Fëmijët

Kacimicrri rreth globit (rrëfenja 19) - Nga Bedri Dedja

A qe, vërtet, ky zbulim i dytë i Amerikës nga Kristofor Kolombi[1] ?

 «Kur arrita në Amerikë, gati-gati më ra një pikë!»

Kështu i tha Kacimicrri babushit. Sa vuri këmbët në kontinentin e Amerikës, iu duk vetja si Kristofor Kolombi! Por me dy ndryshime. Kristofor Kolombi e zbuloi Amerikën duke lundruar me anije me vela. Kurse Kacimicrri e zbuloi me avion supersonik sa një gogozhare Korçe. Kristofor Kolombi gjeti atje njerëz që quheshin indigjenë, të cilët i gënjeu me ca xhingla-mingla, pasqyra, karfica, komça, dylbi, shami ngjyra-ngjyra, etj. Kacamicrri gjeti njerëz që nuk gënjeheshin më, sikur t’u zbrisje në dorë edhe yllin polar.

Po kush ishte ky Kristofor Kolombi? Ishte një italian nga Gjenova. Njëlloj, si të thuash, një kapiten vapori nga Durrësi. Një trim i madh që lundroi në Oqeanin Atlantik dhe e çau atë në dy copa. Aq shumë kohë kanë kaluar prej atëhere, sa nuk mbahet mënd se kur ka jetuar! Sivjet thanë që ka pesëqind vjet që është zbuluar Amerika. Po çdo të thotë pesëqind vjetë? Sikur të marrim gjashtë gjyshër njëri pas tjetrit. Në fillim kemi gjyshin e parë që rron tetëdhjetë e tre vjet e dyqind e gjashtëdhjetë e katër ditë. Pastaj lind gjyshi i dytë si bebe që ulërin nga të qarët dhe rron edhe ai tetëdhjetë e tre vjetë e dyqind e gjashtëdhjetë e katër ditë. E kështu me rradhë, edhe katër gjyshër të tjerë. Si të thuash, Kristofor Kolombi ishte për ne jo stërgjysh e katragjysh, po gjashtagjysh.

Unë arrita në Amerikë jo fshehurazi, pa ditur gjë njeri,-vazhdon Kacimicrri tregimin e tij. Në fillim kujtoja se nuk më kishte parë kush. Po amerikanët janë të zgjuar. Ata të shohin në radar, në një pasqyrë që dikton edhe mizat kur fluturojnë, e jo mua. Po të kisha vajtur me qëllime të këqia, më hidhnin një raketë sa një laps dhe më bënin pluhur e hi pa zbritur ende në tokë. Po unë kisha vajtur me qëllime të mira.

Ai syri vigjilent amerikan, të cilit nuk i shpëton as miza që fluturon, kishte thënë:

  • Ky do të jetë ndonjë emigrat nga Shqipëria! Ku ka fluturuar më parë ky avion sa një gogozhare? Rreth globit? Kush ka fluturuar me të ?

Pastaj ai syri vigjilent e kishte futur emrin e avionit tim në kompjuter, në atë makinën çudibërëse me ekran si të televizorit. Aty kishte dalë e shkruar edhe gjithë biografia ime shtatëqindvjeçare. Kishin dalë përrallat për mua, emrat e ndryshëm që më kishin vënë: Kacimicërr, Kacel Misër, Gishto. Kishte dalë titulli dhe përmbajtja e librit të xhaxhi Teufik Gjylit[2] “Kacimicrri“. Në fund, kompjuteri, kjo makina çudibërëse kishte treguar edhe këto: “Kacimicrri është mik i ngushtë i Miki Mausit dhe Qenit Lessi“.

