Kacimicrri rreth globit (rrëfenja 7)-Nga Bedri Dedja
- Published in Fëmijët
Kacimicrri për herë të parë nuk i bindet babushit të përrallave.
Ç’më gjeti mua të shkretin, ç’më gjeti ! Unë që nuk shihja ëndrra kurrë në gjumë, tani kam nisur të shoh për natë. Shoh ëndrra dhe ngrihem nga krevati ja i llahtarisur, ja i inatosur, ja i fyer. Ju do të më pyesni, pse ?
Sa i mirë është Kacimicrri, aq herë ma bie edhe në majë të hundës.
Iku nga Zvicra dhe i thashë të shkojë në Francë.
- Nuk shkoj! – më tha.
- Po Franca është e bukur, more Kacimicërr! Do të pendohesh!
- Jo, nuk pendohem!
- Po ç’ke ti me Francën?
- Ohu, histori e gjatë ! Kam pasur një shok shumë të ngushtë atje. E quanin Djali sa një gisht. Kam kohë pa dëgjuar për të dhe madje i kam humbur edhe adresën. Kush hyn tani në të gjitha bibliotekat dhe libraritë e Francës për ta kërkuar…
- Thërrit Kësulëkuqen[1]!
- Mirë thua ti, babush, po sikur ta marrë vesh ujku e të na kullufisë të dyve, madje edhe me gjyshen e saj. Mund të ndodhë që të mos jetë pranë asnjë druvar për të na shpëtuar…Si thua ti, të bie dëshmor në Francë, së bashku me Kësulëkuqen dhe gjyshen e saj ?! Se ta dish, në përralla nuk para ka demokraci… Të kullufisin me gjithë lecka e të lënë pa nam e pa nishan.
Të them të drejtën, u inatosa shumë dhe kafshova jastëkun. Kuptohet, gjithnjë në ëndërr. U mendova e u mendova, megjithëse thonë që njeriu në ëndërr nuk mendon. Shikon, dëgjon, e vetëm kaq. Ndoshta edhe unë mund të kem parë në ëndërr. Po kë, thoni ju ? Maçokun me çizme[2]! Oh, sa bukur, thërrita, pasi në gjumë pra, njerëzit nuk mendojnë. Vetëm flasin e thërrasin. Madje edhe kur duan të vrapojnë, këmbët nuk u binden.
- Kacimicërr! O Kacimicërr!
- Mos bërtiti, o babush, se të dëgjoj!
- Shko dhe tako Maçokun me çizme!
Kacimicrri heshti. Duket se edhe ai u mendua. Në ëndërr isha unë e jo ai…
- Jo, nuk dua ta takoj as Maçokun me çizma! – u përgjigj pas pak.
- Pse, ai është burrë i zgjuar?!
- Po, po… por ama i detyroi fshatarët me gënjeshtra e kërcënime që të pranonin se një i varfër mund të jetë pasanik edhe pa një grosh në xhep, që më pas të martohej me të bijën e mbretit.
- Po ty, ç’punë të prishin gënjeshtrat e Maçokut me çizme?
Kacimicrri më mbajti një fjalim në ëndërr. Po ja, më tha : do të dal të shëtis me të ; do të shkojmë në Luvër ku ndodhen pikturat më të bukura dhe do të më thotë: «E sheh, o i pagdhëndur? Kjo është pasuria ime!» Do të shohim Harkun e Triumfit. Edhe kjo, do të më thotë ai, është pasuria ime. «Eja të hypim në kullën Ejfel se është pronë e imja. Eja të të qeras me një drekë…» Pastaj Maçoku me çizme mund t’ja mbathë e unë mund të turpërohem, pasi do të duhet të paguaj për vete e për të… se ti e di që nuk kam në xhep as dollarë amerikanë, as franga franceze e as florinj… Pse të vihem në pozitë të vështirë? Kamarieri mund të thërrasë policinë. Në vënd që të shoh Parisin, mund të ndoshë që të shoh burgun e tij, për faj të Maçokut me çizme… Rri i qetë, o babush ! Bëje gjumin rehat!
- Po nuk më lë ëndrra.
- Mbylle me sustë.
- Po më dërgo, së paku, një nga ato sustat që kur mbaron ëndrra, shkruajnë “Fund“, si në filmat që shohim në televizor.
- Do të përpiqem ta gjej.
Kaluan disa sekonda. Kaluan një minitë, dy. Ëndrra nuk po shuhej. U mërzita dhe i fola përsëri Kacimicrrit.
- Atëhere shko në Angli!
- Jo, nuk dua!
- Pse?
