Fëmijët

Kacimicrri rreth globit (rrëfenja 9) - Nga Bedri Dedja

  • Published in Fëmijët

Mos ka vendosur Kacimicrri të kthehet në Shqipëri akullore në kaush?

More çuna e çupa të vogla! Më thoni, mos ndoshta babushi e ka gabim? I flas Kacimicrrit dhe ai nuk më përgjigjet. E këshilloj, nuk më dëgjon. I lutem, ai më thotë “shiko punën tënde“! I bërtas dhe e qortoj e ai ma pret shkurt “O babush, mos u bëj njeri i pakulturuar!"

Pra, mos e kam unë gabim? Në e paça gabim, ma thoni troç. Vërtet jam plak, po edhe gabime mund të bëj. Kanë bërë gabime goxha filozofë që bota i ka ngritur në qiell… Kanë bërë gabime me thes presidentë, kryeministra, sekretarë të parë apo kryetarë partish e jo më unë… një përrallëtar!

Në ekranin tim më doli përsëri Kacimicrri dhe më tha:

  • Babush, mirëupafshim !
  • Po ku po shkon, mor piciruku i babushit?
  • Në Alaskë.
  • Ku???!!!
  • Në Alaskë, tek eskimezët.
  • Po ti atje do të ngrish për së gjalli… madje po të futën në skrematriçe[1] e po të hodhën edhe pak sheqer, do të më kthehesh në akullore pa bajame, pa arra, pa reçel, vetëm me qimet e kokës !
  • Mirupafshim!

Më ngriu zemra. U mbulova me dy velenxa, sikur të kisha vajtur vetë në zonën polare të veriut. Futa ekranin nën mbulesë, i shtova dritën dhe kontrastin dhe vazhdova të ndjek udhëtimin e Kacimicrrit.

O Alaskë me faqe akulli! Me ata sy të zjarrtë që t’i ka zili edhe dielli ! Me ata akuj, që po t’ia falje gjysmat Afrikës, do të të kishte quajtur perëndi! Me ata njerëz që edhe pse duken si mongolë, janë nga më të bukurit, më të fortët dhe më heroikët që ka kjo botë! Ata jetojnë jo vetëm në shtëpi si tonat, por edhe në shtëpi me mure e çati prej akulli.

O Alaskë! Ç’qenë ata mbretër rusë që të shitën te Amerika këtu e një shekull më parë? Të përshëndes Alaskë! Të përshëndes, o Poli i Veriut!

Shikoja Kacimicrrin, i cili kishte vënë një palë gjyslyke të errëta që të mos i verboheshin sytë nga shkëlqimi i fortë i akullit të bardhë dhe vetë dridhesha nën velenxën e ngrohtë. Më dukej vetja sikur isha shtrirë në një shtrat prej akulli.

Avioni supersonik i Kacimicrrit nuk u ndal fare në qytetin dhe portin kryesor Syard, por fluturoi thellë, drejt akullnajave. Kur, ç’të shikoje ! Filluan të lëvizin raketat, topat atomikë dhe armët kundërajrore, të thoje ti se kishte filluar një sulm usharak nga planeti Mars kundër Polit të Veriut. Ç’bëhet more djema, kështu? Pse, me një avion sa një gogozhare Korçe do ta niste luftën planeti Mars? Pse këta ushtarakët mendojnë vetëm për luftë e për të drejtuar raketat në objektiv apo për të shpërndarë kryqëzorët nëpër detra e oqeane, duke lemerisur kalamajtë?!

U detyrua i varfri Kacimicërr të zbresë në një aerodrom akulli se ndryshe do ta kishin bërë pluhur e hi. Komandanti i aerodromit ushtarak vuri një palë gjyslyke numur dhjetë se nuk po e dallonte fare Kacimicrrin.

  • Nga vjen, zotrote? Më jep pak pasaportën!
  • Urdhëro!
  • Kush e paska bërë këtë garanci?
  • Nuk e njoh këtë gjeneral.
  • Nuk është gjeneral, po kalama. Nuk i sheh emisionet e kalamajve në televizor, ti, zoti komandant, apo nuk të pëlqejnë ? Nuk ka fëmijë në botë që të mos e njohë Taotaon… Po të duash, pyet kalamajtë e eskimezëve, të indigjenëve dhe të atij fisit tjetër që quhen aleutë… Ata, vërtet janë më pak se ju si banorë… po Taotaon e kanë parë shpesh në televizor. Ju jeni një çerek milioni në Alaskë dhe me siguri që duhet të ketë edhe prej jush që e njohin. Pyesni një herë fëmijët tuaj, apo ata nuk banojnë me ju në Alaskë?!

Komandanti i aerodromit, goxha gjeneral me kulturë të madhe, u zu pak ngushtë nga ky njeri i vockël që, sipas tij, nuk ishte gjë tjetër, veçse një palo gishto. Fundja, sikur me një këpucë ta shtypte, ai bëhej fare petë.

