Fëmijët

Kacimicrri rreth globit (rrëfenja 16) - Nga Bedri Dedja

  • Published in Fëmijët

Atje ku mali mund të ngrihej jo me shkrepa e shkëmbinj, por me njerëz dhe ku ishulli mund të ndërtohej me shumë kate.

  Lambada! Lambada! Kjo melodi e valles nuk po i shqitej Kacimicrrit nga mëndja edhe duke fluturuar me avion. Ai u ngjit aq lart në qiell, saqë gjithë Amerikën e Jugut po e shihte, si në pëllëmbë të dorës. Nga e djathta ishte Oqeani Atlantik. Nga e majta ishte Oqeani Paqësor. Pastaj u lidh me babushin në teleradio. Se ç’e pyeti babushin, nuk dihet. Po ai fliste e Kacamicrri dëgjonte. Dëgjonte dhe vështronte. Çfarë nuk shihej poshtë!

Argjentina e Maradonës[1], e atij futbollistit rrumbullakosh, të cilit i ngjiste topi në këmbë dhe i bënte golat në portë, si të ishin kafshata që hynin në gojë. Kush nuk e ka parë Maradonën në televizor gjatë kampionatit të fundit botëror…

Kili i tërmeteve, i tërmeteve të vërteta që bënin kërdinë duke shkundur tokën dhe pallatet. Tregonin një herë se kur kishte rënë një tërmet shumë i fortë, e kishte nxjerrë njëqind metra mbi tokë një anije të madhe sa vapori “Partizani“, duke e lënë në mes të një bulevardi të qytetit. Ndërsa një pallat tre katësh pranë bregut e kishte fundosur dyqind metra thellë në oqean. Por Kili ishte edhe vëndi i tërmeteve gjasme, që vrisnin njerëzit e varfër me mitroloz. Këto tërmete gjasme i shkaktonte Diktatori[2]. Ai çirrej dhe drapri korrte, por nuk korrte grurë ose misër. Drapri ishte mitroloz e korrte njerëz. Kushedi se ku ndodhet kjo egërsirë sot se, më në fund, njerëzit u ngritën dhe e dëbuan[3].

Nikaragua, Salvadori, ku njerëzit rrinin tërë ditën dhe flinin, ndërsa natën, me pushkë në krahë, sikur perëndia t’u kishte falur jo një jetë, po nga tre jetë sejcilit…

Panamaja dhe ai kanali i madh, mrekullia e nëntë e botës, para kullës së lartë të Torontos[4] në Kanada, mrekullisë së dhjetë që kishin ndërtuar punëtorët trima, bashkë me shkencëtarët mëndjendritur. Në kanalin e Panamasë[5], dy gjigandët e botës i kishin shtrënguar dorën njëri-tjetrit. Këta dy vëllezër gjigandë ishin Oqeani Atlantik dhe Oqeani Paqësor. T’i shikoje këta dy vëllezër sa të egër ishin në kohë të keqe, me dallgë të larta sa një kodër dhe sa të urtë ishin në kanalin e Panamasë, me atë sipërfaqe të lëmuar uji, si pasqyrë…

Kacimicrri fluturoi në veriperëndim të Paqësorit, në drejtim të atyre ishujve të ndritur në lindje të Siberisë, ku shtrihej shteti i Japonisë.

Tregonin e ç’nuk tregonin për këtë Japoninë… Kur ndodhi ajo lufta e fundit e madhe e botës[6], japonezët gabuan. Gabuan dè, gabuan shumë rëndë ; siç thotë populli, kur gabon i urti, gabon shumë rëndë. U bashkuan me Hitlerin, njeriun më të keq të botës, i cili i gënjeu gjermanët se gjoja donte të bënte zap gjithë botën, sikur shtetet të ishin milingona dhe jo shtete. Gabuan gjermanët, gabuan edhe japonezët. Gabuan shumë rëndë ! Vra e pritu me njëri-tjetrin ! Korr njerëz ! Japonezët bënë pluhur e hi anijet amerikane të luftës në një port që quhej Përl Harbur, gati për dy minuta. Pas kësaj ngjarjeje gabuan shumë rëndë edhe amerikanët. Për tu hakmarrë, ata shpikën atë bombën shfarosëse atomike dhe e hodhën në dy qytete të Japonisë që quheshin Hiroshima dhe Nagasaki. E kështu, u bënë pluhur e hi jo vetëm qytetet, por edhe shumë japonezë që nuk kishin fare-fare faj. E që atëhere, bomba atomike mbolli në tokë shumë sëmundje të llahtarshme, që edhe pse nuk mund t’i shohim me sy, vrasin në heshtje shumë e shumë njerëz.