Le të hyjë në Amerikë se është njeri i mirë. Ka bërë ca kritika për ne, amerikanët, por nuk ka gjë… njerëz jemi dhe mund të gabojmë. Ne amerikanët nuk jemi më të zgjuarit e botës! Ndoshta jemi më të pasurit, por nuk ndryshojmë nga të tjerët. Pastaj, nuk janë të gjithë amerikanët njëlloj! Edhe gjermanët janë të mirë se nuk janë të gjithë si Hitleri. Vetëm ca të rinj kokëshkretë e ndonjë plak i veçuar mund të jenë ende si Hitleri dhe u vënë flakën me shishe benzine ndërtesave shumëkatëshe, ku banojnë refugjatët. Në Zvicër, për shembull, nuk ndodh kështu. Nuk u vënë flakën pallateve shumëkatëshe ku banojnë emigrantët portugezë. Po kjo nuk do të thotë se në Zvicër të gjithë njerëzit janë ëngjëj!

Kështu kishte menduar dhe kështu kishte thënë ai syri vigjilent amerikan. Dhe unë zbrita në majë të pallatit njëqindedhjetëkatësh të Nju-Jorkut, si një shtojzavalle, i qetë-i qetë, pa më ngacmuar asnjeri.

«Mirë se të gjeta, Amerikë!»

«Mirë se erdhe, Kacimicërr!»

Fërkova sytë, se nuk po më besohej se kush më përshëndeti. Ishin Miki Mausi dhe Qeni Lessi. U gëzova shumë, pasi nuk dija nga t’ia mbaja në atë Nju-Jorkun me një mijë drita e ngjyra. Kisha hedhur sytë poshtë dhe njerëzit më dukeshin si kokrra rëre. Pallatet e larta ngjiteshin e ngjiteshin, sikur donin të preknin hënën me dorë. Ata lëkundeshin dhe tregonin se, sikur të flije në katin e njëqindedhjetë, ishte njëlloj si në krevatin e bebes, të cilin e përkund nëna për ta zënë gjumi. Urat ngjanin me duar të gjata, të shtrënguara me njëra-tjetrën. Ato herë ngriheshin e herë uleshin, si në një valle njerëzish. Makinat nëpër rrugët e Nju-Jorkut ngjanin si me fishekzjarret që nuk shuheshin kurrë e që ishin derdhur rrugëve e bulevardeve.

  • Ku është ai?... ai?

Miki Maus pyeti:

  • Kush, ai?
  • Ai… ai…
  • Këtu ka miliona e miliona “ai“…
  • Ai… i tmerrshmi Al Kapone…
  • E futën në burg se u bashkua me mafian[3]… me ata që donin të grabisnin gjithë pasurinë e popullit. E dënuan me ekzekutim në karrigen elektrike! A e di ti Kacimicërr se çfarë është karrigja elektrike që përdoret këtu në Amerikë për të dënuarit që kanë bërë shumë krime? Të lidhin në një karrige, të lëshojnë korrentin dhe të thonë “Shko tani e vidh, po deshe, në botën tjetër!“ Si thua ti, mirë ja kanë bërë?
  • Nuk e di, Miki Maus! Kjo karrigia elektrike më duket shumë e tmerrshme! Unë them të kishin provuar një herë ta edukonin… se nuk i dihet! Ndoshta kur ka qënë i vogël, askush nuk i ka dhënë Al Kapones të lexojë libra me përralla! Se ata që lexojnë përralla kanë dëshirë të shkojnë në shkollë e të mësojnë edhe më shumë. Atyre që lexojnë përralla nuk u shkon mëndja për të vjedhur. Unë them se ndoshta do të kishte qënë më mirë që Al Kaponen ta linin në burg e t’i jepnin deri në fund të jetës shumë libra për të lexuar!–u përgjigj Kacimicrri. –Po më trego, Miki Maus, ç’është kjo mafia?

Miki Maus u mendua. Qeni Lessi lehu tri herë “ham-hum, ham-hum, ham-hum“, siç e kishte zakon kur bëhej fjalë për të keq.

