Fëmijët

Kacimicrri rreth globit (rrëfenja e fundit) - Nga Bedri Dedja

  • Published in Fëmijët

Udhëtimi i fundit i Kacimicrrit rreth globit në shekullin XX.

Avioni supersonik i Kacimicrrit po fluturonte mbi det. Pas pak, para syve të tij u duk bregu i tokës.

Çfarë ka ndodhur? Kacimicrri u step. Si? Më paska zënë gjumi!!! E paskam graduar keq drejtimin e avionit!!! More, Kacimicërr, i tha vetes. A je në vete!? Përsëri po shkon në Amerikë? Përsëri në plazhin Majami? Miki Maus dhe qeni Lessi, me siguri, do të habiten kur të të shohin! Pse u kthye ky djalë? Kaq shumë i pëlqeu Amerika, apo ka harruar ndonjë kanatiere?

Bregu i detit poshtë dukej njësoj si plazhi Majami në Amerikë. Po edhe dukej, edhe nuk dukej. Kacimicrri u lidh menjëherë me babushin në teleradio.

  • Ç’ke, o Kacimicërr?
  • Babush! Kam gabuar rrugën… Ku jam tani?
  • Jo, more djaloshi i babushit! Je në rregull. Je fare në rregull! Je më në rregull se çdo herë tjetër…
  • Çfarë plazhi është ky nën mua?
  • Plazhi i Durrësit!

Kacimicrri fërkoi sytë. Nuk i besohej.

  • Po sa vjet u bënë, babush, që jam nisur?
  • Ke… ke… si të them… Edhe ke, edhe nuk ke… Mund të kesh edhe tre muaj, po mund të kesh edhe tetë vjet… Si të them… Po ti më mirë zbrit vetë në Durrës që të bindesh. Zbrite avionin në pistën detare Albaturist N°1 për avionë dhe helikopterë.

A mund të jetë bota përrallë? A mund të jetë bota një ëndërr gjumi? Jo. Po, ama atë që sheh në ëndërr, mund ta shohësh edhe në zhgjëndërr. “Gradoje avionin te pista detare N°1 se pastaj ai zbret vetë…“ u dëgjua zëri i babushit në teleradio.

Një kilometër brenda në det dhe mbi det ishte një pistë e lartë, ku kishte shumë avionë dhe helikopterë. Në fillim Kacimicrri mendoi se nuk kishte vend për avionin e tij supersonik. Po harroi se ai ishte sa një gogozhare Korçe dhe mund të zbriste edhe në kapelen e ndonjërit, që mbronte kokën nga dielli në rërën e plazhit. Zbriti në pistën “Albaturist“ N°1. Vëzhguesi i radarëve në pistë as që e vuri re. Atij iu duk avioni supersonik i Kacimicrrit si ndonjë letër që e kishte marrë era.

Kacimicrri zbriti në pistë dhe hodhi sytë nga bregu. Njëmijë pallate tetëkatëshe gjer në trembëdhjetëkatshe, me pisha në teracë rrinin varg gjer atje, ku fillonin kodrat me vila e kopshtije andej nga jugu. Jo, tha me vete Kacimicrri, ky nuk është Durrësi ! Unë e njoh mirë Durrësin. Ka pesë hotele e dy ndërtesa për kampin. Ka edhe vilat që kishin ndërtuar tregëtarët që në kohë të babaqemos. Ka edhe dy pallate të bukura të mëvonshme. Pastaj të tjerët janë o me silikate e tulla të kuqe, o barraka me pupulit e karton si në Bombej. Kur… padashje i shkuan sytë te Shkëmbi i Kavajës dhe jo te statuja e Lirisë së Nju-Jorkut. Përsëri u habit. Nuk donte t’i besonte askujt. Po mund të jetë edhe Shkëmbi i Kavajës!? Vetëm mos harroni se shkenca dhe teknika bëjnë mrekullira. Ku i dihet?! Shkëmbin e Kavajës mund ta kenë shkulur me gjithë rrënjë. Ato topat e ushtrisë që ndodheshin brënda tij, mund t’i kenë fundosur pesë pashë nën dhe. Dhe pastaj shkëmbin mund ta kenë transportuar dhe ta kenë ngulur diku në plazhin Majami të Amerikës!