 “T’i harrojmë! T’i harrojmë!“–thërrasin presidentët dhe gjeneralët… socialistët, demokratët, republikanët, demokristianët dhe të gjithë istët, atët dhe anët. Po ku mund të harrohen? Ku të lenë filmat dhe historia t’i harrosh! Shtetet gjigande të botës kanë aq shumë bomba dhe raketa sa që, sa që… Siç i ka bërë llogaritë një shkencëtar, po të pëlcasin të gjitha ato… globi ynë aq i bukur me kontinente, oqeane, qytete dhe kryeqytete, me lumenj e pyje, me lule, televizorë e kompjutera, me vjersha dhe romane, me parqe lodrash e teatër kukllash, - për një minutë bëhet pluhur, bëhet gaz si një re e zezë. Dhe nuk ka më glob. Nuk ka më as njerëz. Kush i shpiku këto bomba dhe raketa? Kush pagoi për t’i shpikur dhe për të mbushur depot, kazermat dhe instalimet që mbahen fshehur? Kush i detyronte japonezët në atë luftën e fundit të madhe që të vdisnin bashkë me aeroplanin, për të mbytur anijet e armiqve të tyre, bashkë me marinarët e pafajshëm ?

Mendohuni! Mendohuni! Unë e di që ju jeni aq të zgjuar, sa përgjigjen ta gjeni vetë. Fundja, po nuk e gjetët vetë, gjyshërit prapë i keni. Ata janë pensionistë. E ç’punë tjetër kanë? Rrinë në rradhë, rrinë në kafene dhe shëtisin me nipër e me mbesa. Prindërit vetë janë shumë të zënë. Babi dhe mami kanë shumë punë…

E di që përgjigja nuk është shumë e lehtë. E di që ngjan me llogarinë, ose me ato lodrat me letra që quhet pesëkatësh. Po, megjithatë, gjyshërit dinë aq shumë gjëra saqë e gjejnë gjithnjë përgjigjen. E ka, kush e ka! E ka x-i me qera. X në matematikë quhet gjasme ai që nuk njihet. Kurse Japonia njihet.

Morèèèèè ! Sa shumë njerëz kishte në atë ishullin e madh të Japonisë ! Kur ka shumë njerëz në një vënd, atje në Shqipëri përdorin shprehjen, janë si “mizat në kërcu“!

Ishte ditë e dielë. Në plazh kishte miliona njerëz. Gjithë ishulli i madh i Japonisë, gati ishte plazh. Po njerëzit mbidheshin aty ku ishin njerëzit e tjerë. Edhe tek ne në Durrës mblidhen shumë njerëz në plazh gjatë verës. Po në Japoni, deti nuk dukej sikur ishte ujë me kripë, por det me njerëz. Aty ku laheshin njerëzit nuk fusje dot më as majën e gjilpërës, sepse nuk kishte vënd as për gjilpërë. Rrugës dhe shesheve ndeshje aq shumë njerëz, sa mund të ngrije një mal me ta. Kryeqyteti i Japonisë quhej Tokio dhe ishte qyteti më i madh në botë. Këtu në Japoni punohej aq shumë sa që ia kishin kaluar edhe vetë Amerikës. Kudo në botë pyesnin: “Çfarë televizori është ky?“

  • Është më i miri!
  • Çfarë veture është kjo?
  • Është shumë e mirë!

Ç’është kjo e ç’është ajo. Çdo gjë sikur prodhohej me sustë.

Kacimicrri kishte parë në Tiranë ca vetura që quheshin “Tojota“. Ishin japoneze dhe shkisnin në rrugë si motoskafët në det. Kacimicrri u kujtua se diçka kishte dëgjuar për atë qytetin e makinerive “Tojota“. Po sikur të shkoj e ta shoh ? Po kujdes se mos mbetesh nën këmbët e japonezëve ! Ata janë të disiplinuar dhe ecin shpejt. Arrijnë në punë një sekondë përpara dhe sapo mbaron kjo sekondë fillon puna. Në “Tojota“ shkelen sustat.

