Fëmijët

Kacimicrri rreth globit (rrëfenja 17) - Nga Bedri Dedja

  • Published in Fëmijët

Si mund të kthehet faqja e zezë në faqe të bardhë, duke e lyer me gëlqere.

A dëshironi t’ju tregoj,-tha Kacimicrri, -se si u zhvillua një diskutim krijues për filmat nga personazhet e përrallave dhe të filmave në xhunglat e Vietnamit, në atë shtetin që ka si kryeqytet Hanoin?

Kur ishte në fluturim drej këtij shteti, Kacimicrri shpërndau ftesat për këtë diskutim krijues ndërkombëtar. Kur avioni supersonik zbriti me kujdes në xhungël, që të mos ngecte nëpër degë, ai pa që gjithë të ftuarit, hop-hop ishin mbledhur. Aty ishin gati të gjithë: Xhixho Xhanburaska, Beniamin Beni, Taotao, Nils Holgersoni, Robin Patatja, Kokëfirifiu, Lepurushi-Veshkaushi, milingona nga Orizi i Milingonave, Pinoku, Fatbardh Pikaloshi, Çipolino e shumë e shumë të tjerë.

Fjalën e hapjes së diskutimit krijues e mbajti Kacimicrri. Ai tha:

--Këtu jemi në Vietnam. Të gjithë e njihni Vietnamin. Vietnami është një tokë e bekuar nga perëndia Savaof. Ju keni parë filma në televizor. Madje, edhe ju vetë jeni filmuar kushedi sa herë për televizorin. Kështu, për shëmbull, Xhixho Xhanburaska, Beniamin Beni dhe Robin Patatja kanë dalë në shumë filma që ka shfaqur Televizioni italian. Taotaon dhe Nils Holgersonin i kemi parë nga shtatë herë brënda vitit në Televizionin shqiptar. Pse? Sepse Televizioni i Tiranës kujton që ne, fëmijët e Shqipërisë jemi të trashë dhe duhet të na e përsërisë të njëjtin mësim shtatë herë. Po pse na e përsërit? Ka tri arsye. E para. Se nga ana teknike është nga të fundit e klasës në botë. E dyta. Se nuk ka para të blejë filma të rinj. Është trokë nga xhepat. E treta. Nuk e ndihmon Kinostudjoja “Shqipëria e Re“… jo, më falni se bëra gabim! Kinostudioja “Shqipëria e vjetër“. Jo! Më falni se përsëri bëra gabim! Ç’na ngatërroni me emrat e vjetër?! Tani, më duket se quhet “Albafilmi“. A i keni parë dikur makinat me targat “UP“? Kjo donte të thoshte “Ushtria Popullore“. U hoq ky emër se ishte i vjetër. Madje, nuk është çudi që edhe unë Kacimicrri ta ndryshoj emrin. Për shëmbull, nëse nuk duhet të quhem përsëri Kacimicërr, si duhet të quhem? Kocomisër? Ai që quhet Fatbardh, mos duhet të quhet Fatzi, se ka lindur në kohën e vuajtjeve të kaluara!?! E kështu me rradhë… Dikush mund të propozojë që Kacimicrri të quhet Karkalec se kjo është më demokratike… Po puna është se sot nuk na ndihmon as Albafilmi dhe as Albatelefilmi… se ata që punojnë atje bëjnë filma vetëm skenarët e tyre. Për shembull, bëjnë film me kartona “Partizani dhe ballisti“ dhe na gënjejnë. Na del një partizan, i cili kryen një mijë e njëqind heroizma dhe nuk vritet kurrë… Prisni se do të kthehemi përsëri te puna e këtyre heroizmave në këtë diskutim krijues… Pra, nuk u ka shkuar mëndja kurrë atyre të Albafilmit, ose atyre të Albatelefilmit që të trokasin në portën e një përrallëtari apo të një përrallëtareje për fëmijë e të thonë: “Zotërinj përrallëtarë! A mund ta bëjmë, për shembull, film serial Lepurush-Veshkaushin, Elefantin dhe milingonën, apo Fatbardh Pikaloshin?“ Albafilmi dhe Albatelefilmi ngrenë supet. A ju bie ndërmend juve për kalamajtë shqiptarë, apo jo? Nuk e di… Kaq kisha! – tha Kacimicrri. –Tani fillojmë diskutimet!

Xhixho Xhanburaska ngriti dorën.

Fjalën e ka zoti… zoti Xhanburaska!