  • Po ja, janë njëmijë, dymijë, tremijë Al Kapone bashkë. E ke parë ndonjëherë rrjetin e merimangës ? Ashtu janë përhapur ata në të gjithë botën. Duan të bëhen pasanikët më të mëdhenj jo duke punuar, po duke vrarë njerëz e duke shitur drogë që të budallallepsen çunat dhe gocat…

Kacimicrri pyeti përsëri:

  • Po ç’është kjo droga? Unë jam shtatëqind vjeç dhe asnjëherë nuk e kam dëgjuar këtë fjalë.
  • Ata që marrin drogë, është njësoj sikur të pinë një litër të tërë raki me stomakun bosh e pastaj u duket vetja sikur në botë nuk ka njeri tjetër përveç tyre… sikur, sikur fluturojnë mbi re si avion… më keq se të dehurit. E jo vetëm kaq. Por ata që përdorin shumë drogë, marrin pasaportën me vizë për në botën tjetër.
  • Qënka e tmerrshme kjo droga! Tamam-tamam si Al Kapone!
  • Al Kapone është babai i drogës. Që të mos pasurohej vetëm duke vrarë njerëzit me revole dhe duke vjedhur bankat e parave, si dikur, ai nisi t’i vriste njerëzit me anë të drogës, si me pambuk, dalëngadalë, për gjashtë muaj ose një vit.

Kacimicrri pyeti për të tretën herë:

  • Pse, të vrasin këtu me revole? Pse, vjedhin këtu? Se unë kam dëgjuar që në shtetin e Finlandës njerëzit nuk vjedhin. Kanë kaluar treqind e ca vjet që kur ka vjedhur njeriu i fundit, që quhet finlandez.
  • Këtu në Amerikë nuk ka as tre minuta që kur vodhi njeriu i fundit.
  • Po njerëzit, a i vjedhin?

Miki Mausi qeshi. Qeni Lessi lehu tri herë “ham-hum, ham-hum, ham-hum“. Lessi vetë, me zgjuarsinë e tij kishte zbuluar kushedi se sa hajdutë.

Këtu nisi historia e parë për Amerikën. Atë çast, Kacimicrri u kujtua se kishte shumë ditë pa folur me babushin në teleradio.

  • Babush, si je?
  • Mirë. Por me që ra fjala, hap sytë se mos kujton mafia se je çelës për të hapur çdo portë dhe pastaj të rrëmbejnë, si Faruk Kassamin në Itali… Të kujtohet historia e tij?

Kacimicrri qeshi dhe i tha babushit të mos bëhej merak. Edhe pse ishte i vogël nga trupi, nuk ngjante fare me çelësin sepse kishte duar e këmbë e kur vraponte, bëhej fare i padukshëm.

Pra, ku e lamë? Tek historia e parë e Amerikës… Kur Miki Maus harronte diçka, Qeni Lessi lihte tri herë “ham-hum, ham-hum, ham-hum“.

  • A e di ti Kacimicërr si ka qënë dyqind vjet më parë në Amerikë? – vazhdoi Miki Mausi. – Ecje me kalë gjatë stepës, ose përmes pyjeve me dy revole në brez dhe me një pushkë...

Qeni Lessi lehu tre herë “ham-hum, ham-hum, ham-hum“. Atëhere Miki Mausi u kujtua se kishte harruar diçka.

Po, e vërtetë. Kaubojsi mbante në brez edhe dy gjerdanë me fishekë dhe këpucët i kishte me taka si gratë.  Por mund të ndodhte që t’i vinte pa pritur një plumb pas shpine dhe të gjithë atë flori që ai kishe mbledhur me mund e me djersë, ia vidhte kollaj një njeri tjetër. Ose të vinte një shigjetë e helmatusur nga indigjenët vendas, të cilët kishin frikë nga njerëzit e bardhë, pasi ata kërkonin t’i çfarosnin të gjithë…

Qeni Lessi lehu tri herë “ham-hum, ham-hum, ham-hum“!

Po, Lessi. Ke të drejtë ! Nuk i çfarosën dot. Madje indigjenëve vendas iu shtuan me mijëra të huaj që erdhën nga vënde të tjera, zezakë të zinj, kinezë të verdhë, arabë të zeshkët, spanjollë, italianë, gjermanë, rusë e skandinavë të bardhë. Se Amerika ka vënd dhe pasuri për të gjithë. Sot jetojnë të gjithë të lumtur e të barabartë.

Qeni Lessi lehu përsëri tri herë “ham-hum, ham-hum, ham-hum“!

Po, ke të drejtë ! Më përpara nuk kanë qënë të gjithë të lumtur e të barabartë.