- Nuk e di, po ata lordët e Anglisë nuk para i kam qejf…
- Pse?
- Do ta tregoj kur të mbrrij në Irlandë se për atje jam nisur. Kam ca miq me shumë humor në Dublin, të cilët më kanë thirrur të mbaj një fjalim në parlamentin e liliputëve[3]. Edhe pse ata nga trupi janë pak më të mëdhenj se unë.
Papritur, ëndrra ime u bë xham, sikur të ishte lidhur me antenë satelitore.
Kur Kacimicrri hyri në parlamentin e Katedrales së Dublinit, liliputët nuk e pritën me duartrokitje. Edhe më keq, as nuk e vunë re që hyri. Dy të tretat e karrigeve të parlamentit ishin bosh. Dukej, ishin mërzitur tremijë vjet me rradhë nga anglezët dhe ia kishin mbathur nëpër botë për të gjetur ndonjë fat tjetër. Po edhe ata që kishin mbetur, të veshur luks e me kordele ngjyra-ngjyra, bënin zhurmë e grindeshin me njëri-tjetrin, pa harruar kohë pas kohe që të hiqnin kapelen dhe të nderonin mbretin e tyre.
Aty, Kacimicrri mësoi se në parlament kishte dy parti kundërshtare. Njëra quhej partia e këpucëve me taka të larta dhe tjetra, partia e këpucëve me taka të ulta. Por kishte edhe disa shkencëtarë midis tyre. Dy partitë kishin në rendin e ditës diskutimin dhe grindjen se nga cila anë duhej thyer veza e zier. Kurse shkencëtarët e Akademisë së Lagados mbanin fjalime në parlament për shpikjet e reja që kishin bërë: për prodhimin e barutit nga akulli, përfitimin e energjisë diellore nga kastravecat si dhe ndërtimin e shtëpive, duke filluar jo nga themelet, po nga çatia…
Kacimicrri i ra fort çekanit të kryetarit të parlamentit dhe u ngjit menjëherë në tribunë. Të gjithë deputetët morrën dylbitë për ta parë më mirë, mbasi mezi dallohej.
- Zotërinj liliputë! Kam ardhur nga Shqipëria për t’ju uruar qetësi, transparencë, që mua më duket se do të thotë durim… Ju uroj, jo sherr, po konsensus, që mua më duket se do të thotë t’i lëshoni pè njëri-tjetrit për problemin e rëndësishëm që po diskutoni, pra, se nga ç’anë duhet thyer veza e zier… Përsa u përket shkencëtarëve, ne kemi një ndryshim. Në përrallën time, ata përpiqen dhe bëjnë studime se si të nxjerrin një ton dhjamë nga pleshti, kurse shtëpitë të nisin t’i ndërtojnë nga themelet dhe pastaj, pasi t’i ngrenë gjer në katin e pestë, t’ua hedhin tullat një e nga një dhe t’i kthejnë përsëri në nivelin e themeleve, që të mos kenë më as mure e as çati. Bëhen edhe zbulime të tjera, për shembull, si të shesësh një bukë me një grumbull të madh parash, që po t’i vësh mbi njëra tjeterën, të kenë lartësinë e një shtylle të lartë telefoni… por për këto probleme, nuk do ta zgjas më bisedën.
- Përsa u përket partive,-vazhdoi më tej ai,-gjithashtu, kemi një ndryshim. Në përrallën time nuk ka vetëm dy parti, por ka njëzet e dy dhe të gjitha quhen njëlloj: “partitë e gjuhëve që flasin“… Disa i kanë gjuhët e gjata dhe disa i kanë gjuhët e shkurtra… Po, të them të vërtetën, mua më pëlqen të hyj në partinë tuaj të këpucëve me taka të larta se jam pak i shkurtër dhe nuk më sheh njeri. Faleminderit! Kaq kisha për të thënë.
Disa duartrokitën e disa fërshëllinë. Kacimicrri doli nga parlamenti i liliputëve pa u mërzitur fare, për të bërë një shëtitje në Dublin.
Ç’të shikoje, mor vëllaçko!
Pa e parë dhe pa e vënë re njeri, Kacimicrri nisi të ecë buzë lumit të bukur Liffi që lidhej me aq shumë kanale të gjelbëruara lulesh shumëngjyrëshe, me lumin tjetër Shannon. Varkat e motoskafët me skijatorët e ujit ngjanin si ninfa deti. Kacimicrrit iu kujtua Shkumbini, rrethuar brigjeve me kallinj misri e me ferra… Iu kujtua Lana e Tiranës që të shponte hundët me erën e keqe gjer një orë larg. Iu mbushën sytë me lot se, të themi të drejtën, edhe Kacimicrri mallëngjehej shpesh për atë tokën e vet që prodhonte më shumë trima se sa grurë e, megjithatë kishte mbetur si gjysmë Saharaje.