Zbriti Kacimicrri nga pista “Albaturist“ N°1. Nga kjo pistë mund të zbrisje me dy rrugë. Rruga e parë me shkallë elektrike të zbriste poshtë, te porta e pistës, ku motoskafët prisnin turistët për t’i çuar në breg. Rruga e dytë ishte si një rrëshqitëse kalamajsh, e gjatë-e gjatë, nga ku mund të bije “pëlltuq“ në ujë e pastaj, me not të dilje në breg. Cilën rrugë zgjodhi Kacimicrri? E dini vetë…

Kur doli në breg, nuk e vuri re njeri. Se po ta kishin vënë re, jo turistët e huaj, po turistët shqiptarë, do të ishin ngritur në këmbë me brekë banjoje, do të duartrokisnin e do të thërrisnin: “Ka-ci-mic-rri ! Ka-ci-mic-rri !“ Kështu e kemi patur zakon ne… Gjithnjë thërrisnim: “Ka-ta-lla-ni ! Ka-ta-lla-ni !“ Pastaj, “Qe-ro-zi! Qe-ro-zi!“ Pastaj… pastaj edhe për dhelprën dinake mund të brohorisnim… Erdhi Kacimicrri, mirë bëri që erdhi ! Punë e madhe! Ai është njeri si gjithë të tjerët. Po deshe ta respektosh, ngrihu në këmbë. Pse duhet të çirresh, duke shqyer fytin dhe pse duhet të mpish duart, duke duartrokitur?!

Kacimicrri u bind që ishte në plazhin e Durrësit, kur pa përballë ndërtesën e hotel “Adriatikut“ dhe kur lexoi pllakën e madhe në hyrje me këtë mbishkrim: “Muzeu i historisë së plazhit të Durrësit“.

E kishte marrë shumë uria dhe etja. Shkoi në një kioskë ku nuk kishte shitës. Hëngri një sanduiç, pesë hurma Arabie, një thelë ananas dhe piu një lëng frutash. Po ç’e do se nuk dinte ku të paguante paratë. Po sikur të ikte pa paguar? Ç‘të bënte, gjersa nuk kishte asnjeri? Nisi të largohej, jo me dashje, por nga e keqja. Kur sapo hodhi dy çapa, makina elektronike kompjuterike e thërriti me zë elektronik.

“Qytetar! Mos keni harruar të paguani paratë?... Paratë hidhen në gojën time elektronike! Në rast se nuk keni para, na lini adresën tuaj!“

Kacimicrri kroi xhepat bosh. Vërejti se të gjitha çmimet ishin të afishuara. Makina mblidhte shumën që kishe harxhuar e që duhej paguar mu përpara syve me drita të kuqe. Shkroi adresën e babagjyshit, e futi te goja e makinës elektronike dhe u largua me gishtin në gojë nga turpi. Se nuk ishte shaka që, zotërinë tënde që ishte njeri, ta turpëronte një palo makinë elektronike kompjuterike.

Kacimicrri vendosi të vizitojë Durrësin dhe shkoi te sacioni i vjetër se mos gjente ndonjë autobuz-fizarmonikë, nga ata që i varen leckat rrugës. Mirëpo, autobuzë të markës “Skoda“ nuk kishte më ! Mori një taksi me antenë të lartë prapa, të markës “Shkodra-15“, që duhej ta ngisje vetë. Pastaj, nëpër një rrugë të caktuar përmes Shkozetit shkoi drejt e në Durrës.

Ku është stacioni i trenit? Nuk është më ! Ku është këneta e tharë dhe e shkretë e Durrësit? Nuk është më. Ishkëneta ishte mbushur me parqe lodrash, e me vila një-dy e tre katëshe, të rrethuara me kopshtije, me rrugë të asfaltuara, me trotuare plot palma e pisha, qershija e portokalle. Ku është vila e mbretit Zog ? Aty është, por nuk duket më. Në kodrat e Durrësit, gjer në Bisht të Pallës ishin ngritur dhjetëra pallate të tjera si kulla, tetë gjer në pesëmbëdhjetë kate, nga ku mund të zbrisje me teleferikë, ose përtej në det, ose këtej në bulevard. Në majën e kodrës së parë, afër farit të detit ishte një antenë e lartë. Kacimicrri ndezi televizorin e taksisë. Emisionet nuk kishin filluar. Në ekran qëndronin të palëvizura katër shkronja: “TVD-A“. Kacimicrri nuk ishte aq budalla sa që të mos i zbërthente këto katër shkronja: “Televizioni durrsak – Albania“.

