Fëmijët

Kacimicrri rreth globit (rrëfenja 8) - Nga Bedri Dedja

  • Published in Fëmijët

Po të kishin qënë pranë njëri-tjetrit kësaj rradhe, babushi e Kacimicrri, rrezik të ishin zënë me grushta

U zgjova shumë i turullosur. Koka më kërciste si ata shalqinjtë që provohen me dy pëllëmbë nëse janë pjekur mirë, apo janë brënda bardhoshë. U ngrita nga krevati dhe hapa rubinetin e lavamanit për të ftohur kokën me ujë. Më ishte ndezur një oxhak i vockël mu brënda çaçkës së kokës. U ftoha sa u ftoha dhe më në fund e kërkova Kacimicrrin në radio prej së vërteti.

  • Po ç’do në veri, o Kacimicërr? Pse nuk vete në Amerikë ? Po Amerika është vënd i bukur, mor Kacimicërr!

Në Amerikë, më tha, do të vete, por jo tani. Atje kanë vajtur shumë shqiptarë dhe dua t’i takoj. I kam parë në televizor… Por nuk e di pse më është mbushur koka se atje në Amerikë po i shohin edhe pulat tona në televizor, sepse në Shqipëri është rritur shumë çmimi i vezëve… Dhe mos u çudit kur të vijë një ditë që të na e shesin një vezë me një dollar amerikan dhe jo me lekë shqiptare…

  • Kacimicërr! Po flet si e ëma e Zeqos në majë të thanës…
  • Babush! Mos më fyej !
  • Jo! Ti mos më fyej! Ç’është kjo fjalë që thua se pulat tona na merrkan eksperiencë nga Amerika dhe dashkan të pasurohen me dollarë?!
  • Babush! Mos më fyej! E para e punës, unë nuk jam e jëma e Zeqos. E dyta, nuk kam hypur në majë të thanës, por në avion supersonik.
  • Po ku je?
  • Mbi Oqeanin Atlantik.
  • Sa mirë! Do me thënë, je nisur për Amerikë?
  • Tani jo, babush! Do të shkoj në ato vënde, ku trimat e përrallave tona, ose shqiptarët, ose nuk kanë qënë, ose kanë qënë shumë rrallë.
  • Po për ku je nisur, mor kokëshkëmb i babushit? Ku po shkon, moj kokë e pazdruktuar, moj kokë e palimuar, as me limë e as me zumpara?!
  • Babush! Më ndiq me ekran dhe do ta marrësh vesh që jam nisur për në Islandë…
  • Po me ç’gjuhë do të merresh vesh, o kokëforti i babushit?
  • Mos më shaj, babush! Thuaj faleminderit që nuk jemi pranë se ndryshe do të ishim zënë me grushta…
  • Ama, për grushta që ke, o Kacimicërr ! Ato zor se edhe mizën nuk e frikësojnë. Unë po të pyes se si do të merresh vesh me islandezët…
  • Mos u trëmb, babush, kam marrë me vete një bibliotekë të tërë, me të gjithë fjalorët e vëndeve që do të vizitoj.

Udhëtonte avioni supersonik i Kacimicrrit, i vogël sa një gogozhare çerek-kilëshe korçare. Udhëtonte dhe udhëtonte.

Kur pa pritur, ndodhi një avari. E dini se ç’do të thotë kjo fjalë? Prishet një vegël dhe avioni, në vënd që të vazhdojë udhëtimin, lëshohet si kumbulla e pjekur nga dega dhe bie… po jo si kumbulla dy metra afër rrënjës, po drejt në oqean, ose mbi ndonjë ajsberg.

Kacimicrri nuk e prishi gjakun. Hapi parashutën dhe vendosi të bëjë një banjo në Oqeanin Atlantik. Ishulli i Islandës nuk ishte larg. Fati e deshi që ai ra në ujë, nja tre metro larg një motobarke peshkimi. Marinarët po mblidhnin rrjetat plot peshk. Shtatëqind e ca vjet jetë, Kacamicrri nuk kishte parë kurrë, as në ëndërr peshq të tillë!

  • O islandezë!
  • Kush je ti, moj pipizane!

Kacimicrri hapi fjalorin.

  • Jam shqiptar!
  • Ah, po… mos je vëlla me ata futbollistët që para se të vinin në Islandë e bënë Londrën çorbë derri?

Kacamicrri u nxeh pak, por e përmbajti veten se fundja, shqiptarët nuk ishin të gjithë si ata sherrakët futbollistë që shkuan në Londër. Hapi përsëri fjalorin për të gjetur fjalët e duhura dhe pastaj u tha peshkatarëve:

  • Pse, ju mos jeni më të mirë se ne që e bëni oqeanin çorbë për t’i marrë peshqit?

Islandezët qeshën aq shumë, sa që dallgët e Atlantikut u ngritën tre ballë mbi sipërfaqe.

  • Ti qënke shakaxhi, o picirruk ! Hajde sonte me ne, se vetëm nuk ke ku shkon, me atë palo avion. Nesër shohim e bëjmë. Ndoshta e çojmë tek dyqani i lodrave dhe e rregullojmë atje…

Marinarët islandezë i hodhën grepin dhe e tërhoqën Kacimicrrin me gjithë avionin e tij supersonik. Më pas, u nisën drejt kryeqytetit të tyre që quhej Rekjavik.  

Pasi hëngrën e pinë e pasi dëgjuan muzikë me harpë e me gajde irlandeze, të gjithë ranë për të fjetur, pasi peshkatarët ishin të lodhur nga gjuetia e peshkut, kurse Kacimicrri ishte i mërzitur nga prishja e avionit të tij.