Për shembull, zezakët i ndiqte Ku-k-Klani[4], ajo tufa me njerëz të bardhë, të veshur si dordolecë që i vrisnin dhe u digjnin shtëpitë. Të kujtohet ajo “Kasollja e Xha Tomit“[5] ? A e ke lexuar ? Të gjithë gjyshërit shqiptarë e kishin lexuar dhe kishin qarë, sepse u vinte keq për zezakët e Amerikës. Pastaj, kur baballarët dhe nënat kishin lexuar “Aventurat e Tom Sojerit“ dhe “Aventurat e Hekëlberi Finit“ qanë përsëri, por edhe qeshën. Po tani puna ka ndryshuar se të gjitha rracat njerëzore janë të barabarta…

“Ham-hum, ham-hum, ham-hum“!

  • Nuk janë gjithnjë! – vazhdoi Miki Mausi, duke i hedhur një vështrim fajtor Qenit Lessi. - Sivjet në Los Anxhelos, të bardhët vranë një shofer taksie zezak. U ngritën zezakët si uragan. Ky qe sivjet uragani i parë në Amerikë. Thyen e dogjën dhe gati sa nuk morri flakë gjithë qyteti i Los Anxhelos. Pastaj vranë një domenikan të zeshkët. Përsëri u bë nami. Policët ia mbathën nga frika e turmës së njerëzve me ngjyra. Erdhi ushtria. U mbush qielli me helikopterë dhe mezi u qetësua turma.

Miki Maus vështroi përsëri qenin Lessi, se padashje kishte gabuar disa herë. Por kësaj rradhe ai nuk lehu.

  • Tani do të shkojmë në kinema të shohim një film! – tha Miki Maus, - se të kemi mik dhe do të zbavisim.

Sa hap e mbyll sytë, ashensori i zbriti të tre nga kati i njëqind e dhjetë, në katin e parë. Ore, ç’bëjnë këto Shkenca dhe Teknika ! Ecën me makinë në katin përdhes, ku parkohen makinat dhe një dru i ngjyer me bojë nuk të le të dalësh jashtë po të mos kesh paguar taksën në makinën elektronike. Sapo paguan taksën, vetëm duke futur një karton te buzët e holla të kësaj makine, druri ngrihet e sikur të thotë, tani mund të dalësh se je në rregull me ligjin.

Miki Maus, Qeni Lessi dhe Kacimicrri hynë në kinema dhe u ulën.

U shuan dritat. Filloi filmi. Kush e kishte shpikur atë film të çuditshëm? Në film tregohej një majmun i madh me fytyrë të zezë. Një shkencëtar i keq bëri një eksperiment. I dha majmunit ushqimin e gjenit të njeriut. Ai mendonte se po të lindte fëmija gjysmë majmun e gjysmë njeri, do të kishte ushtarë më të fortë në botë që do t’i fitonin të gjitha luftrat. Erdhi koha që majmuni nënë lindi një fëmijë-njeri. Ky fëmijë edhe ngjante si njeri, edhe fliste si njeri, po ama ishte edhe i fortë si majmuni gorilla dhe kacavirej në pemë si majmun. Madje ishte aq i fortë, sa me një dorë mund të rrëzonte një shtëpi dykatëshe. Kur u rrit, ky djalë i bukur majmun-njeri na shkoi ushtar. Në stërvitje, të tjerët mateshin pesë herë për të kapërcyer një pengesë të lartë dhe shpesh, nuk e kapërcenin dot. Kurse njeriu-majmun, me një të hedhur fluturonte përtej. Kur bënin qitje, asnjëri nuk qëllonte në shënjë. Vetëm majmuni-njeri e qëllonte objektivin në ballë, siç i thonë në ushtri, që me fishekun e parë. Shkencëtari i keq u gëzua shumë. Tani, tha ai, ne do t’i mundim të tëra shtetet në luftë me ushtarë majmunë-njerëz.

Kur mbaroi ushtrinë, majmunin-njeri e pyetën:

  • A ke dëshirë të bëhesh gjeneral e të qëndrosh në ushtri?