Xhixho Xhanburaska u ngreh si gjel deti. Asnjëherë dhe asnjeri nuk i ishte drejtuar atij me fjalën “zotëri“. Xhixho pyeti:

  • Ky vend, a quhet Vietnam?
  • Po, Vietnam.
  • A jemi në Vietnam?
  • Po, në Vietnam jemi.
  • Po sikur të mos jemi në Vietnam?
  • Xhixho, përse e ke fjalën?
  • Jo… se këtu mund të flas për Vietnamin… Kurse po të jem në oqean, kam frikë se mos më lëshojnë ndonjë bombë atomike në kokë… Pse të vdes para kohe?
  • Pa shiko mirë, mor Xhixho. Ne jemi ulur në tokë dhe jo mbi dallgët e oqeanit!!!
  • Shikoni, more shikoni… edhe këtu në tokë ka ujë…
  • Këto janë liqene në pyjet e Vietnamit. Këtu drurët rriten edhe në ujë dhe nuk merret vesh, a janë pyje, apo liqene…
  • Atëhere, betohuni që jemi në Vietnam!
  • Betohemi! - thërriti Kacimicrri. Bashkë me të u betuan edhe Beniamin Beni, Taotao, Nils Holgersoni, Robin Patatja, Kokëfirifiu, Fatbardh Pikaloshi, Pinoku, Lepurushi-Veshkaushi, milingonat, Elefanti, Gjenerali që kapet rob e të tjerë.

Xhixho Xhanburaska filloi diskutimin e vet dhe tha:

-Unë kam parë një film vietnamez. Aty tregoheshin helikopterët e tmerrshëm që uleshin në xhungël duke harxhuar me miliona fishekë dhe vrisnin një nënë vietnameze me fëmijën e vet në krahë. Unë nuk e kam kuptuar kurrë se pse duheshin vrarë njerëzit kotsëkoti!? Vietnami nuk kishte pushtuar asnjeri. Nuk e kam kuptuar kurrë se pse Amerika luftonte në Vietnam[1]… Kaq kisha…

Pas tij e kërkoi fjalën Lepurush-Veshkaushi. Kacimicrri i dha leje, si njeri që ishte zgjedhur në presidium dhe që drejtonte diskutimin krijues. Veshët e lepurushit “tak“ u ngritën përpjetë, si dy antena televizori.

-Unë kam parë një film amerikan për luftën në Vietnam. Aty tregohej se amerikanët janë sjellur mirë me vietnamezët. Shumë baballarë amerikanë vinin në Vietnam për të takuar fëmijët e tyre gjysmëvietnamezë. U sillnin lodra, ëmbëlsira dhe pastaj baballarët amerikanë iknin përsëri në shtëpitë e tyre se kishin fëmijë të tjerë edhe në Amerikë… Tani unë nuk di kujt t’i besoj… Atij filmit amerikan, ku vriten katërqind vietnamezë për të shpëtuar katër amerikanë… apo televizorit shqiptar që i jep këto filma?

Ngriti dorën Beniamin Beni dhe tha:

-Lepurush-Veshkaush! Ti ke dy antena të mira në kokë. Edhe kokën nuk e ke bosh. Besoji kujt të duash ! Beso, siç të thotë radakja jote ! Në demokraci jemi dhe sejcili ka të drejtë të ketë mendimin e vet. Kaq kisha!

U hodh Kokëfirifiu:

-Për këtë çështje, presidiumi duhet të thotë fjalën e vet!

Edhe unë, atë mendim kam! – shtoi Robin Patatja.

Presidiumi e thotë fjalën në fund, - e ndërprenë Elefanti dhe milingona.

-Me leje!

-Me leje!

-Me leje!

-Me leje!

U ngritën katër duar.

-Me rradhë… se këtu nuk jemi në stadiume dhe as në sheshet dhe bulevardet e Stokholmit dhe të Malmoes së Suedisë, ku u zhvillua kampionati evropian i futbollit[2]. Nuk jemi as tifozë anglezë[3]. Ata pinin e bëheshin tapë dhe pastaj shkaktonin rrëmujë dhe thyenin xhamat e dyqaneve. Donin që patjetër të fitonte Anglia. Po pse, kështu fitohet? Kurse Danimarka e vogël, “cëk e cëk e cëk e cëk“ u shpall kampione. Danimarka e vogël që është si unë… e vogël si Kacimicrri…

Për hetë të parë Kacimicrri lavdëroi veten. Kurrë më parë nuk e kishte bërë këtë marifet. Por unë jam i bindur se ai ka dashur të thotë gjë tjetër. Ka dashur të thotë se edhe një shtet i vogël mund të bëjë punë të mëdha. Ashtu si picirukët e përrallave që bëjnë mrekullira…

-O zonja Milingonë e Orizit! - i tha asaj në vesh Nils Holgersoni, me zë të ulët. – Sa qejf e paska futbollin ky Kacimicrri. Nga lufta në Vietnam na çoi në stadiumet e Suedisë… Mos luan vetë futboll, ai?