Të nesërmen në mëngjes Kacimicrri u gjend para portës ku hynin punëtorët e turnit. Ata nuk hynin, por futeshin nëpër dyer që hapeshin vetë përpara tyre : në vënd të tyre ecnin rruginat elektrike, shkallët elektrike, ashensorët, fronat fluturues, kapelet metalike që zbrisnin vetë në kokat e punëtorëve e sa e sa çudira të tjera që Kacimicrri nuk i kuptonte dhe nuk dinte t’i shpjegonte. Brënda në “Tojota“ kishte tabela me susta ngjyra-ngjyra, me llambushka, me duar mekanike, këmbë elektrike, njerëz robotë të ngjashëm me kukullat që nuk ishin të gjallë si ne, por që punonin më mirë se ne… Nga një anë hynte hekur, gizë dhe llamarinë dhe nga ana tjetër dilte vetura gati, duke pritur shoferin. Punëtorët vetëm shkelnin sustat. Veturën e bënin gati mijëra duar mekanike që i drejtonte mëndja e mënçur e një njeriu…

Atë çast Kacimicrri u hutua aq shumë duke parë këto çudira, sa që për pak nuk na la lamtumirën. Ishte futur në mes të ca bullonave dhe dora mekanike, në vënd që të kapte bullonin, kapi Kacimicrrin. Bo-booo! Mirë që e pa ai syri i fortë e vigjilent i punëtorit japonez! Ndaloi punën gjithe uzina. Gabim. Difekt teknik. Keqkuptim. Mosmarrëveshje. Mirë që ndodhi kështu. Ndryshe Kacimicrrin sot do ta kishim bullon në ndonjë veturë “Tojota“ që do të shkiste në rrugët e Gjenevës, të Parisit, të Nju Jorkut, te Pekinit dhe… ndoshta edhe të Tiranës…

Një autoambulancë, pesë mjekë, pesë infermiere, dy shofera, një robot që maste pulsin e zemrës, frymëmarrjen e mushkërive, që kontrollonte kockat se mos ishin thyer, që ndërronte brekët se mos ishin lagur e që… e çuan Kacimicrrin në spital. E mbajtën ca ditë, e ushqyen mirë e mirë me sushi e pastaj i thanë: “Tani mund të shkosh edhe në Hënë! Në Mars e në Jupiter, po deshe !“ Kacimicrri u mahnit kur e pa veten përsëri në avionin supersonik sa një gogozhare Korçe, duke fluturuar nga jugperëndimi. Japonezët, tha me vete, nuk do t’i harroj kurrë. U trembën dhe u kujdesën si babushi për jetën time… Bota ka miliarda njerëz të mirë…

Kur po fluturonte, Kacimicrrit iu kujtua edhe një herë ajo puna se çdo të bëhej në Japoni, kur ajo të shtohej e të shtohej me njerëz e ata të bëheshin mal?

Kacimicrri në çast qeshi me vete. Ata japonezët janë aq të mençur e punëtorë, sa po nuk u mjaftoi ai ishulli i madh… Po nuk u mjaftoi… Ata, me siguri do të ndërtojnë katin e dytë të ishullit po mbi atë tokë, po mbi ata pyje, lumenj, pallate e qytete, duke mos e lënë katin e parë pa diell. Edhe diellin e katit të parë ata mund ta shpikin… Janë shumë të zgjuar. Pastaj, po nuk mjaftoi kati i dytë, ndërtojnë katin e tretë të ishullit, katin e katërt… Ndoshta ishullin e kthejnë edhe në pallat rrokaqiell. Çfarë nuk janë të zotët të shpikin japonezët!

Shpjegime:

[1] Diego Armando Maradona është një futbollist argjentinas, i cili konsiderohet si një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e futbollit.

[2] Augusto Pinoçeti (1915-2006) ka qënë President i Republikës së Kilit (1974-1990) pas grushtit të shtetit që rrezoi qeverinë demokratike. Diktatura e tij ushtarake u shënua nga shkelje të shumta të të drejtave të njeriut (më shumë se 3200 të vdekur dhe të zhdukur, më shumë se 38000 njerëz të torturuar, me dhjetëra mijëra arrestime të kundërshtarëve të tij).

[3] Më 10 tetor 1998, diktatori kilian A. Pinoçeti u arrestua në Londër pas një padie ndërkombëtare për "genocid, terrorizëm dhe tortura". Ai vdiq në dhjetor 2006 në Santiago të Kilit.

[4] CN Tower është një kullë prej 553,33 metrash në qendër të Torontos (Kanada), që për shumë vjet ka qënë më e larta në botë.

[5] Kanali i Panamasë (77 km i gjatë) lidh Oqeanin Paqësor dhe Oqeanin Atlantik. Ndërtimi i tij ishte një nga projektet më të vështira inxhinierike të ndërmarra ndonjëherë dhe vazhdon të jetë një pikë kalimi strategjike për lundrimin.

[6] Lufta e Dytë Botërore (1939-1945).

(vijon...)