Majmuni-njeri u përgjigj:

  • Jo! Nuk dua të vras njerëz kotsëkoti… Nuk dua të jem as gjeneral e as ushtar ! Dua të bëhem prift që t’i mësoj njerëzit të rrinë urtë dhe ta duan njëri-tjetrin.

Mbaroi filmi. Kacimicrri, Miki Maus dhe Qeni Lessi duartrokitën.

Kur dolën nga kinemaja, shkuan të tre të blinin ushqime në supermarket për vete dhe për mysafirin, sa për të ngrënë një javë. Miki Maus kalonte pranë tezgave me karrocë dhe merrte çfarë t’i pëlqente. Supermarketi ishte me shtatë kate. Në një kat kishte vetëm mish, peshk e sallam. Kacimicrri numëronte llojet e peshqve nga një gisht të gjatë dhe gjer në tridhjetë kilometra, sipas syrit të tij. Shiteshin njëqind e tridhjetë e një lloje peshku. U habit. Pse kaq shumë lloje peshku? Mos ndoshta nga që Amerika rrethohej nga dy oqeane? Jo, mor jo! Fajin e ka truri ynë! Edhe detrat Jon e Adriatik kanë shumë peshq, po ata nuk i hanë shqiptarët. Se peshku ynë është bërë si gjeli i detit dhe hahet vetëm një herë në vit, për festa.

Kati tjetër i supermarketit kishte një mijë lloje pijesh freskuese e lëngjesh. E kështu me rradhë, gjer tek frutat, duke nisur nga kiwi dhe ananasi, mangot e bananet, luleshtrydhet e manaferrat, hurmat e Arabisë e ç’të donte qejfi ! Miki Maus mbushi pesë karroca me ushqime që tërhiqeshin si një tren me pesë vagona. Kacimicrri vështronte dhe habitej. I kujtoheshin ato kopshtet me fruta në Tiranë që shkatërroheshin për të ndërtuar pallate pesëkatëshe me silikate, të cilët dukeshin si ushtarë të ngrirë me rrobe të vjetra. I kujtoheshin bunkerët që na lanë pa bukë. Hajde tru, hajde ! Miki Mausi nisi të mbushë karrocën e gjashtë, kurse Qeni Lessi vështronte majtas e djathtas, para dhe prapa, se mos vinte ndonjë e të shkelte padashje Kacimicrrin. Dhe hajde pastaj ta çoje në spital për ta shpëtuar…

Në fund, me ashensor, me shkallë elektrike që ngjiteshin e zbrisnin vetë, me veturë, me helikopter, shkuan të tre në Hollivud, te qyteti i filmave. Atje, Miki Mausi dhe Qeni Lessi kishin një apartament me pesë dhoma, një sallon, një guzhinë e dy banjo. Po pse dy banjo? Po sikur t’u vinte nevoja të dyve menjëherë, si t’ia bënin ? Të mbanin rradhën para derës së banjos? Këtë apartament gjithë xhama, Mikit dhe Lessit ua kishin dhuruar amerikanët, si veteranë të kinematografisë. Sepse në Hollivud, gati në çdo orë dilte një film i ri. I keni parë televizorët se sa shumë kanale kanë ? Të gjitha kanalet japin nga pesë filma amerikanë në ditë dhe vetëm një nga ndonjë shtet tjetër i botës. Për shëmbull, sot e ka rradhën një film spanjoll. Nesër dhjetë filma amerikanë dhe një brazilian. Pas tre vjetësh mund t’i vijë rradha ndonjë filmi shqiptar… Po ata filmat me pesë mijë seri, i keni parë? Edhe ata janë amerikanë…

Para se të futeshin në apartament, ata takuan Tomin dhe Xherrin[6], duke bërë prova për një film të ri.

Në shtëpinë e Miki Mausit dhe Qenit Lessi u shtrua një gosti e madhe. Më pas, vunë përpara nga një akullore me çokollatë, një shishe koka-kolë, një shishe me lëng portokalli dhe u shtriqën nëpër kolltuqe për të parë e për të dëgjuar lajmet e fundit në TV.