-Unë nuk e kam parë ndonjëherë që të lozë…

-E dè… se edhe Shqipërinë unë nuk e kam parë ndonjëherë në finalet e Botërorit apo të Europianit, të Kupës së Kupave apo të…si quhet ajo ? Uf… uf… Uefa ! Nuk e kam parë ndonjëherë në finalet e kupës… uf… uf… Uf!

Diskutimet kishin vazhduar, por ne nuk dëgjuam më asgjë. Nuk i morrëm vesh të gjitha që u thanë për filmat.

-Mos bëni zhurmë!

-Dëgjoni!

-Po flet Fatbardh Pikaloshi[4]!

Tregoi e tregoi. Edhe ai kishte parë një film amerikan në televizorin italian, i cili fliste për luftën e Rusisë në Afganistan. Në fund të filmit ishte shkruar : “Ky film i kushtohet luftës heroike të popullit afgan“. Kurse në të vërtetë, në atë film ai nuk kishte parë asnjë afgan duke luftuar… Fatbardh Pikaloshi kishte mbetur i habitur sepse përpara se ta lexonte atë fjalinë e fundit, kishte kujtuar se mos ishte Amerika ajo që kishte luftuar në vënd të Afganistanit me Rusinë. Se si thotë ajo fjala e urtë popullore “kur grinden atllarët, shqelmat i hanë gomarët“. Se atllarët – kishte shpjeguar më tej Fatbardh Pikaloshi, - janë ata kuajt e mëdhenj të racës. Pra, sipas tij, kjo shprehje tregonte se kur grindeshin të mëdhenjtë, shqelmat i hanin të vegjëlit. Ndonjëherë këto filma, me skena që i kanë zili edhe përrallat më fantastike, ua kalojnë jo vetëm gënjeshtrave të Nastradinit, por edhe çudirave të Lizës në botën e çudirave[5] ! As vetë Fatbardh Pikaloshi nuk kishte parë e dëgjuar çudira e mrekullira të tilla gjatë udhëtimeve dhe aventurave të tij !

  • -Jo ! Amerikanët nuk gënjejnë!–u hodhën dhe thanë Miki Maus[6] dhe Al Kapone[7].
  • -Në këtë film gënjejnë,–u përgjigj shtruar Fatbardh Pikaloshi.
  • -Nuk gënjejnë!
  • -Gënjejnë!
  • -Nuk gënjejnë!
  • -Gënjejnë!
  • -Nuk gënjejnë!

Atëhere Fatbardh Pikaloshi iu drejtua përsëri Kacimicrrit që ta merrte fjalën për herë të dytë.

-Me leje!

-Urdhëro!

Unë kam dëgjuar në televizor se lufta në Afganistan vazhdon përsëri edhe pse ushtaret rusë kanë ikur prej kohësh me bisht në shalë. Po kështu është shprehja, se ne e dimë që njerëzit nuk kanë bisht… Le të më përgjigjet Miki Mausi e Al Kapone se pse nuk vjen përsëri ai turisti amerikan i filmit e ta shtypë susten, që nga qielli mos të bjerë shi, po të bien banane, të bien ilaçe për të sëmurët, të bien pako me ushqime e kazanë me supë të nxehtë… Pse nuk e shkel sustën dhe të bëjë mrekulli si te filmi, që sa hap e mbyll sytë, Afganistani të bëhet i pasur e i bukur si Amerika?

Ngritën zërin të dy menjëherë, Miki Maus dhe Al Kapone:

  • -Këto janë shpifje !
  • -Mjaft !

Al Kapone ia preu fjalën Fatbardh Pikaloshit, duke i thënë se kur të fliste ai, të tjerët duhet të qëndronin sus. Se ai vinte nga një vënd i madh dhe sipas zakonit, më të vegjëlit duhej ta dëgjonin pa i kthyer fjalën.

  • -A e di, ti Pikalosh se Amerika është vëndi demoktratik më i përparuar i botës?
  • -Ashtu dua të mendoj edhe unë! – iu përgjigj Fatbardh Pikaloshi duke e parë drejt e në sy. –Por ti nuk më lë ta mbaroj fjalinë dhe kjo sjellje nuk është demokratike.
  • -Punë e madhe nëse ti beson apo nuk beson ! Kur them unë, është kështu dhe pikë ! Kështu thotë edhe Miki Mausi, kështu thonë të gjithë amerikanët e gjithë presidentët e botës.
  • -A ta pyesim një herë Mark Tuenin[8]? Edhe ai amerikan është. Apo të pyesim Tom Sojerin dhe Hekëlberi Finin? Atyre të dyve unë u besoj, se janë djem të zgjuar e me zemër të bardhë.–tha Fatbardh Pikaloshi.–Kurse ti Al Kapone ke qënë bandit. Të njeh gjithë qyteti i Çikagos e gjithë Amerika.

