prandaj është parti e errësirës… Ka pastaj parti Kalamanore, parti gjyshore, parti muzikore, parti kastravecore…Ohuuu, sa parti ka… Po t’i numërosh, nuk të mjaftojnë gishtat, jo sikur të kesh dy duar por edhe dyqind. Po ti, Kacimicërr, ke hyrë në ndonjë parti?
  • Po! Në partinë turistike. Më pëlqen të udhëtoj nëpër botë dhe të ndihmoj njerëzit e mirë. Po ti, Danja, ke hyrë në ndonjë parti?
  • Kam hyrë në Partinë Botanike.
  • Po ç’është kjo parti?
  • Kjo është partia e bredhit, e pishës, e shelgut lotues, e qiparizit, e plepit, e rrapit, e pemës dekorative… dekorative… dekorative se ka shumë nga këto dhe unë nuk ua di të gjithave emrat. Mua më kanë pranuar anëtare në këtë parti se më pëlqen shumë gjelbërimi, hija e tyre që bëjnë në tokë dhe meqë jam pianiste, kam vënë re se pemëve dhe luleve u pëlqen shumë muzika. Prandaj dhe kam kompozuar marshin e bredhave, kantatën e pishave, vallen e plepave, një prelud të qiparisave dhe një këngë kurbeti për mështeknat. Kam menduar të kompozoj edhe një balet me titull “Festa e trëndafilave“ dhe një hymn për shelgun lotues, se më vjen keq që ai i mban degët të varura poshtë...

U zgjova nga gjumi i lumtur. M’u duk se në atë çast krevati më kishte sjellë drejt e nga Gjeneva në atë dhomën time të vogël, që NSHN-ja[1] nuk e ka llogaritur as për të mbajtur një komodinë te koka.

Shpjegime:

[1] NSHN – ndërmarrja e ndërtimit të shtëpive.

(vijon...)

Copyright © Të gjitha të drejtat mbi veprën e autorit Bedri Dedja i takojnë familjes së tij.