  • Jo… jo, - tha, - për një farë Taotao kam dëgjuar, por nuk më ka rënë rasti të takohem ndonjëherë me të… ose, së paku të rrinim ndonjëherë bashkë në ndonjë bar e të pinim nga një gotë uiski…
  • Aaaa, - ia priti Kacimicrri, - Taotao nuk pi uiski se ai eshte si rakia jonë e mund të bëhej xurxull e të rrinte xurxull një vit të tërë…
  • Mirë… kalo ! Qënke biznesmen i zgjuar, ti! Ku do të shkosh?
  • Te kasollet e eskimezëve. Vetëm, ju lutem, ma ruani pak këtë avionin tim se mos ma përlan furtuna arktike…
  • Mos kij merak ! Do ta fusim brënda në kapanon.

Dhe kështu, u ndanë miqësisht me njëri-tjetrin. Kacimicrrit i dhanë një palo doreza që të mos mërdhinte, pastaj e hypën në një slitë që e tërhiqnin qentë. Një të thërritur dhe slita mori rrugën drejt fshatit më të afërt polar.

Komandanti i aerodromit njoftoi fshatin me radio. Eskimezët dolën dhe e pritën Kacimicrrin duke hedhur valle në akull para shtëpive të tyre, me mure e çati akulli.

Sa kishte rrojtur Kacimicrri nuk mbahej mend, por festë kaq të bukur nuk kishte parë kurrë.

Kur erdhi darka nisi përralla e eskimezëve.

Përralla ishte e bukur dhe e dhimbshme. Ishte e gjatë dhe ishte e shkurtër. Ishte për të qeshur dhe ishte për të qarë. Ishte me njerëz dhe ishte me kafshë. Ishte e me çfarë nuk ishte…

Qe një kohë që eskimezët, indigjenët dhe aleutët hanin mish të gjallë, si luani, tigri dhe leopardi. Dhe kjo nuk ishte kohë shumë e largët. Atë mishin e gjallë që hanin polarët e quanin “innuit“, kur në Nju Jork bifteku servirej i pjekur për merak me një kontorno që kishte brënda pesëdhjetë lloj zarzavatesh.

Në Alaskë atëhere kishte patur shumë viça e më shumë se një milion kaproj. Ah, sa i shijshëm që ishte ai i shkretë, mish i kaprollit! Po ç’e do… na erdhën disa udhëtarë nga larg dhe na e shanë mishin e viçit. Ç’e doni ju viçin! Ai është budalla! Viçi pi qumësht lope dhe mban era lopë. Hani vetëm biftekë kaprolli! Ku ka më të mirë e më të zgjuar se kaprolli… ai nuk vjen erë fare; ai është i ëmbël dhe i freskët si akulli polar. O burra, mish kaprolli! Dhe nuk kaluan shumë vjetë dhe nga një milion kapronj, mezi mbetën nja pesëdhjetë mijë, sa për farë…

Na ishte seç na ishte! Na ishte një Alaskë me miniera ari, platini, qymyrguri… Po eskimezëve u kanë lënë si zanat vetëm gjuetinë e kafshëve të detit, konservat e peshkut, përpunimin e drurit dhe celulozës si edhe ca bagëti të trasha dhe njëzet mijë dele…

Në mëngjes, kur u ngrit nga gjumi dhe u zbulua nga ata dhjetëra gëzofëra që i kishin hedhur mbi kurriz për të mos ngrirë, Kacimicrri piu qumësht delesh eskimeze. Kurrë në jetën e vet nuk kishte provuar qumësht më të shijshëm! Ishte më shumë si akullore se sa qumësht.

Mbaroi mëngjesi dhe ndodhi mrekullia më e madhe.

  • Unë, - tha Kacimicrri, - do të bëhem arkitekt… Unë, zotërinj eskimezë, do të vi përsëri këtu… Ju meritoni të keni në Alaskë tre qytetet më të bukura në botë! Dhe këto tre qytete do t’i projektoj unë, ky Kacimicërr sa një gisht. Se ju e meritoni më shumë se gjithkush! Pse ta hanë mishin e kaprollit e ta pinë të tjerët qumështin tuaj, kurse ju të jetoni nëpër kasolle, me mure e çati prej akulli? Kjo nuk është demokraci! Le të flasin sa të duan presidentët për të drejta, por unë po e them troç që kjo nuk është demokraci! Unë do të projektoj qytete me pallate njëzet katëshe për ju, të cilat ditët e javës do të nguliten në akullin e Alaskës, kurse të premten pasdite do të hapin krahët e do të ngrihen në fluturim, së bashku me ju, për të zbritur në brigjet e Afrikës së Jugut, ku janë plazhet më të bukura. Rrofshin eskimezët!

Dhe sa hap e mbyll sytë, Kacimicrri u hodh në avionin e vet supersonik që e priste jashtë kapanonit dhe fluturoi, duke i përshëndetur me gëzim miqtë e tij të rinj.

 

Shpjegime:

[1] Skrematriçe – makineria që në punishtet e qumështit, përmes centrifugës e ndan plotësisht yndyrën nga qumështi.

 Vijon...

Copyright © Të gjitha të drejtat mbi veprën e autorit Bedri Dedja i takojnë familjes së tij.