Fatbardh Pikaloshi heshti nje çast, përpara se të kthehej nga Miki Mausi.

  • -Kurse ti Miki Maus nuk je çun i keq… Ti i ke bërë për të qeshur gjyshërit tanë në Shqipëri kur ishin të vegjël, me librat dhe filmat e tu… Ti mos u dridh e mos kij frikë nga Al Kapone se këtu nuk je vetëm ! Këtu je me ne.

I shkreti Miki Maus bashkë me Qenin Lessi[9]! Të dy kishin nisur të dridheshin, sikur t’i kishin zënë ethet e Maltës[10]. Sikur t’i kishte pickuar miza Ce-ce[11]!

  • -Këto janë shpifje!–vazhdoi të thërrasë Al Kapone, sikur të ishte një gorillë.–Mark Tueni ka gënjyer! Edhe Tom Sojeri njihet në gjithë botën si një gënjeshtar e një dembel! A nuk ju kujtohet se si i mashtronte kalamajtë për të lyer murin e oborrit të tetos së vet me gëlqere dhe vetë rrinte e shikonte si padron?!?!
  • -Orèèèèè! Edhe Tom Sojerin, Al Kapone na e nxorri mashtrues!–u indinjua Fatbardh Pikaloshi.–Po Hekëlberi Fini?
  • -Mashtrues edhe ai!
  • -Po ti?
  • -Hero!
  • -Po Miki Maus dhe Qeni Lessi?
  • -Ata vinë pas meje… janë nënheroj!

Të gjithë qeshën aq shumë, sa shungulloi pylli vietnamez. Qeshi edhe Miki Mausi. Qeshi edhe Lessi. Diskutimi kishte zgjatur e zgjatur, sa kishte ikur një ditë, një natë e tani po zbardhte agimi.

  • -Po mos bëni kaq zhurmë, more zotërinj dhe shokë! – u tha Kacimicrri, duke bërë shënjë me duar që të ulnin zërin.–Kam frikë se po i zgjojmë vietnemezët që pa gdhirë!

Kacimicrri kishte të drejtë. Ra heshtja. Të gjithë fluturuan dhe u zhdukën, siç zhduket bora në fusha e kodra, kur bien rrezet e nxehta të diellit…

 

Shpjegime:

[1] Lufta e Vietnamit (1963 - 1975) ishte një luftë midis Vietnamit të Jugut, që mbështetej nga USA dhe Vietnamit të Veriut, që ndihmohej nga Kina dhe Bashkimi Sovietik. Kjo luftë përfundoi me ribashkimin e tij.

[2] Kampionati Europian i Futbollit në Suedi është zhvilluar nga 10 qershori 1992 deri më 26 qershor 1992.

[3] Këtu bëhet fjalë për sjelljet e tepruara të disa tifozëve anglezë, që ndonjëherë përdorin edhe dhunën për të ndikuar në rezultatin e një ndeshjeje futbolli. Sjellje të tilla denohen ashpër nga Federata angleze e futbollit.

[4] Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit, përrallë e shkrimtarit për femijë Berdi Dedja (1930-2004).

[5] Liza në botën e çudirave është një roman për fëmijë i shkruar në 1865 nga Lewis Carroll, pseudonim i shkrimtarit amerikan Charles Lutwidge Dodgson (1832-1898).

[6] Mickey Mouse është një personazh imagjinar i letërsisë amerikane për fëmijë, që shfaqet kryesisht në filmat vizatimorë dhe lojërat video të kompanisë Walt Disney. Si ambasador i vërtetë i kësaj kompanie, ai është i pranishëm në të gjitha sektorët e saj, në televizion, në parqe dëfrimi apo në produkte konsumi.

[7] Al Kapone konsiderohet si një nga gangsterët më të tmerrshme amerikanë të shekullit të 20-të.

[8] Mark Tuen (1835-1910), shkrimtar amerikan. Autor i librave «Aventurat e Tom Sojerit» dhe «Aventurat e Hekëlberi Finit».

[9] Lessi është personazh i romanit të njohur për fëmijë "Qeni besnik Lessi" (1940) i shkrimtarit anglez Eric Knight. Prej tij janë frymëzuar më pas shumë filma dhe serialë televizivë.

[10] Sëmundja e brucelozës, e njohur dikur si ethet e Maltës, është një sëmundje që transmetohet nga kafshët tek njeriu.

[11] Fjala "Ce-Ce" vjen nga një gjuhë që flitet në disa vende të Afrikës së Jugut dhe do të thotë "mizë që vret bagëtinë"

 

(vijon...)