Kaloi një çast, sa një dritë vetëtime dhe atë e mbërtheu një dorë e madhe dhe e fortë. Kacimicrrit nuk iu drodh zemra, por vetëm u habit.
- Kush je ti?
- Jam Guliveri, kirurgu dhe kapiteni i disa anijeve që kanë shëtitur në shtetet Liliputia, në shtetin Gjigandonia dhe në shtetin Kalëria. Me sa më thanë, ti u njohe me liliputët, por më erdhi keq që nuk u njohe me gjigandët dhe kuajt e Kalërisë. Nuk ka gjë… Do të kesh kohë ndonjëherë tjetër. Tani eja të të shëtis në parkun e lodrave të kalamajve të Dublinit, të shohësh Pallatin e Drejtësisë, që prej shtatëqind vjetësh çudit botën me madhështinë e vet dhe pastaj të hamë një drekë së bashku, me peshk e me birrë irlandeze.
Kacimicrri u mallëngjye përsëri dhe i tha Guliverit:
- Sheshin e lodrave mos ma përmend, sepse kur kujtoj atë paloshen buzë Lanës në Tiranë që është kthyer në varrezë hekurishtesh, më vjen për të qarë për ata kalamaj shqiptarë që nuk kanë ç’të bëjnë gjithë ditën dhe u vënë zjarrin plehrave që kanë mbushur kryeqytetin.
Guliveri dhe Kacimicrri u ulën në verandën e një restoranti buzë Oqeanit Atlantik. Sigurisht, Guliveri u ul në një karrige pranë tryezës, kurse Kacimicrri u ul këmbëkryq në kapakun e shishes së kripores.
Erdhi kamarieri. U bë porosia dhe pas një tak-faku erdhën dy pjatanca me peshk të freskët e me dy kriklla birrë. Peshku i freskët i saponxjerrë nga oqeani ishte tetëdhjetë e katër herë më i gjatë se Kacimicrri, prandaj ai porositi vetëm një sardele, që i doli e i teproi. Kurse në krikllën e birrës, ai u detyrua të pinte duke notuar me një gomë shpëtimi.
Kacimicrri çakarriti sytë kur pa pjatën e Guliverit.
- Përse nuk e mbaron sardelen?–e pyeti ai duke vënë buzën në gaz. -Ha një herë që të ngopesh, se ke rrugë të gjatë!
- Po të provoj të ha një të qindën e këtij peshkut që më ke vënë përpara, ty do të duhet të therrasësh më pas gjithë kirurgët e Irlandës që të më operojnë stomakun…Unë nuk e mbaroj dot këtë peshk as për një vit… Por mund të të bëj një propozim. Nise këtë peshk te kalamajtë, në Shqipëri se do t’u pëlqejë shumë… E vërteta është se ne në Shqipëri kemi det, kemi liqen e lumenj, por në shumicën e rasteve, peshkun e shohim vetëm në ëndërr. Kurse këtë birrën e mirë që më vure përpara e provova me kënaqësi se më kishte marrë malli. Një gllënjkë e jotja më del e më tepron. Ka dy vjet që birra shqiptare është kthyer në artikull ilegal, sigurisht, duke përjashtuar birrën që vjen nga jashtë, një shishe e së cilës kushton sa rroga ime ditore…
Mbaroi dreka. Kacimicrri u ngjit në pëllëmbën e Guliverit, e falenderoi dhe e puthi në të dyja faqet. Më pas u zhduk kalateve të portit të Dublinit.
Ndërsa unë, babushi i përrallave, nuk e di pse u zgjova nga gjumi i përlotur, jo me lot, por me birrë irlandeze.
Shpjegime:
[1] Kësulëkuqja e vogël, përrallë e vëllezërve Grimm.
[2] Maçoku me çizme është një përrallë e shkrimtarit francez Sharl Perro (1628-1703), e cila tregon historinë e një maçoku që përdor dinakërinë dhe mashtrimin për të marrë fuqinë, pasurinë dhe dorën e një princeshe nga tutori i saj i lig.
[3] Lilliput është një ishull imagjinar në librin e shkrimtarit britanik Xhonatan Suift “Udhëtimet e Guliverit“ (1721), i banuar nga liliputët, njerëz të vegjël me gjatësi më pak se tetë centimetra.
(vijon...)
Copyright © Të gjitha të drejtat mbi veprën e autorit Bedri Dedja i takojnë familjes së tij.