Pastaj Kacimicrri shëtiti nëpër Durrës. Shitësa të gjallë nuk kishte në asnjë dyqan. Shitësa ishin bërë makinat elektronike kompjuterike. Hodhi sytë nga të katër anët dhe pa se as lypësa nuk kishte më. Ata ishin bërë të gjithë policë të rendit me kobure në brez dhe me radiotelefon dore me antenë. Burokratë që dridhnin zinxhirin nuk kishte më. Ata punonin si teknikë që shkelnin susta në uzinat automatike. Hajdutëve nuk u kishte mbetur as gjurma. Ata punonin në parqe për të pastruar jo vetëm copat e letrave e ndonjë lëkurë portokalli të hedhur gabimisht, por edhe ndonjë qime floku që kishte rënë rastësisht nga koka e ndonjë kukulle. Fjala pijanec gati qe harruar. Njerëzit, më shumë pinin lëngje frutash të freskëta, ujë Gline, lëng ananasi e qumësht zogu, se sa konjak e koka-kola. Kalamajtë nuk grindeshin më për punë partish. Shumica kishte hyrë ose në Partinë Botanike, ose në Partinë Zoologjike, Muzikore apo Elektronike. Kishte nga ata kalamaj që kishin hyrë në Partinë e Sportit për kalamaj. Asnjëra prej këtyre partive nuk zihej për pushtet dhe nuk shanin njëra-tjetrën. Nuk kishte më as pluhur nëpër rrugë. Pluhuri thithej nga aspiratorët gjigandë, përpunohej në impiantë industrialë dhe kthehej në rërë të pastër deti që plazhi të ripërtërihej çdo ditë.

Kacimicrri u lodh gjer në darkë duke shëtitur dhe vendosi të nisej për Tiranë. Në stacion, makina elektronike kompjuterike i tha: “Në ç’tren elektrik dëshironi të hypni ? Të katit të parë për të parë fushat? Të katit të dytë për të parë kodrat e gjelbëruara? Apo të katit të pestë për të parë qiellin?“ Në fillim, Kacimicrri u hutua. Ai nuk kishte parë gjëkundi tren apo hekurrudhë me gjashtë kate! Dëgjo, i shpjegoi zëri që dilte nga makina. Këtu hekurudha është me gjashtë kate, kurse trenat janë njëkatësh. Tre trena shkojnë në Tiranë dhe tre trena të tjerë vinë në Durrës njëkohësisht, seicili në katin e vet, prandaj edhe hekurudha është gjashtëkatëshe. Kacimicrri u nis me trenin e katit të pestë. Kur udhëtoi, ai nuk i mbajti sytë vetëm nga qielli, ku gëlonin helikopterë e avionë pa zhurmë, po edhe nga toka. Nuk i besoi vetes ! Durrësi dhe Tirana ishin bërë dy lagje të një Qyteti. Në Vorë kuqëlonte një tabelë me drita, ku shkruhej “Lagjia e Tiranës“. Buzë autoudhës kishte një shigjetë me drita të verdha që tregonte hyrjen në drejtim të autoudhës së Veriut. Poshtë shigjetës lexoheshin emrat e qyteteve ku mund të shkoje: “Shkodër, Lezhë, Krujë, Laç, Shëngjin, Pukë, Kukës, Burrel, Rrëshen, Peshkopi, Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Dibër, Tetovë, Gostivar, Krajë, Plavë, Guci“.

Në Sarisalltik[1] të Krujës, në majë të malit ishte ngritur një monument gjigand, jo i Krishtit, si në Rio de Zhaneiro të Brazilit, po i Skënderbeut. Gjithë faqja e malit në Krujë dhe në Tiranë ishte e mbushur me drita. Kacimicrri nuk ishte aq budalla sa të mos e kuptonte. Në Dajt, me siguri ishte shtrirë një lagje e re e Tiranës me vila e shtëpi njëkatëshe. Gjer në Sheshin Skënderbej, ai nuk pa gjë tjetër vetëm xhama e gjelbërim, drita, makina, autobuzë me veshë e antena elektrike, taksi me antenë prapa e motoçikleta pa zhurmë. Dëgjoi muzikë dhe pa artistë cirku në ekranin e televizorit, mbi ndënjësen përballë në vagonin e trenit me pak njerëz. Pallati i Kulturës në sheshin Skënderbej iu duk më i madh e më i lartë. Sejcili nga katet e tij kishte një tabelë me drita që tregonte se çfarë do të gjeje brënda tyre. Kacimicrri i lexoi të gjitha tabelat: “Kati i parë për prehjen e pensionistëve. Kati i dytë për studimin e shkencëtarëve. Kati i tretë, për çaj, kafe e festa e kështu me rradhë, ekspozita për piktura e skulptura, teatër kukullash, diskotekë për rininë e pishinë për kalamaj në taracën e mbuluar me xhama“. Muzeu Historik Kombëtar, me rrota nëntokësore ishte kthyer atë mbasdite nga sheshi i madh i Tiranës. Prapa tij kishte lodra të bukura e lulishte me parqe për fëmijët. E prapa lulishtes, aty ku dikur ndodhej një rostiçeri me xhama të thyer e me plehra rrotull saj, ishte ngritur një pallat i ri dhjetëkatësh vetëm me xhama, por pa xhama të thyer. Në çdo ballkon të tij shihje gjelbërim dhe lule shumëngjyrëshe. Kurse në taracë, dritat e një bar-restoranti dukej sikur ftonin brënda tij jo vetëm kalamajtë, rininë e turistët që vizitonin qytetin, por edhe pensionistët. Anash tij lëviznin pa reshtur dy ashensorë të mëdhenj që përcillnin ngjyrat e qytetit, reflektuar në xhamat e tyre.