Ç’kishte ndodhur kështu në Amerikë? Ishte bërë nami. Spikeri dhe kronika po tregonin për uraganin në Florida. Një furtunë dhe erë e tmerrshme fluturonin me dyqindë e gjashtëdhjetë kilometra në orë. Kjo furtunë kishte fshirë e përlarë shtëpi të tëra, dyqane, helikopterë, makina dhe njerëz. Gati sa nuk e kishte fshirë edhe plazhin e bukur të Majamit.

  • Ç’ke moj natyrë?! – thirri Kacimicrri. – Ç’të keqe të kanë bërë këta njerëzit e Floridës? Apo se të kanë zbukuruar? Apo pse të kanë mbuluar me stoli?! Pse, moj natyrë, je kaq zemërake me ta?!

Kacimicrri, Miki Maus dhe Qeni Lessi, u habitën sa u habitën, mbyllën televizorin të mërzitur, duke lënë përgjysmë akulloren, koka-kolën dhe lëngun e portokallit dhe shkuan për të fjetur.

Të nesërmen shkuan të tre në stadium, ku nuk luhej futboll po bejsboll. Lojtarët e gjuanin topin me duar e me këmbë, kacafyteshin, shtriheshin mbi njëri-tjetrin pesëmbëdhjetë a njëzet veta, rrëzoheshin me stërkëmbsha, përsëri ngriheshin e përsëri rrëzoheshin, sikur topi ishte flori që duhej grabitur e jo top me lëkurë, llastik e frymë. Kacamicrri nuk e morri vesh se kur u bë gol.

  • Aaaa! Tani e kuptova se pse Amerika nuk doli gjë në futboll në kampionatin botëror në Itali… Amerika qënka kampione në bejsboll!
  • Prit, prit!–i tha Miki Maus. – Kur të zhvillohet kampionati tjetër në Amerikë në 1994, ne do të dalim patjetër kampion. Të kujtohet se si u hëngrëm arrat rusëve në volejboll në Olimpiadën e Seulit? Ne dolëm të parët. Rusët që kishin qënë gjithnjë kampion, dolën të dytët…
  • Vërtetë,-pranoi Kacimicrri,-Amerika është kampione për shumë gjëra. A nuk zbritën amerikanët të parët në Hënë?–dhe vazhdoi t’u tregojë miqve të tij aventurën e tij të parë në kozmos.

Të nesërmen, Miki Maus, Qeni Lessi dhe Kacimicrri u nisën për në Uashington. Erdhi një veturë e gjatë sa një vagon treni. Amerikanëve u pëlqejnë shumë këto vetura. Si janë ato ? Për shembull, Kacimicrri, Miki Maus dhe Qeni Lessi rrinë të ulur në jastëkë në sediljen e pasme. Aty shoferin nuk e prek dot me dorë, pasi ai është përpara nja dhjetë metra larg tyre, pranë timonit.

Arritën në Uashington. Para Shtëpisë së Bardhë të Presidentit bënin roje policë me trup të gjatë e të bëshëm, si katallanë. Ajo shtëpi dukej sa e bukur e aq hijerëndë ! Kopshti me bar e drurë të gjelbër ngjante si me atë “Qilim shtrohu“ në përralla. Ca amerikanë rrinin përjashta me pankarta në duar.

  • Po këta, ç’janë? – pyeti Kacimicrri.
  • Janë demostrues. Këtu çdo ditë ka demostrata…

Ka njerëz që, me të drejtë, demostrojnë që njerëzit me ngjyra të jenë njëlloj në Amerikë, si njerëzit e bardhë. Por ka edhe nga ata që demostrojnë sepse ju çorr pak fustani një zezakeje, pa dashje te një derë. Dhe ky quhet “provokacion“ i derës kundër zezakëve ! Ka nga ata që demostrojnë të pakënaqur pse peshku shitet me hala ?! Pse portokallet nuk rriten sa një shalqi ?! Pse të shiten ende televizorë bardhë e zi, pasi këtu duket sikur bota i ngjan vetëm Afrikës ?! Pse presidenti, kur ishte zgjuar nga gjumi sot në mëngjes, dukej si i ngrysur ?! Pse njerëzit lahen në plazh me rroba banje ose lakuriq dhe nuk lahen me kostume e me këpucë?! Pse demi të mos ketë një bri, po ka dy?!