Por në mëngjes ndodhi një çudi. Për t’u treguar trim, Kacimicrri doli i çveshur deri në brez, për t’u larë në çezmen e oborrit. Sapo hapi rubinetin e ujit, atij iu dogjën duart sikur t’i kishte futur në prush dhe thërriti me aq fuqi, aq sa mbante autoparlanti i gojës së tij të vogël.

Në oborr dolën me vrap Klausi dhe Bobi, dy peshkatarët irlandezë që e kishin ftuar në shtëpinë e tyre.

  • Po ç’bëre more Kacimicërr?! Po ti qënke tapë topi në gjeografi! Nuk ke dëgjuar për burimet e nxehta të ujit në Islandë?

Erdhi ambulanca me urgjencë për ta shtruar me urgjencë Kacamicrrin në spitalin më të madh të Rekjavikut, atje ku mjekët nisën t’i kurojnë me urgjencë duart e djegura të tij. Mirë që nuk e hodhi atë ujë për të freskuar fytyrën se do t’i ishte përvëluar lëkura dhe nuk do ta thërrisnin më Kacimicërr, po Fantomas, si tek ai filmi francez ku ai e ndryshonte fytyrën dhjetë herë në ditë, sipas qejfit.

Klausi dhe Bobi, dy peshkatarët zemërbardhë islandezë i rrinin Kacimicrrit në të dy anët e krevatit që s’ishte më i madh se një telekomandë televizori.

Babushi ishte penduar shumë për grindjen që kishte patur me Kacimicrrin, prandaj rrinte para ekranit dhe vërente me vëmëndje se si ecte kurimi i djegies së duarve të tij. E tërhiqnin dhimbjet së prapthi rrëshqanazi apo e sulmonin përsëri me tërbim?!

Mjekët dhe peshkatarët islandezë kishin qëlluar superheronj. Dy ditë e dy netë nuk vunë gjumë në sy. Vonë natën, njëri nga peshkatarët, nuk di të them nëse ishte Klausi apo Bobi, i tregoi Kacimicrrit një histori që i ngjante një përralle…

…Këtu jemi në rrethin polar, o biri i xhaxhait. Toka jonë është më e fortë nga deti se është katërqind gjer më njëmijë e shtatëqind metra më e lartë se deti. Kemi tridhjetë vullkane që kur çfryjnë si kuçedrat, na djegin shtëpitë dhe fshatrat, sikur ne t’i kishim ndërtuar prej kartoni. Këta vullkanët as që nuk pyesin fare për djersën tonë dhe as që pyesin që rrimë gjithnjë duke ndërtuar shtëpi të reja. Toka këtu është e mbuluar me akull dhe me lavë vullkanesh, me ftotësirë në dukje dhe me zjarr në thellësi, sa që nuk ecën dot se të përvëlohen këmbët. Kemi ca liqene e këneta, por në to nuk lahesh dot se po u fute brënda del si mish i zier. Drurët tanë të kanë ngjarë ty, janë xhuxhimaxhuxhë. Por ama, kemi një të mirë se me peshk mund të ushqejmë çerekun e botës… kurse bagëtitë i ushqejmë me patate, si në restorantin “Patatja e artë“…

  • Sa mirë!–tha me vete Kacamicri,-këtu edhe bagëtia ushqehet si tek restoranti “Liqeni“, atje në Tiranë, por kuptohet, kur ka patate…
  • Vetëm kemi një të mirë,-vazhdoi Klausi apo Bobi…nuk e di se cili,-shtëpitë i ngrohim me ujët e nxehtë të burimeve vullkanike që nuk na kushtojnë asnjë grosh. Kemi vuajtur edhe ne, Kacimicërr, si ju shqiptarët… Dukët, arhondët[1], princërit, gjeneralët dhe mbretërit e Danimarkës dhe të Norvegjisë, gjer para njëqind vjetësh na kanë rjepur jo nga tre, po nga pesë lëkurë…

Kur doli nga spitali, Kacimicrri bëri një vizitë në portin e Rekjavikut. Peshkatari i mirë Klaus e mbante mbi pëllëmbën e dorës dhe i thoshte:

  • M’u bër si djalë për shpirt, o Kacimicërr! A më beson që nuk dua të ndahem prej teje?

Një megafon në port thërriste me zë të lartë:

  • O njerëz, hajdeni në Islandë të bleni gjëra të mira ! Kemi mish sa të doni, ndërtojmë anije, kemi konserva peshku që të bëjnë të lëpish gishtat… Kemi rroba të leshta për ata që e ndjejnë shumë të ftohtit, këpucë që nuk duan t’ja dijnë, sikur temperatura të shkojë edhe minus 30° nën zero, kemi sapun e margarinë të mirë, kemi e çfarë nuk kemi… O njerëz, hajdeni në Islandë ! Vetëm futbollistë dhe tifozë rrëmujaxhinj nuk duam!

Zëri i megafonit kalonte mbi sipërfaqen e Atlantikut e mbrrinte deri në bregun e dy kontinenteve që e rrethonin ishullin e Islandës. Po ku të linin zhurmat e reklamave në Europë e në Amerikë që ta dëgjoje qartë këtë zë!

Kacimicrrit ia ndërprenë mendimet fjalët e peshkatarit Bob që u afrua drejt tyre dhe tha se avioni supersonik ishte rregulluar dhe ishte gati për udhëtim…

 

Shpjegime:

[1] Arhond quhej një sundimtar ose qeveritar i një krahine gjatë periudhës bizantine. Ai zakonisht ishte pjesëtar i parisë feudale të vendit dhe pronar i madh tokash. 

 (vijon...)

Copyright © Të gjitha të drejtat mbi veprën e autorit Bedri Dedja i takojnë familjes së tij.