Kacimicrrit i bëri përshtypje edhe një Ministri e re e me emër të gjatë që quhej “Ministria e Paqes dhe e lidhjeve miqësore me jashtë, e shëtitjes së kalamajve nëpër Botë, e shpikjes së lodrave të bukura, jo vetëm për kalamaj, por edhe për burra, gra e pleq“. Vetëm xhamia në qëndër të Tiranës kishte mbetur siç kishte qënë. Në altoparlant dëgjohej hoxha duke kënduar për festën e Bajramit…

Kacimicrri, që kur ka nisur kjo histori, u step për të dytën herë. Mendoi me vete. Pse nuk paskan ndërtuar një xhami të re, me një minare më të lartë, si në kullën e Torontos ? Kështu, ajo do të shërbente edhe si kullë televizioni, edhe si minare. Madje, atje lart në majë mund të kishte edhe një bar-restorant, ku të ngjiteshe me ashensor. Atje, kalamajtë mund të luanin, mund të hanin ndonjë pastë e të pinin nga një limonatë. Babi me mamin, ndoshta mund të pinin edhe nga një birrë. Kurse gjyshit dhe babushit do t’ja lejonim nga një gotë raki, kur ta sodisnin Tiranën si në pëllëmbë të dorës. Pleqtë kështu e kanë. Kur pinë nga një gotë të vogël raki, sikur u shkrin gjaku. Po dikush mund të thotë se feja myslymane nuk lejon të pish raki… Po mirë atëhere, le të pinë nga një litër koka-kolë ose limonadë. Po sikur barku i gjyshërve mos i durojë gotat me koka-kolë dhe… Atëhere, ti gjysh dhe ti babush, mos pini fare raki, as limonatë e as koka-kola në barin në majë të kullës së Televizionit dhe të minares, sepse nuk…

Nuk… Edhe në Tiranë nuk kishte më vjetërsira dhe plehra, ashtu si edhe në Durrës.

Kacimicrri mori një taksi me antenë prapa dhe u nis për te shtëpia e babushit. Sapo mbrriti, i thanë se babushi nuk banonte më në atë kotecin me tri dhoma e një kuzhinë, në pallatin pesëkatësh me tulla silikate. Së bashku me gruan e tij, ai banonte tashmë në një vilë me pesë dhoma, një kuzhinë dhe tre banjo, mu në brinjë të malit Dajt. Ajër i pastër. Këtu babushi mund të shihte Tiranën, të mendonte, të zhbironte, të trullosej, të frymëzohej dhe të shkruante shumë libra me përralla, vjersha, tregime, shumë romane e skenarë filmash televizivë për kalamaj.

Kur arriti Kacimicrri te vila e babushit, e gjeti atë duke krasitur drurët e portokalleve në kopësht.

  • Misëseardhe, Kacimicërr!
  • Babush! Mirësetëgjeta!
  • A mësove shumë, Kacimicërr?
  • Mësova sa edhe për shtatëqindë vjet të tjera…
  • Ulu më trego se dua të shkruaj e t’ua tregoj të gjithë kalamajve shqiptarë udhëtimet dhe aventurat e tua rreth globit…

 

-Fund-

Tiranë, qershor – Gjenevë, shtator 1992

Shpjegime

[1] Sari Salltik, shpella e shenjtë e malit të Krujës.