Këtu nisi një diskutim politik midis Kacimicrrit, Miki Mausit dhe Qenit Lessi, nga të cilët ky i fundit ndërhynte dy herë: kur shihte se Miki Mausi tregonte të vërtetën, ai lihte “ham-hum“ e kur shihte se Miki Mausi i rrëshkiste të vërtetës, Lessi lihte “ham-hum, ham-hum, ham-hum“!

Miki Mausi tha:

  • Shtëpia e presidentit është e bardhë se amerikanët duan paqe.

Kacimicrri shtoi:

  • Këtë e di, është e vërtetë.

Miki Maus vazhdoi:

  • Ne bëmë luftë me Irakun se donim paqe në Arabi dhe donim të shpëtonim Kuvajtin. Edhe Evropa luftoi me ne.

Qeni Lessi nuk po lihte. Kacimicrri shprehu mendimet e veta të lira:

  • Po të dojë Amerika, po të dojë Rusia dhe po të duan pastaj edhe Anglia, Gjermania, Franca, Italia, Brazili, Kanadaja dhe Kina e Indonezia… Po të dojë edhe Australia, etj. etj. kurrë nuk bëhet luftë në glob. Po them se edhe sikur vetëm Amerika e Rusia të duan, globi kthehet në një pëllumb gjigand paqeje që rrotullohet rreth diellit e bashkë me të edhe rreth galaktikës.

Miki Maus ndërhyri:

  • Ne, amerikanët duam vetëm paqe, prandaj dhe po ja mbledhim atij të Tmerrshmit me mustaqe në Irak. Ne duam që ta çarmatosim fare. Prandaj hymë në luftë me Irakun…

Qeni Lessi lehu tri herë: “ham-hum, ham-hum, ham-hum“! Miki Maus u hutua pak. Çfarë gabimi kishte bërë?! Po Kacimicrri ndërhyri:

  • Po tani, pse nuk ja mblidhni Serbisë, si Irakut? Edhe ai Sllobodani që nuk ka mustaqe është i tmerrshëm si Hysejni i Irakut. Pse nuk luftoni për Kosovën si për Kuvajtin?
  • Kjo është punë e Evropës.
  • Po Kuvajti, nuk është punë e Azisë?

Qeni Lessi lehu vetëm një herë: “ham-hum“. Miki Maus u përgjigj si me “mëk-mëk“:

  • Po ja, të presim një herë sa të zgjidhet presidenti i ri në Amerikë.
  • Mirë thua ti, po si t’ja bëjnë ata në Bosnjë, baballarë e fëmijë që vriten, nëna e gjyshe… e gjithë ata refugjatë që turren drejt Evropës për të shpëtuar kokën… a mund të presin ata të zgjidhet presidenti i ri? Unë e di që Amerika është për paqen, edhe Papa në Vatikan është për paqen nga koka gjer tek këmbët… por më tej nuk e di se me kë janë…

Qeni Lessi lehu përsëri vetëm një herë dhe me kaq u mbyll diskutimi politik i personazheve të përrallave.

Darka e fundit u dha në Majami. Miki Maus dhe Qeni Lessi e nderuan Kacimicrrin përpara se të merrte rrugën për atdhe.

Majami ! Një nga plazhet më të bukur të botës ! Sa keq që uragani, si një egërsirë qorre e goditi si me shkopin magjik! Kacimicrri vështronte me keqardhje shkatërrimet. Por vështronte edhe ato mrekulli që nuk u besoheshin syve. I shkoi mëndja te plazhet e Shqipërisë e sidomos tek plazhi i Durrësit. Kacimicrrit iu kujtuan ato barakat prej druri, ku njerëzit veronin dikur si në lagjet e të varfërve të kryeqytetit Karaçi në shtetin e Pakistanit. Iu mbushën sytë me lotë.

Miki Maus e pikasi.

  • Pse përlotesh, Kacimicërr?
  • Më ka marrë malli për njerëzit e mi… ka kohë që po shëtis rreth globit… e po mendoj se do të më duhet të punoj natë e ditë…

Qeni Lessi lehu tri herë: “ham-hum, ham-hum, ham-hum“! Ndoshta e kapi Kacimicrrin në gabim.

  • Ke të drejtë! Ke të drejtë ! Nuk thashë të vërtetën… Po pse vëndi im të jetë kaq i varfër? Pse të mos jetë si Amerika?

Pse? Pse? Pse?

Mendohu, Kacimicërr! Ti je i zgjuar! Ti luftove vetë shtatëqind vjet të tëra për t’u bërë mirë njerëzve… Punove! Nuk pranove pasuri përrallore se mund të ishe bërë edhe dhëndërr mbreti. Nuk ke faj! Nuk ke faj as ti e as shumë të tjerë, si ti…

Pse? Pse? Pse?

Mendohu e mendohu shumë e do ta gjesh. Atëhere “pse-ja“ do të kthehet në…

Sepse, sepse, sepse…

Kur të zbërthehen mirë këto “sepse“ gërmë për gërmë, kur të bëhen të gjithë si ty, Kacimicërr, kur të zhduken të gjitha kuçedrat … atëhere edhe Shqipëria do të bëhet si Amerika.

 

Shpjegime:

[1] Kristofor Kolombi (1451-1506) është një lundërtar gjenovez në shërbim të monarkëve katolikë spanjollë, Isabele de Kastijë dhe Ferdinandit të Aragonës. Ai nuk ishte njeriu i parë që vuri këmbët në Amerikë. Njerëzit kishin migruar në Amerikë ndoshta nga Azia, që para 13'000 ose 40'000 vjetësh. Po ashtu, Kristofor Kolombi nuk ka qënë lundruesi i parë që kapërceu Oqeanin Atlantik nga Evropa. Gërmimet arkeologjike kanë vërtetuar se disa popuj evropianë, si p.sh. vikingët, e njihnin tashmë këtë kontinent të ri. Por Kristofor Kolombit i takon merita e përurimit të një periudhe të re e të gjatë eksplorimi të këtij kontinenti nga evropianët si dhe të dokumentimit për herë të parë të udhëtimeve të tij për në Amerikë.

[2] Teufik Gjyli (1903-1969) ka qenë arsimtar dhe shkrimtar shqiptar për fëmijë. Vepra e tij “Kacimicrri“ (1934) ka qënë novela e parë e gjatë për fëmijë që u botua në vëndin tonë në vitin 1954, e cila u pasua nga vepra të tjera si “Trendafili i arte“ (1957) me 18 përralla, legjenda e tregime për të vegjël, “Tregime të zgjedhura“ (1966), etj. 

[3] Mafia është një organizatë kriminale, veprimtaritë e së cilës i nënshtrohen një udhëheqjeje sekrete kolegjiale që bazohet në strategjinë e infiltrimit brënda shoqërisë civile dhe institucioneve. Ne sistemin mafioz, antarët e saj quhen mafiozë.

[4] Ku-Kluks-Klani është një organizatë e bardhë e ekstremit të djathtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, themeluar më 24 dhjetor 1865, e cila mbron ose lobon interesat dhe paragjykimet e elementeve tradicionalistë, racistë dhe ksenofobë të të bardhëve protestantë, mbi epërsinë e "racës" së bardhë mbi "racat" e tjera - zezakët (pasardhës të skllevërve të mëparshëm), aziatikët (emigrantë kinezë dhe japonezë), hispanikët (meksikanët, kubanët, portorikanët dhe popujt e tjerë të Amerikës Latine), komunitetin arab, etj..

[5] Kasollja e xha Tomit (1852) është romani i shkrimtares amerikan Harriet Beecher Stowe, që pati një ndikim të thellë në mentalitetin e njerëzve në lidhje me popullsinë Afro-Amerikane dhe skllavërinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

[6] Tomi e Xherri janë personazhet e një serie filmash të shkurtër vizatimorë amerikanë, të krijuar fillimisht në vitin 1940 nga regjisorët William Hanna dhe Joseph Barbera. Ky serial i përqëndruar në dy protagonistët kryesorë, Tomi (maçoku) dhe Xherri (miu) është një nga më të njohurit në botë për fëmijët.

(vijon...)